Dosja e Shefave XVI: Ndërhyrja e Grabovcit kërkohej edhe për statusin e veteranit të UÇK-së

Tri biseda të reja të Adem Grabovcit, me persona të paidentifikuar, dëshmojnë fuqinë e tij që kishte mbi secilin institucion gjithandej Kosovës. Grabovci me strukturën e tij politike, ishte autoritet dhe kriter i vetëm që dikush të vendosej aty ku i konvenonte partisë. Përveç kësaj, Grabovci kishte autoritet të vendoste edhe për statusin e veteranit të UÇK-së. Kjo dëshmohet me serinë e XVI-të të përgjimeve telefonike.

Pos për caktimin e njerëzve nëpër të gjitha bordet e ndërmarrjeve në gjithë Kosovën, Adem Grabovci kishte fuqi për të vendosur edhe për statusin e veteranëve.

Një bisedë telefonike me një person të paidentifikuar, Grabovci e udhëzon t’i dorëzojë dokumentet për status të veteranit të UÇK-së, pasi atij i kërkohej ndihmë për ta bërë një gjë të tillë.

Bashkëbiseduesi i shpreh shqetësimin Grabovcit se në Deçan nuk po ia pranojnë statusin. Garanton se do të merret me këtë çështje.

Kjo bisedë telefonike të cilën e sjell Insajderi, bashkë me dy tjera me persona jo publik, dëshmon për manipulimin me listat e veteranëve. Numri i veteranëve me lista zyrtare të verifikimit ka arritur mbi 50 mijë, derisa me listat e pasluftës të nënshkruara nga vetë ish-komandanti, Agim Çeku, numri i veteranëve ishte rreth 17 mijë.

Shumëfishimi i listës së veteranëve, ka ndikuar që Kosova të rrezikohet nga një krizë buxhetore dhe t’i rrezikojë raportet me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Në këto tri biseda që sjell Insajderi në serinë e XVI-të, Grabovci rikonfirmon fuqinë e tij dhe të PDK-së për të vendosur për gjithçka.

Grabovci, flet në këtë bisedë për Valonin, një person që e kishte vendosur në një bord në Rajonin e Dukagjinit. Për këtë person kishte folur edhe me Ismetin, i cili e këshillonte Grabovcin që të vendoste njerëzit e tij, në ndërmarrjen e Radoniqit e cila kishte tre milion euro të hyra vjetore. Biseda është publikuar në serinë e XIII-tëDosjes së Shefave.

Biseda tjetër flet për një bord në Prizren. Grabovci dhe bashkëbiseduesi flasin për një person me mbiemrin Basha, të cilin e konsiderojnë të tyre dhe se puna është e kryer.

Për këtë çështje, Grabovci kishte udhëtuar në Prizren.

“Atë Bashën, që e kem pa…”, thotë Grabovci.

“ E ki t’garantume ata, ski çka aty…”, ia kthen bashkëbiseduesi.

“E çka m’thanë, çka m’thanë, çka m’thanë jo po përsëritet a s’di çka…”, vazhdon Grabovci.

“S’ka shansa, s’guxon kërkush me përsëritë ata…, se ajo u kry procedura, veç me e intervistu… Po, po, veç, veç kur të thrrasin n’intervistë… Jo, ata, atë tjetrën, ata për atë…, qata që ke than, Hajrinin ke thanë, atë ajo anulohet…”, thotë bashkëbiseduesi.

Grabovci, i thotë bashkëbiseduesit që ta kthejnë këtë person me emrin Hajrin dhe mos ta ngucin.

“Hajrinin, ma ktheni! Mos ma ngucni Hajrinin”, urdhëron Grabovci.

Bashkëbiseduesi e garanton Grabovcin se Hajrini nuk do të ketë asnjë telashe.

“Jo, Hajrini dihet. Hajrini vjen n’vend pune, aty ai shkon. Shumë djalë i mirë, me t’vërtetë qaj Basha, që the ti”, shton bashkëbiseduesi.

Ndërkohë, biseda vazhdon për Nehatin. Bashkëbiseduesi thotë se i duhej dikush i fortë siç ishte Nehati.

“Po edhe se na duhet qaty, me kanë dikush i fortë, i mirë”, shton bashkëbiseduesi.

“Okej, u bo shoqit…”, konfirmon Grabovci.

Në bisedën e dytë që sjell Insajderi, Grabovci flet me një person të cilin e këshillon të konkurrojë në tri vende, përfshirë Bordin e Hekurudhave. Paraprakisht në krye të kësaj ndërmarrje, kishin vendosur ta emëronin, Agron Thaçin nga Vitia.

Pasi e pyet Grabovci, bashkëbiseduesin se çka ka të re, ai i raporton se i ka kryer procedurat e konkurrimit siç e kishte udhëzuar Grabovci.

