ARENA: Fati i Maqedonisë në duart e shqiptarëve. Debatojnë Zekiri, Rexhepi, Pozhari e Çipa (Video)

Situata në Maqedoni po përcjellet me vëmendje të shtuar nga mediat shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë. Mbrëmë në emisionin Arena me Dritan Hila në televizionin OraNeës kanë debatuar përfqësuesi shqiptar i LSDM, Muhamed Zekiri, anëtari i kryesisë së Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi, kryeredaktori i portalit Sakte.net, gazetari nga Kosova Xhevdet Pozhari dhe analisti nga Shqipëria, Aleksander Çipa.

Në këtë debat u tha se pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni u dëshmua se ardhmja e Maqedonisë është në duart e shqiptarëve, sikundërse edhe formimi ose jo i Qeverisë së ardhshme qoftë ajo politike apo teknike.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Muhamed Zekiri nga radhët e LSDM, sipas të cilit në këto zgjedhje fituan shqiptarët dhe në këto zgjedhje shqiptarët dëshmuan se janë më të vetëdijshëm për fatin e tyre sesa maqedonasit. Ai është shfaqur optimist se në rezultatet përfundimtare LSDM do të ketë mandate të barabarta me Nikolla Gruevskin.

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes BESA, Kastriot Rexhepi ka deklaruar se Lëvizja BESA ka arritur të merr përkrahjen e shqiptarëve të Maqedonisë përkundër shantazheve të shumta ndaj votuesve nga BDI. Ai ka thënë se në bazë të rezultateve dhe procesverbaleve Lëvizja BESA do të duhej të kishte 7 – 8 mandate. Rexhepi ka deklaruar se padiskutueshmërisht Lëvizja ‘Besa’ është fitues moral i këtyre zgjedhjeve dhe se në zgjedhjet e ardhshme ajo do të angazhohet maksimalisht në mbrojtjen e votës së  shqiptarëve dhe përfaqësimit të interesave të tyre.  Ai ka thënë se kërkojnë investime veçanërisht për zonat shqiptare në Maqedoni dhe forcim ekonomik të tyre. Rexhepi ka lënë të nënkuptohet se Lëvizja BESA do të kërkojë të reflektohet edhe mbi simbolet monoetnike shtetërore dhe se ata do të votojnë vetëm për ato projekte të cilat janë në interes të shqiptarëve.

Xhevdet Pozhari, kryeredaktor i portalit Sakte.net ka shprehur bindjen se shqiptarët janë fituesit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve. Sipas tij, një rezultat i tillë ishte i pritshëm ngaqë shqiptarët kanë qenë të papërfaqësuar dhe në gjendjen më të pashpresë që nga periudha e konfliktit të vitit 2001.

“Vota e këtyre zgjedhjeve, mund të përkthehet si votë e dëshpërimit të skajshëm të shqiptarëve të Maqedonisë që votuan për LSDM dhe votë e shpresës së atyre shqiptarëve që legjitimitetin e përfaqësimit politik ia dhënë Lëvizjes BESA. Sipas tij, sado e fortë të jetë një parti maqedonase, ajo nuk mund të formojë qeveri pa pëlqimin e partisë shqiptare. Pozhari ka kërkuar që LSDM të reflektojë për të kaluarën e trishtë dhe këtë ta dëshmojë në të ardhmen me veprime, e jo vetëm me deklarime të fushatës parazgjedhore.  Sipas tij, nëse Maqedonia vazhdon të qeveriset nga Nikolla Gruevski, fundi i saj është shumë afër./Sakte.net