Aksident i rëndë në rrugën Gjilan – Prishtinë, 6 të lënduar

Një aksident i rëndë ka ndodhur në mbrëmjen e së hënës në rrugën Gjilan – Prishtinë, në dalje të fshatit Llabjan.

Në aksident janë përfshirë tri makina, dy automobila dhe një kamion. Një nga automobilat është me targa të Amerikës. Aksidenti ka ndodhur pasi njëri prej automjeteve të aksidentuara ka hyrë në tejkalim në kthesë dhe është përplasur me veturën përballë.

Si pasojë e aksidentit janë gjashtë persona të lënduar, në mesin e tyre dy gra të lënduara rëndë. Në mesin e të lënduarve është edhe një fëmijë.

Policia është në vend të ngjarjes dhe rruga është bllokuar tërësisht.