A ka ikur i ftuari nga Gjykata Speciale në Shqipëri, flasin familjarët

Pas dy ditësh do të duhej të ishte në Hagë, për t’u intervistuar për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Por, Remzi Shala, ish-komandanti i UÇK-së, i njohur me nofkën ‘Molla e Kuqe’ vazhdon të konsiderohet i arratisur qysh nga dita kur u dha lajmi se po kërkohet nga Tribunali.

Sipas asaj që raporton Gazeta Express, ai mund të jetë strehuar në Shqipwri. Avokati i tij ndërkaq paralajmëron heqjen dorë nga mbrojtja për ish-ushtarin e UÇK-së.

“Po presim me sytë nga dritarja në çdo minutë mos po paraqitet Remziu”, kështu po shprehen familjarët e ish-komandantit të UÇK-së, Remzi Shala, i njohur si “Molla e Kuqe”.

Familja po pretendon se ka më shumë se një muaj që nuk ka marrë lajm nga njeriu i tyre. Familjarët thonë se takimi i fundit me familjarin e tyre ka qenë më 12 dhjetor.

“Askush nuk po e di se ku është Remziu. Nuk jemi dëgju tash e disa javë me të. Ka dal prej shtëpisë e nuk i ka tregu askujt se ku është. E askush nuk ka ardhë këtu me na tregu për të ndonjë gjë”, kanë deklaruar në familjen Shala.

Ata thonë se rastin nuk e kanë lajmëruar në polici e as askund tjetër.

“Jo nuk kemi shku në polici. Kurrkund hiç, veç po presim”, thonë familjarët e “Mollës së Kuqe”.

Ndërkohë nëse, Shala nuk paraqitet para Gjykatës atëherë edhe pala mbrojtëse e tij do të heq dorë nga mbrojtja

Kështu deklaroi, avokati i “Mollës së Kuqe”, Natal Bullakaj. Ai tha se vetëm edhe një muaj në këto rrethana do të qëndrojë si avokat i Shalës.

“Sinqerisht nuk jemi dëgjuar me të. Kam provu. Unë kam bisedu edhe me familjen e tij. Ata po më thonë që nuk dinë asgjë për këtë punë. Në këto kushte unë edhe një muaj mund të qëndrojë si avokat i tij. Pastaj do të tërhiqem nga lënda”, ka deklaruar vokati Bullakaj.

Për vendndodhjen e mundshme të Shalës në Shqipëri, thotë se ka pasur informata edhe vet avokati i tij.

“Fillimisht kemi pasur informata se ai gjendet në Shqipëri, mirëpo familjarët kanë thënë që e kanë kërkuar atje por nuk e kanë gjetur”, deklaron pala mbrojtëse e ish-luftëtarit të UÇK-së.

“Molla e Kuqe”, ashtu siç e kishte pseudonimin në luftë Remzi Shala, para largimit, kishte thënë se është krenar për luftën e bërë, dhe se nuk do t’i përgjigjet gjykatës së votuar nga deputetët e Kosovës.

Nga njohës të çështjeve ligjore është thënë se kjo mund të shërbejë si precedent për rastet e reja kur Dhomat e Specializuara të Prokurorisë mund të mbajnë në paraburgim të dyshuarit e tyre.

Ftesën për paraqitje në Hagë Shala e ka për datën 17 janar të këtij viti.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme