Dita kur Shpend Ahmeti u dorëzua para mafias

Xhevdet Pozhari
Vinte në drejtim të komunës së Prishtinës i buzëqeshur, si rëndom. I vetëdijshëm se qytetarët e vlerësojnë një kryetar që reflekton pozitivitet dhe dashamirësi, Shpend Ahmeti e kishte zotëruar mirë artin e aktrimit. Disa thonë se për këtë meritor është edhe babai i tij i ndjerë, aktori Ali Ahmeti që dikur e merrte përdore në shfaqje të shumta teatrale. Sidoqoftë, atë pasdite, buzëqeshja iu ngri në fytyrë!
– Shpend, Liburni e rrahu një asamblesit të PDK -së, i thashë kur e takova në hyrje të Komunës, derisa vija nga restoranti ku kishte ndodhur zënka.
– Si, qysh, çka…, tha me një zë të mekur, derisa shqetësimi e mbërtheu dhe më nuk arrinte të shqiptonte drejtë fjalitë.
– Asgjë, serioze – i thashë, më tepër për ta qetësuar. Vetëm nja dy shpulla të nxehta ia kish dhënë.
– U.. u…, unë jam kundër dhu… dhunës, tha.
– Krejt jemi kundër dhunës, por pas mbledhjes së kuvendit i kishte thënë Liburnit, hajn!, – thashë pa të keq. Ishte koha kur të gjithë besonim se vërtetë mund të kontribuuonim duke dhënë nga vetja jonë diçka për të mirën e përgjithshme. Prandaj, edhe nuk kisha menduar dy herë që të jem pjesë e një ekipi që donte të paraqiste një shembull se me vullnet të mirë dhe me sakrificë, gjithçka ishte e mundur!
Për ju që dëshironi ta keni më të qartë ngjarjen, bëhej fjalë për periudhën kur mafia e ndërtimit kishte filluar me çdo kusht ta luftojë rregullin që kishte filluar të vihej në kryeqytet në muajt e parë të qeverisjes së re. Asokohe edhe Shpend Ahmeti ishte kërcënuar me likuidim. Madje, ishte shpallur edhe kryetari më i guximshëm. Por, së shpejti mafiozët e ndërtimit do ta kuptonin se një emër tjetër ishte arrë e fortë që nuk thyhej, andaj shpejt do të ndryshonin strategji. Ngjarjet e mëvonshmë do ta ilustronin më së miri këtë realitet: mediat do të kumbonin me titujt që kërkonin dorëheqjen e ish drejtorit të urbanizmit, Liburn Aliu, ndërsa Shpend Ahmeti do të fotografohej në jahte. Gradualisht, Liburn Aliu do të detyrohej mos të merrte pjesë në mbledhje të kuvendit komunal, ndërsa Shpend Ahmeti do ta shfrytëzonte këtë situatë për ta kërkuar votën e asamblesë në të ardhmen.
Ky ishte edhe momenti që do të zbërthente thelbin e përplasjeve të ashpra në mbledhjet e mëngjesit midis Liburn Aliut dhe ish FER-istëve, gjë që do të shpaloste edhe arsyen se pse Shpend Ahmeti dhe grupi i tij nuk e pranonin me asnjë kusht si kryetar koncensual të Lëvizjes Vetëvendosje, njërin prej themeluesve të saj, Liburn Aliu. Ata e kërkonin Glauk Konjufcën. Nëjtë si krimbi që bren drurin e shëndoshë, tentakulat e tyre ishin shpërndarë gjithandej Lëvizjes Vetëvendosje, – kushtëzimi me një vend pune i aktivistëve të kësaj organizate politike, ishte vetëm një prej metodave. Jo rastësisht, komuna e Prishtinës ishte rekordmene për kontratat mbi vepër dhe shumica e punësimeve thuhej se bëhej me direktivë të Dardan Molliqajt.
