BESA shpalosë të palarat e BDI – së lidhur me drejtësinë dhe kulturën

Gjatë ditës së sotshme, Lëvizja BESA ka ripërsëritur qëndrimin se për ta zgjidhur krizën politike në Maqedoni nuk mjafton vetëm me Prokurori Speciale Publike, porse duhet detyrimisht edhe Gjykatë Speciale.

Sipas kësaj Lëvizje, kjo po dëshmohet me sabotimet që ua bën Gjykata Themelore Shkupi I – Shkup rasteve të ngritura nga Prokuroria Speciale Publike.

“Duke pasur parasysh se kjo gjykatë ka dy sektorë (të krimit të organizuar dhe të krimit të përgjithshëm) dhe më shumë 10 gjykatës, por asnjë shqiptar, kjo na jep të drejtë të pyesim se me çfarë kriteri është bërë përzgjedhja e këtyre gjykatësve aty dhe si ndodhi që aty të mos ketë asnjë shqiptar? Si e kupton ky sistem i drejtësisë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të komuniteteve derisa pikërisht aty ku ndahet drejtësia ushtrohet padrejtësi?”, ka shtruar pyetjet publike Lëvizja BESA.

Kjo Lëvizje ka ndërmendur se në përgjimet e publikuara dëgjuam se ministri shqiptar i Drejtësisë shumë herë ka ndikuar në caktimin e gjykatësve dhe ka ngritur çështjen nëse është ky edhe vullnet i BDI-së, si dhe nëse BDI-ja është në vijën e njëjtë të VMRO-DPMNE-së për sabotimin e punës së Prokurorisë Speciale Publike, sidomos kur mund të mirret parasysh se deputetët e saj ishin kundër zgjatjes së mandatit të PSP-së, gjë që përkon me frymën e gjykatës që e bllokon punën e Prokurorisë Speciale Publike.

Lëvizja BESA, gjithashtu ka reaguar edhe lidhur me padrejtësitë që po bëhen në rastin e Teatrit Shqiptar të Shkupit.

“Përderisa Shkupi ndërtohet e mbindërtohet me objekte kulturore, pallate, muze e përmendore madhështore, që kushtojnë miliona euro, për qytetarët e rendit të dytë, siç i ka kategorizuar shqiptarët çifti VMRU-BDI, mund të lejohet vetëm një rikonstruksion i vockël i të vetmit tempull  kulturor shqiptar në Shkup. Kështu duket qartë se sa e vlerëson, çmon dhe kultivon partia në pushtet kulturën shqiptare në Maqedoni. Në të vërtetë, edhe pse ka ngjarë një vit vonesë prej afatit të caktuar për përfundimin e rindërtimit të Teatrit Shqiptar në Shkup, ping-pongu i VMRO- së vazhdon dhe puna është shumë larg finalizimit. Për këtë arsye Lëvizja BESA reagon ashpër dhe apelon deri te institucionet kompetente që ta përshpejtojnë punën administrative, që thuhet se është shkaku i vonesës së përfundimit të punëve dhe kështu t’u mundësohet aktorëve të këtij teatri që ta shprehin kreativitetin e vet, në mënyrë që kjo tragjikomedi të marrë fund”, thuhet në reagimin e kësaj Lëvizje.

Duke e vlerësuar rëndësinë e zhvillimit kulturor të qytetarit shqiptar, Lëvizja BESA në platformën e saj i ka kushtuar vëmendje të veçantë ndërtimit të teatrove në të gjitha vendbanimet shqiptare, krejt kjo me synimin që edhe shqiptarët e Maqedonisë të mund të jenë të barabartë në zhvillimin kulturor të qytetarëve të vendit.