Akuza të rënda: Spitali Amerikan ma mbyti nënën!

Hyra Gashi nga Prishtina, në mars të këtij viti, në moshën 59 vjeçare ka ndërruar jetë në Spitalin Amerikan në Prishtinë. Vdekja e saj po dyshohet se nuk ishte e natyrshme. Familjarët e të ndjerës po akuzojnë mjekët e këtij spitali se e shkaktuan vdekjen e saj. Për këto dyshime familjarët e të ndjerës e kanë dërguar rastin në Prokurorin e Shtetit, kanë njoftuar EULEX-in dhe Policinë e Kosovës dhe kanë kërkuar hetime.

Faktet e dërguara tek organet e rendit, i kanë sjellë edhe në redaksinë e portalit INFOKUSI duke kërkuar që ky rast të publikohet dhe të mos pësojnë qytetarët e tjerë.

E bija e të ndjerës, Zoja Gashi, është “betuar” se do i shkoi deri në fund këtij rast dhe do ta zbardhë të vërtetën që siç thotë ajo të marrin dënimin e merituar ata që shkaktuan vdekjen e nënës së saj.

Ajo në një rrëfim ekskluziv për portalin INFOKUSI ka treguar tmerrin që ka përjetuar nëna dhe gjithë familja e saj. Nga gabimet e mjekëve që sipas saj e quan deri në vdekje. Mashtrimet që ju bënë nga Spitali Amerikan dhe si u munduan t’i kamuflonin gabimet e tyre duke i thënë familjarëve se Hyra tashme kishte probleme psikike nga traumat e operacionit, si e mbajtën peng nënën e saj pas operacionit, si e detyruan të qohej nga shtrati dhe të rrinte në karrige për 5 orë me radhë derisa familja t’i paguante parat shtesë që i kishte kërkuar spitali, si i ofruan ata marrëveshje për të marrë kredi për pagesat e operacionit, e deri të nata tragjike kur mjekët nuk i lejuan familjarët të hynin brenda spitalit duke i gënjyer ata se pacientja e ka kaluar me sukses operacionin por në fakt sipas familjarëve në atë kohë ajo vetëm kishte ndërruar jetë.

Për të gjitha këto, portali INFOKUSI i ka dërguar pyetje edhe Spitalit Amerikan por nuk kanë kthyer përgjigje dhe nuk janë lajmëruar as në telefon.

Diagnozat që ata jepnin ishin shumë larg njëra-tjetrës

Historia fillon në tetor të vitit të kaluar, nga atëherë kur Hyra Gashi kishte vështirësi në frymëmarrje dhe kishte shkuar në QKUK për kontroll. Nga aty rekomandohet për në Spitalin Amerikan. Mjeku i këtij spitali që mori në përkujdesej Hyrën, ishte Besnik Kojiçiçi. Pas kontrolleve të pacientes ai rekomandon operacionin për vendosjen e një “valvule mekanike”. Operacioni kushtoi 10.000 euro dhe pasi që pacientja kishte shkuar nga QKUK-ja, Ministria e Shëndetësisë paguan 70 % të shumës dhe 30 % të tjera familjarët, kështu tregon Zoja Krasniqi.
Familjaret e së ndjerës tregojnë që nga kjo kohë e ndjera nuk ishte ndier mirë asnjëherë, për faktin që asaj vazhdimisht i është dashur të bëjë vizita të shumta nëpër spitale deri sa ajo ka ndërruar jetë.

Gjithçka është e pakuptim pasi që mjeket e Spitalit Amerikan vazhdimisht i kishin siguruar familjaret duke i thënë qe pacientja është shumë mirë, përkundër që një gjendje stabile tek e ndjera nuk është parë më asnjëherë pas operacionit.

Pavarësisht që mjeket pohonin se gjithçka ishte nën kontrollin e tyre dhe që pacientja do ti kalojë vështirësive të saja me shëndetin, ajo nuk kishte asnjëherë një diagnoze të saktë që tregonte se nga çfarë ajo vërtetë ankonte.

