Avokatët e Speciales në terr informativ lidhur me intervistimet në Hagë

Gjykata Speciale ka lëshuar thirrjen për dëshmitarin e parë nga Kosova, në këtë rast komandantit Rustem Mustafa-Remi.

Ftesa që iu bë ish-komandatit të UÇK-së, Rrustem Mustafa për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, riaktualizoi çështjen e Gjykatës Speciale, dhe mundësisë që kjo e fundit në një të ardhme jo të largët të ngrisë aktakuzat e para.

Avokati i Mustafës, Arianit Koci, përmes një postimi në Facebook dje tha se klienti i tij do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë në të cilën është duke u hetuar, shkruan lajmi.net.

E në lidhje me këtë proces, avokatët mbrojtës janë lënë në ‘terr’ informativ nga kjo Gjykatë.

Avokati i akredituar për procese të mundshme në këtë Gjykatë, Ali Beka, thotë se nuk është në dijeni nëse persona të tjerë nga Kosova janë intervistuar nga Prokuroria e Specializuar.

“Nuk jemi në dijeni nëse ka pasur të tjerë që janë ftuar për intervistim, përveq rastit të cilin e ka lajmëruar avokati Arianit Koci”, ka thënë Beka.

Sipas tij, avokatët nuk janë në dijeni deri në momentin që palët e pandehura do të kërkojnë mbrojtje nga ta.

E në dijeni për këtë nuk është as avokati tjetër i akredituar, Ismet Shufta.

Ai për lajmi.net tha se për një gjë të tillë nuk është në dijeni.

Megjithatë, ai përmend një vizitë të disa personave nga kjo Gjykatë në Kosovë..

“Vetëm di se disa njerëz kanë qenë në Kosovë. Se çfarë kanë biseduar ose çka nuk mund të them sepse nuk di”, ka thënë ai.

Ndërkohë, lidhur me aktakuzat e para që do të ngriten nga Prokuroria e Specializuar ende nuk dihet.

Gjykata Speciale për Kosovën u krijua në vitin 2015, me votat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Misioni i saj është që t’i hetojë pretendimet e raportit të Dick Martyt, për krime të cilat thuhet se janë kryer mes viteve 1998-2000.

Lini Një Koment