Bashkëluftëtarët e Thaçit, ofendohen me nderimet që u bën të vrarëve serbë

Homazhet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi tek memoriali i serbëve, të cilët janë vrarë duke kryer krime ndaj shqiptarëve, dhunuar mbi 20.000 femra dhe duke luftuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, është cilësuar si turp, fyerje, ofendim dhe jonormale për popullsinë e Kosovës, të cilët me shekuj luftuan për çlirimin e vendit.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka thënë për KosovaPress se vizita e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi tek varrezat e serbëve të vrarë është fyerje për shqiptarët dhe luftëtarët e UÇK-së, të cilët luftuan për çlirimin e vendit.

“Ne e shohim si një veprim të gabuar për shumë arsye, sepse ne nuk e dimë qëllimin e tij se pse po i bënë këto vizita, për qëllimet e tij personale apo për diçka tjetër, apo nga kush është i shtyrë t’i bëjë këto vizita, mirëpo, ne po e shohim si një veprim të gabuar sepse në njëfarë forme po i ofendon të gjitha ato viktima civile shqiptare dhe po na ofendon neve si ushtarë të UÇK-së, dhe gjithë dëshmorët e kombit duke e parë se këto vizita po bëhen në vendet ku pikërisht janë serbët që kanë bërë krime, gjenocid dhe kanë plaçkitë këtë popull, e kanë dëmtuar këtë popull dhe thjesht e shohim këto ngjarje që kanë ndodh aty, këto pllaka ku shihet mbishkrimi ku thotë se janë vrarë nga terroristët shqiptarë, njëfarë lloj argumenti po i jep vet presidenti i shtetit se momentin kur përkulet para tyre se shqiptarët paskan qenë kryes i tyre”, ka thënë ai.

Qeriqi ka deklaruar se kjo vizitë është edhe më e turpshme për faktin se Thaçi asnjëherë nuk ka gjetur kohë t’i vizitojë dy dëshmorët të cilët e kanë humbur jetën në betejën e 14 dhjetorit 1998.

Edhe sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se kjo vizitë përveç që është jonormale, është edhe e dëmshme për vendin.

“Vizitën e presidentit Thaçi nëpër këto varreza e konsiderojmë që është, përveç që është jonormale, është e dëmshme edhe për të ardhmen e vendit tonë për arsye se në ato pllaka ku ai i viziton së pari nuk dihet se kush i ka vrarë ata njerëz sepse serbët kanë qenë gjithmonë të parapërgatitur që vrasjet t’i bëjnë edhe vet siç është rasti Panda në Pejë, shembull që i kanë bërë vrasjet vet e para dhe e dyta duke e ditur që në ato pllaka shkruan që këta njerëz janë vrarë nga terroristët shqiptarë dhe agresioni i NATO-së në kohën kur ky vet ka thënë që Serbinë do ta akuzojmë për gjenocid, le që është e paarsyeshme por për mendimin tonë është edhe e turpshme dhe nuk është mbet asgjë tjetër veç t’i themi edhe kërkoj falje Serbisë që luftën e kemi bërë kundër saj dhe i kemi vrarë disa njerëz”, është shprehur ai.

Kurse, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, tha se kushdo që i viziton dhe i nderon serbët e vrarë në Kosovë e ka gabim, pasi në Kosovë, UÇK ka qenë ajo që ka bërë luftë të pastër për çlirimin e vendit, derisa serbët kanë qenë ata të cilët kanë tentuar ta pushtojnë dhe ta mbajnë të robëruar këtë vend.

Presidenti Hashim Thaçi, para disa ditëve ishte në vizitë tek memoriali i 14 serbëve të vrarë në fshatin Grackë të Lipjanit, prej ku ka thënë se “Sot lutem me dhimbje dhe shpreh edhe një herë keqardhje për të gjitha viktimat gjatë dhe pas luftës, të të gjitha komuniteteve. Çdo krim duhet të zbardhet dhe të ndëshkohet. Krimi është krim kundër kujtdo qoftë të jetë bërë apo nga kushdo qoftë që është kryer”.

Ai po ashtu kishte deklaruar se: “Të gjithë kemi përgjegjësi të punojmë në këtë drejtim. Kemi përgjegjësi para familjeve të tyre dhe të ardhmes së fëmijëve tonë. Ne duhet ta ndihmojmë njeri-tjetrin. Dhimbja e çdo nëne është e njëjtë për humbjen e familjarëve të vet”.

Kohë më parë Thaçi ishte edhe në Gorazhdec të Pejës ku kishte nderuar dy fëmijë të vrarë në vitin 2003 dhe 14 kriminelë serbë të vrarë në luftë me UÇK-në dhe nga bombardimet e NATO-së. Në atë kohë Hashim Thaçi ishte udhëheqës i luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.