Biftek viçi, sallata me mish pule e Coca-Cola zero, këto janë shumat që Ahmeti shpenzoi për dreka

Me mijëra euro janë shpenzuar edhe këtë vit për dreka zyrtare nga komunarët e Prishtinës. Rreth 4 mijë e 500 euro është shuma e parave që janë shpenzuar për dhjetë drekat zyrtare që janë organizuar nga i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. Dreka që ka kushtuar më së shumti ka qenë ajo për Ditën e Gruas, 8 Marsin, për të cilën janë shpenzuar 1 mijë e 200 euro. Ushqimet kryesore që janë servuar në këto dreka janë rizoto me fruta, biftek viçi dhe sallata me mish pule, derisa prej pijeve kryesore është edhe e preferuara e Ahmetit, Coca-Cola Zero, shkruan Gazeta Express.

Hera e parë kur ishte bërë publike se pija e preferuar e Shpend Ahmetit është Coca-Cola Zero, ishte marsi i 2017-ës, kur ishte fotografuar në jahtin milionësh të Devollëve.

Por, që prej atëherë shija e të parit të Prishtinës nuk ka ndryshuar. Ai edhe sot e kësaj dite duket se vazhdon ta konsumojë këtë pije.

Së paku, kjo është pija që figuron në pothuajse gjithë faturat e pagesave për dreka/darka zyrtare për periudhën janar-qershor 2018 të Komunës së Prishtinës, ku ishte pjesëmarrës edhe Shpend Ahmeti.

E përveç pijeve, në këto fatura janë bërë të ditura edhe ushqimet që i ka në qejf kryetari i Prishtinës, dhe zyrtarët e tjerë komunalë.

Rizoto me fruta, biftek viçi e sallatat me mish të pulës, janë ushqimet që zakonisht i kanë ngrënë zyrtarët komunalë në dhjetë drekat e darkat që janë organizuar nga Ahmeti.

Gjithë këto dreka e darka i kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 4 mijë e 500 euro.

Në bazë të faturave që janë publikuar nga vetë komuna, më së shumti para po del të jenë shpenzuar për drekën e organizuar për Ditën e Gruas, tetë Marsin. Vetëm atë natë, nga kuleta e Komunës janë derdhur 1 mijë e 200 euro.

Shpenzime të mëdha po del të jenë bërë edhe për iftarin që i pari i kryeqytetit kishte shtruar për punonjësit e komunës. Në këtë iftar ishin të ftuar 80 shërbyes civilë, ushqimi i të cilëve i kushtoi buxhetit 720 euro.

Buxhetin po del ta kenë rënduar paksa edhe drekat që ka shtruar Ahmeti me rastin e organizimit të Unionit të Komunave Shqiptare të Rajonit.

Për vetëm dy dreka të tilla janë shpenzuar më shumë se 1 mijë euro. Gjithë këto të dhëna mbi faturat e paguara i ka publikuar vetë Komuna e Prishtinës.

Ndërkaq, krahasuar me shpenzimet për dreka të vitit të kaluar, shihet se ka rënie të shpenzimeve. Prej më shumë se 47 mijë euro sa ishin harxhuar për këtë qëllim në 2011, tani kjo shifër ka rënë në më pak se 30 mijë.

Ndonëse edhe shuma e parave që ishin harxhuar vjet nuk është e vogël. Vetëm për dreka zyrtare nga kryeqyteti vitin e kaluar ishin shpenzuar rreth 28 mijë euro.

Për periudhën 12-mujore, sipas raportit financiar të vitit 2017 të Komunës së Prishtinës, administrata komunale e Prishtinës kishte shpenzuar në total 28,137 euro për dreka zyrtare brenda dhe jashtë vendit, ndonëse ishin paraparë të shpenzoheshin 25 mijë euro.

Ndryshe, shpenzimet komunale për dreka zyrtare të kryetarit Shpend Ahmeti dhe zyrtarëve të tjerë komunalë për tri vitet e fundit shkojnë deri rreth 100 mijë euro.

 

Lini Një Koment