Por, të kthehemi tek ajo ditë, kur Shpend Ahmeti u shtang. Përballë kishte drejtorin më të fuqishëm në komunë, njëkohësisht edhe më të pakompromis ndaj krimit. Ahmeti e njihte kokëfortësinë e Liburn Aliut kur bëhej fjalë që të mos lëshojë pe për ndërtime pa leje apo me leje të dyshimta. Kjo luftë po ia harxhonte nervat të parit të komunës. Si njeri që parapëlqente kompromiset, Ahmeti nuk gjente gjuhë të përbashkët me drejtorin që kishte vënë në vëzhgim të rreptë procesin e lëshimit të lejeve. Por, në opinion ishte një betejë që duhej zhvilluar dhe në aksion u lëshua “playmakeri” favorit i Shpendit, nënkryetari i asokohshëm, Dardan Sejdiu. Për Sejdiun, nuk ishin me rëndësi argumentet, e rëndësishme ishte shfrytëzimi i hapësirës mediatike dhe kthimi i situatës në favor të interesave të grupit “elitar” që asokohe ekzistonte brenda Lëvizjes Vetëvendosje. Si mur mbrojtës ndaj sulmeve kishin vënë Liburnin. Mediat kërkonin “kokën e tij”, ndërsa ata do të paraqiteshin si mbrotës, pavarësisht se sulmet u bëheshin nga batakçinj mediatikë, kryesisht të afërt me ish FER-istët e djeshëm, social – demokratët e ardhshëm. Shënjestra e radhës ishte Xhelal Sveçla, njeriu që po operonte në kryeqytet me minimunin e inspektorëve. Shpend Ahmeti nuk ia nënshkruante asnjë kërkesë për rritjen e stafit, pavarësisht se gjysma e më tepër e ish inspektorëve komunal po gjykohej, e më pas do të dënohej për ndërtimet pa leje. Madje, ish drejtori i inspekcionit po e humbte betejën edhe për gjëra më të thjeshta, siç ishte buxheti për mbulimin e gropave të rrezikshme, kërkesa këto që kryetari i komunës ia zvarriste pafundësisht, deri në ditën kur edhe ndodhi tragjedia me fëmijët që humbën jetën. Ky ishte edhe momenti kur ish drejtori i pathyeshëm i inspekcionit, u copëtua shpirtërisht. Ai e dinte se mund të luftonte pafund me mafian e ndërtimit, por kurrë nuk mund ta fitonte luftën me frikën e atij që ishte vënë në krye të komunës, si tullumbace që Vetëvendosje vetë e kishte fryer.
Telashet e Xhelal Sveçlës dhe Liburn Aliut i kishin pasur thuajse të gjithë drejtorët veç e veç. Andaj, jo rastësisht,   ata dhe të tjerët, Arben Vitia, Arbërie Nagavci, Fitore Pacolli, Saranda Bogujevci, Hysen Durmishi do të viheshin në anën e të drejtës së Albin Kurtit për të qenë kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje. E, Kurti e dinte qëmoti që bashkëpartiaku i tij donte ta zbuste Vetëvendosjen. Njëjtë sikurndërse e dinte se bashkëpunimi i Vetëvendosjes me Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn ishte rezultat i presionit të atyre që gradualisht, por sigurtë, me intriga, po vendosnin për fatin e Vetëvendosjes. Fotot e të parit të komunës në jaht, ishin veç një simbolikë e tërë asaj që kishte ngjarë gjatë viteve të qeverisjes së Shpend Ahmetit në emër të Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk ishte e rastit që të njëjtat kompani që kishin fituar tenderë milionësh, vazhdonin të mbanin monopolin në Komunën e Prishtinës. Ndërsa miqtë milionerë të Shpend Ahmteti po bëheshin gjithnjë e më të dukshëm.
Albin Kurti duhej ta ftonte në sfidë të brendshme njeriun që ishte mërzitur duke qenë i dyti brenda subjektit që synonte ta liberalizonte, demokratizonte. Ndërsa, si veprim “demokratik” kishte përzgjedhur mohimin e të drejtës elementare që një tjetër të garonte! Dhe këtë e bënte me dinakëri, duke ndërsyer të tjerët që më pas vet të kishte shtegdalje, apo edhe të viktimizohej. Vazhdimin e dini të gjithë, Shpend Ahmeti nuk arriti t’i tejkalojë ambiciet e tij për të mirën kolektive. Madje, u frikësua edhe ta sfidojë Albin Kurtin. Dhe jo pa të drejtë!
Sot i pari i Komunës së Prishtinës është i lirë ta shfaq fytyrën e vërtetë, i papenguar nga askush. Sot, ai ka të drejtën dhe lirinë e koalicioneve me të gjithë që do t’ia siguronin një copë pushtet. Kështu veproi edhe kur nisi politikën, edhe kur u bë pjesë e Vetëvendosje me shpresën se do të bëhej kandidat për kryeministër, e kështu vepron edhe tani kur haptazi takohet dhe merr përkrahjen e atyre që dikur lemeritej se si mund të grushtoheshin. Ky është Shpend Ahmeti dhe grupi i tij: të verbuar nga ambicia për pushtet, në kërkim të pasurimit të ngutshëm, madje edhe nëse iu duhet të shkelin mbi çdo parim që kanë pretenduar se e zotërojnë – ngase demagogët njohin vetëm gjuhën e mashtrimit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme