AAK: Edhe nëse largohet Lista Serbe, s’jemi të interesuar për bashkëqeverisje

Sakte.net /  E martë, 11 Tetor 2016  –  13:00

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj ka shprehur se edhe nëse Lista Serbe largohet nga koalicioni qeverisës, AAK nuk do të pranojë ftesa të mundshme nga koalicioni për bashkëqeverisje, shkruan Gazeta Express.

 

“Rrugdalja e vetme është që të pajtohen të gjithë për zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme.” tha Nitaj

Ndërsa, Kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiq ka thënë sot, për mediat se miratimi i ‘Trepçës’ nga Kuvendi mund të sjellë që Lista ta braktisë koalicionin qeverisës.

“Thjeshtë, duhet të gjithë ta kuptojnë se sa është e rëndësishme kjo për të gjithë ne dhe nëse mbeten të shurdhër dhe memec ndaj kësaj, atëherë rekomandimi im personal do të jetë që ta braktisim qeverinë. Ndërkaq, do të shohim se cili do të jetë vendimi i Listës Serbe në tërësi”, ka thënë Stojanoviq.

Megjithatë Nitaj ka thënë për Gazetën Express se “Qeveria aktuale e ka degraduar qeverisjen dhe ne nuk mund të bëhemi pjesë e dështimit të saj”. Ai theksoi se AAK nuk ka as kushte për koalicionin që të bëhet pjesë e qeverisë.

“Jo nuk është çështje e kushteve, por e konceptit. Qeveria aktuale e ka degraduar qeverisjen dhe ne nuk mund të bëhemi pjesë e dështimit të saj. Sistemi qeverises në Kosove ka nevojë për një “reset”, sepse ka ngecur dhe kjo nuk mund të bëhet me improvizime. Zgjedhjet do ta shpëtonin edhe koalicionin qeverisës.” tha Nitaj.

Ndërkaq “ngrirja” e pjesëmarrjes së deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës është vendim i kësaj liste dhe do të jetë në fuqi deri në ndonjë vendim të ardhshëm, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë. Bojkotimi i Listës Serbe e ka vënë në pozitë të vështirë koalicionin pvr arsyen se nuk ka votat e mjaftueshme për të kaluar projektligjet me rëndësi të veçantë si Demarkacioni.