“Qatje i kom kry, qato që t’pata thanë”, i thotë Grabovcit, ai.

“Edhe qata dashta me e marr konfirmimin prej teje a osht, se ktu mo s’i qita hiç se…”, thotë bashkëbiseduesi, i cili paraprakisht kishte pasur një pozitë të lartë në ndërmarrjet publike, por donte ndërrim të vendit të punës.

“N’kta, ktu s’i kom qit, veç, veç, n’qata që t’pata thanë. A je i lirë sot a mujm mu taku”, e pyet Grabovcin, ai.

“Po qiti ti, qiti nja dy vena.., qaty n’et qillojnë. Na po fokusohem qikha ku… Ku m’ki thanë ti, e tani, bisedojmë bashkë”, udhëzon Grabovci.

“Ani, ani pra ta boj. E n’kta, n’kta ku jom kon si kom qit hiç. Tri i kom qit nalt atje… N’qata, qata që t’kom thanë edhe n’Hekurudha”, vazhdon bisedën ky person.

“Ëhë, ëhë…, okej, hajde, hajde, bisedojmë”, thotë Grabovci.

Ish-shefi i Shefave, Adem Grabovci në bisedën e tretë që sjell Insajderi, flet me një person tjetër. Ai thotë se ka dy oferta për Valonin, për dy borde. E porosit bashkëbiseduesin që të flas me Valonin, se ku dëshiron të sistemohet, sepse siç thotë ai, këtë mund ta bëjë pa asnjë problem.

“… ej, ai Valoni, a osht i interesum, kshtu a ka interes t’veçantë dikun, apo n’cilin t’bahet”, e pyet, Grabovci, bashkëbiseduesin.

“Jo, n’cilin t’bahet, ose n’tujrave ose n’kto, ku t’bjen n’to, n’dyjat ai ka konkurs”, sqaron ky person i paidentifikuar.

“Pyte, pyte, nëse ka qef ma t’veçantë diçka, le, le tum tregon… mu ba, bahet”, garanton Grabovci.

“Ani pra, se shihemi nesër prama edhe t’kallxoj, a u bo”, thotë bashkëbiseduesi.

Ndërkohë, biseda vazhdon për një person nga Restovicë e Deçanit që do të aplikonte për statusin e veteranit.

“Hej, shef…, e për ata, për veteran, për atë nipashin a ke mujt naj sen, jo a? Për ata t’Rostovicës që tha i kom dorëzu dokumentat”, pyet bashkëbiseduesi.

“Për çka”, thotë Grabovci.

“Për veteran i luftës që ka qenë. Me ju pranu…”, sqaron ai.

“Le t’i merr dokumentat ai… ai le ti merr dokumentat, le t’i çon n’shoqatë atje, tyben as s’jom marrë me to”, udhëzon Grabovci.

“Po, po i ka dorëzu krejt, po mos pi hjekin kta Deçani, naj sen tha. Ku me ditë a i kanë çu ata”, thotë bashkëbiseduesi.

 

Biseda e parë

Grabovci: Alo.

X: Adem, m’ke thirrë?

Grabovci: Po, pak ma herët.

X: Po, se kom ni, jom kanë n’kerr.

Grabovci: N’Prizeren.

X: Po?

Grabovci: Atë Bashën, që e kem pa…

X: E ki t’garantume ata, ski çka aty…

Grabovci: E çka m’thanë, çka m’thanë, çka m’thanë jo po përsëritet a s’di çka (nuk kuptohet)…

X: S’ka shansa, s’guxon kërkush me përsëritë ata…, se ajo u kry procedura, veç me e intervistu.

Grabovci: Po a?

X: Po, po, veç, veç kur të thrrasin n’intervistë.

Grabovci: Ëhë…

X: Jo, ata, atë tjetrën, ata për atë…, qata që ke than, Hajrinin ke thanë, atë ajo anulohet…

Grabovci: Hajrinin?

X: Se Hajrini (nuk kuptohet)…

Grabovci: Hajrinin…

X: Hajrini (nuk kuptohet)

Grabovci: Hajrinin, Hajrinin, ma ktheni, mos ma ngucni Hajrinin.

X: Jo, Hajrini dihet. Hajrini vjen n’vend pune, aty ai shkon, shumë djalë i mirë, me t’vërtetë qaj Basha, që the ti.

Grabovci: Nehati.

X: Po edhe se na duhet qaty, me kanë dikush fort i mirë.

Grabovci: Okej, u bo shoqit..

X: Qishtu shefi.

Grabovci: Haj, niherë se shihum.

X: Shihem. Tung, tung.

Grabovci: Hajt, hajt.

