Avokati braktis përdhunuesin e së bijës: S’më lejon morali ta mbroj

Avokati i babait, i cili përdhunoi të bijën e tij të mitur dhe që u provua fajtor nga ekspertiza, raportohet se ka dhënë dorëheqjen nga mbrojtja.

Avokati Arben Keta u shpreh nëpërmjet një deklarate se nuk do ta mbrojë më Fatos Gurakuqin, banues në Tiranë, kjo për arsye personale.

I kontaktuar nga “Gazeta shqiptare”, ai tha se pasi e mori çështjen, kishte biseduar me klientin dhe ai e kishte bindur që nuk e kishte kryer këtë veprim, por pas përgjigjes së analizës së AND-së, ai ka mbetur i shokuar.

Ai deklaroi se edhe pse ligji ia jep të drejtën ta mbrojë atë nuk e lë morali, pasi është një veprim i pafalshëm.

Gjatë seancës së djeshme, prezente ka qenë edhe bashkëshortja e Gurakuqit dhe djali i saj, 11-vjeçar, por që për shkak të moshës, nuk u lejua të ndiqte seancën.

Ndonëse në një moshë të vogël, ai deklaroi se nuk kishte shkuar në shkollë, sepse shokët e shanin, ndërsa për babanë u shpreh se “babai im nuk i bën këto gjëra”.

Fatos Gurakuqi u akuzua nga vajza e tij 15-vjeçare F.G., në 18 nëntor 2015.