“Beteja e ashpër e Serbisë për Kosovën-në gusht”

Ministri i Punëve të Jashtme serbe, Ivica Daçiq, deklaroi se në gusht do të kemi një betejë që seancat e KS të OKB-së për Kosovën të vazhdojnë edhe më tej, siç është bërë deri më tani.

Ai, në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme në Parlamentin e Serbisë, deklaroi se Ministria e Punëve të Jashtme, në 6 muajt e shkuar ka punuar që të ruhet integriteti territorial i Serbisë, për integrime evropiane dhe përparimin e bashkëpunimit me shtetet fqinje, bëjnë të ditur mediet serbe.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, shtoi se në gusht pritet të jetë një betejë e ashpër lidhur me seancat në KS të OKB-së për Kosovën, transmeton RTK.

Sipas tij, “ekzistojnë synime që në Kosovë të përfundojë mandati i UNMIK-ut, që seancat e KS të OKB-së të ndërpriten ose të mbahen me dyer të mbyllura”.

”Kjo për ne është e papranueshme. Të shohim se si do të vijojnë gjërat. Në maj nuk kishte probleme, por në gusht mund të vështirësohen gjërat, ngase kryesinë e merr Britania e Madhe, që, me gjasë, do ta marrë këtë nismë, prandaj mbetet që të vazhdohet beteja për këtë”, deklaroi Daçiq.

Lini Një Koment