 

Biseda e dytë

Grabovci: Alo.

X: Tungatjeta.

Grabovci: Edhe e jotja.

X: A jeni, a si je a?

Grabovci: Qe gjallë. Si je ti?

X: Mirë.

Grabovci: Ça i ki puntë?

X: Nom bre mirë.

Grabovci: A je lodh?

X: Jo bre qishtu kapak.

Grabovci: Ka je kshtu?

X: Valla, kah Peja qiknej, menova me dal kah Prishtina. Qysh je ti, a çka po bon a?

Grabovci: Mirë, mirë, nuk o keq, qishtu.

X: Ka je kon do ditë?

Grabovci: Paj, n’Bruksel, e n’Romë, do takime i kem pas, nifarë delegacioni.

X: Ani, ani.

Grabovci: Ti?

X: Që, unë qishtu.

Grabovci: Ça ka tre ka ti?

X: Qatje i kom, kry, qato që t’pata thanë.

Grabovci: Ëhë…

X: Edhe qata dashta me e marr konfirmimin prej teje a osht, se ktu mo s’i qita hiq se (nuk kuptohet)

Grabovci: Qysh?

X: N’kta, ktu s’i kom qit, veç, veç, n’qata që t’pata thanë. A je i lirë sot a mujm mu taku?

Grabovci: Kqyri mos po…, se unë qata t’thash mos je ksajde, mos po shkoj për kha, në Prevallë, t’hamomit, e kem nifar…

X: Aha…

Grabovci: Po qiti ti, qiti nja dy vena, (nuk kuptohet) qaty n’et qillojnë. Na po fokusohem qikha ku…

X: Po…

Grabovci: Ku m’ki thanë ti, e tani, bisedojmë bashkë.

X: Unë, për nja ni orë e gjysë muj me kanë atje, po ti sigurisht nashta ki naj punë.

Grabovci: Sidoqoftë, sidoqoftë, ti ma bon ni telefon.

X: Ani, ani pra ta boj. E n’kta, n’kta ku jom kon si kom qit hiç. Tri i kom qit nalt atje.

Grabovci: Ëhë…

X: E, n’kta.

Grabovci: Ku i ke…?

X: N’qata, qata që t’kom thanë edhe n’hekurudha.

Grabovci: Ëhë, ëhë…, okej, hajde, hajde, bisedojmë.

X: U bo. Hajde po dal pra anej.

Grabovci: Okej.

X: Hajde shihemi

Grabovci: Çao çao.

X: Tung.

Biseda e tretë

X: Alo.

Grabovci: He mar mar mar edhi i dreqit, fol pak ma, s’ke hangër bukë a?

X: Jo, hangra, hangra, valla.

Grabovci: Ka je?

X: Qe, qitu n’banesë, te unë, ti?

Grabovci: Qe n’banesë edhe unë.

X: Çka po bon, a qysh po ja kalon a?

Grabovci: Vallain, kurgjo qitu t’u nejt, n’banesë.

X: Po, a? Mirë shumë, se kishe pas aktivitete sot n’Kuvend, boll.

Grabovci: Ë…?

X: Punë kishi pas, n’Kuvend boll.

Grabovci: Po o bre palidhje, ej, ai Valoni, a osht i interesum, kshtu a ka interes t’veçantë dikun, apo n’cilin t’bahet?

X: Jo, n’cilin t’bahet, ose n’tujrave ose n’kto, ku t’bjen n’to, n’dyjat ai ka konkuru.

Grabovci: Pyte, pyte, nëse ka qef ma t’veçantë diçka, le, le tum tregon… mu ba, bahet.

X: Ani pra, se shihemi nesër prama edhe t’kallxoj, a u bo?

Grabovci: Okej, bon.

X: Hej, shef…

Grabovci: Ha…

X: E për ata, për veteran, për atë nipashin a ke mujt naj sen, jo a?

Grabovci: Për… çka, për veteran?

X: Për ata t’Rostovics që tha i kom dorëzu dokumentat tha …

Grabovci: Për çka?

X: Për veteran i luftës që ka qenë. Me ju pranu…?

Grabovci: Le ti merr dokumentat ai… ai le ti merr dokumentat, le t’i çon n’shoqatë atje, tyben as s’jom marrë me to.

X: Po, po i ka dorëzu krejt, po mos pi hjekin kta Deçani naj sen tha. Ku me ditë a i kanë çu ata.

Grabovci: Ëhë…

X: Qeshtu. Nejse hajt se nesër dal prej pramjes edhe shihemi edhe bisedojmë.

Grabovci: Hajt.

X: Hajt pra. Hajde tung tung./Insajderi.com

(Në transkriptim të bisedave mund të ketë lëshime të vogla teknike).