Diagnozat ishin të shumta dhe të gjitha konstatimet për gjendjen e saj ishin shumë larg njëra tjetrës. Ata jepnin konstatime nga me të ndryshmet, duke thëne se pacientja është e sëmur nga mushkrit, ka bronhit, është e ftohur, ka probleme me urinim, ka probleme me mëlçi, madje disa thonin se pacientja nuk kishte probleme me frymëmarrjen por ajo ka probleme psikike, gjë që ndonjëherë asaj ia hedhin poshtë ankesat që kishte dhe i vendosnin medikamente qetësuese për përdorim.

“Na shtinën me besu që nëna ka probleme psikike, për shkak që sipas tyre ka qenë operacion i rendë dhe ka mbet tek ajo traume”, tregon vajza e së ndjerës.

Pacientja mbahet peng për pagesë

Më tej ajo tregon raportin e mjekut të QKUK-së ku thuhet se njëra prej valvulave duhet të ndërrohet, kurse tjetra vetëm duhet të riparohet dhe përkundër kësaj mjeket e Spitalit Amerikan kishin ndërruar të dy valvulat edhe pse në raport nuk kërkohet një gjë e tillë.
Veç kësaj diçka tjetër që për familjaret është e pafalshme, është fakti që pasi ata ishin nisur për ta nxjerr nga spitali nënën e tyre, ekipi i Spitalit Amerikan nuk kishte lëshuar pacienten për të dalë pa mbuluar edhe një shumë e të hollave e cila sipas tyre ishte si shkak i ndërrimit te valvulës së dytë, për te cilën nuk ishte paraparë një ndërrim.

“Nëna ka qëndruar në kujdesin intensiv për tre ditë radhazi dhe pastaj ka kalu në repart, kurse pas pesë, gjashtë dite nënën është dashtë me e leshu prej spitalit, mirëpo kur shkon vëllai me e marr nënën në spital kur donë me dal nga aty nuk e lëshojnë me arsyetim se duhet me u pagu plus valvula shtesë e cila nuk ishte e parapame”, thotë Zoje Krasniqi.

Sipas saj, Spitali Amerikan ishte në gjendje të bënte çmos vetëm e vetëm për të marr ato të holla nga ne.

“Nëna mbetet e stresuar, stafi i higjienës vjen me e rregulluar shtratin dhe nënën e ulin në një karrige, ndërsa administrata nuk e lëshon nënën pa e bë pagesën. Nëna qëndron tre ose katër ore në një karrige edhe pse ishte mbas operacionit. E kap kryt, e kap tensioni dhe nuk ia japin as ndihmën e parë. Pra aty e kanë mbajt pengë nënën, derisa administrata është pajtua ta liroje nënën”, tregon këtë moment derisa i mbulohen edhe sytë me lot.

Pas gjithë këtyre traumave, Zoja thotë se nëna e saj vetëm pak orë pasi u lëshua nga Spitali Amerikan ka pasur sulm në zemër dhe paralizohet.

“Ne e dërgojmë përsëri në spital dhe në të njëjtën kohe në kishim bërë edhe ankesa ne Ministrinë e Shëndetësisë për sjelljen aspak të mirë ndaj nenës, gjë qe nuk kishim marr asnjëherë përgjigje”, thotë Zoja.

QKUK konstaton gabimin e Spitalit Amerikan

Për të gjetur një rrugë shpëtimi për nënën e tyre, ata dërguan atë në QKUK, ku pasi që gjendja e saj kishte kaluar në gjendje kome, mjeket e Spitalit e Kardiologjisë në QKUK dhe Kardiokirurgjisë Intensive kishin rekomanduar ta kthenin përsëri në Spitalin Amerikan pasi dyshimet e tyre ishin që në këtë spital i ishin vendosur valvula të gabueshme “valuvulat mekanike”(përzgjedhje e mjekëve nga ky Spital), sepse sipas tyre gjaku është trashur dhe ka mbyllur njërën valvul, duke e bërë jo funksionale valvulën pas ngjitjes së një cope gjaku të trash rreth 4 mm në zemër. E gjitha kjo për faktin se para operacionit të parë pacientes nuk ju kanë bërë analizat e gjakut që do të vërtetonte se çfarë lloj valvule duhet t’i vendosën pacientes(mekanike apo biologjike).

Me të dëgjuar këto nga mjeket, familjaret kishin kërkuar të dinë nga Spitali Amerikan se pse nuk është bërë një test paraprak pasi që ata kishim qenë të gatshëm ta kryejnë gjithçka që është e nevojshme për ta shpëtuar nënën e tyre, ndërkaq arsyetimi i mjekëve të Spitalit Amerikan ka qenë se këto analiza do të duhej të dërgohen jashtë vendit (Gjermani apo Turqi), dhe për këtë arsye nuk i kanë bërë. E tërë kjo do të thotë se mjeket e këtij spitali kanë bërë një lëshim të madh duke e vënë në rrezik jetën e një njeriu.

Nuk e lëshojnë nga Spitali Amerikan për ta dërguar në Shkup

Pas tërë kësaj Zoja tregon që doktori ka thëne që duhet me e lëne pacienten me u stabilizu e pastaj me ia nderu valvulat, për shkak që duhet t’ia japim një ilaç për ta shkrire një dronë të gjakut që i është mbledh afër zemrës.

“Pasi e dinim se tashme gjendja e saj është shumë e rend ne vendosem ta dërgonim atë në Shkup, ngase ne vërejtëm që doktori është ka na i ndërron fjalët dhe nuk ishim më të sigurt ta lenim nënën aty për më gjatë. Pasi kanë kalua as më shumë se gjysme ore, doktori i cili na kishte thëne që gjendja e pacientes duhet të stabilizohet për tre dite radhazi, del dhe na thotë qe nëse nuk e operojmë nënën menjëherë pacientja vdes”, tregon Zoja.

Ajo thotë se dyshimet e familjareve janë qe mjeket nuk kishin guxim ta lejonin që pacientja të shtrihet në spitalet e Shkupit nga frika që ata mund të vërenin të gjitha torturat që i kishin bërë pacientes.

Të detyruar nga presioni i kohës, familjaret vendosen që nena e tyre ta operohet aty.

“Nënën e nisën për në salle të operacionit edhe pse gjaku të cilin mjeket e kishin kërkuar nga familjaret dhe ne e kishim dhëne në Qendrën për Transfuzionin e Gjakut nuk ishte ardhur dhe ne i dëgjonim mjeket teksa i thoshin njeri –tjetrit që punëtoret e kanë kryer ndërrimin e tyre dhe gjakun nuk e kanë sjellë ata prapë e futen në sallën e operacionit”, tregon Zoja.

Pacientja e gjen vdekjen në Spitalin Amerikan

Pas këtij momenti ajo thotë se familjarët i kanë nxjerrë jashtë klinike dhe i kanë mbyll dyert dhe nuk kanë ditur asgjë deri në ora dy pas mesnatës.
“Rreth orës dy të mesnatës ka dal doktori dhe na ka thënë që operacioni po shkon shumë mirë, ja kam ndërruar valvulat nga ato mekanike në biologjike si dhe e kam larguar edhe dronin e gjakut dhe gjendja e nënës është e mirë edhe pse ka humb gjak. Ma prej atij momenti deri ne orën 7:10 nuk ka lëviz askush! Në këtë orë ka dale mjeku dhe na ka shprehë ngushëllime dhe ne këtë moment ne mësuam qe nëna ime vdiq në këtë spital”, tregon këtë moment e përlotur Zoja Krasniqi.

Historia me tutje vazhdon me denoncimin në polici, EULEX dhe në Prokurorin e Shtetit. Familja e të ndjerës, Hyra Gashi ka treguar qe Spitali Amerikan nuk i ka dhënë familjes as historinë e pacientes.

Në ditët në vazhdim, portali INFOKUSI do të publikoj historinë dhe dëshmitë si ka rrjedhur ngjarja pas denoncimit në polici dhe Prokurorin e Shtetit dhe në EULEX. Deri me tani, portali INFOKUSI ka siguruar informata se rasti është duke u hetuar nga departamenti i krimeve të renda.

Lini Një Koment

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet