Edhe Lutfi Haziri me skandal: E punësuara e falenderon publikisht !

Sakte.net

E diel, 14 Gusht 2016 09:25

 

Shkruan: Avni Rudaku

– Jemi në kohën e skandaleve masive të punësimeve të paligjshme, punësimeve korruptive, punësimeve nepotiste, punësimeve partiake, punësimeve me lloj-lloj favoresh të tjera, që nuk listohen si kritere profesionale e ligjore për kandidatët. Përgjimet e publikuara të Grabovcit me rrethin e tij, tregojnë se si një grusht i vogël individësh përcaktojnë krejt rrjedhën e pozitave publike në nivelin qendror e komunal, rrjedhën e parasë publike dhe krejt jetën tonë publike. Të gjitha tashmë po i shohim me sytë e tanë, po i dëgjojnë me veshët tanë, po i nuhasim me hundët tona dhe po e kuptojmë se deri ku është kapur shteti nga grupet partiake. Mirëpo, fati i Grabovcit që ishte pjesë e procesit të dyshimit rreth aferave në ish ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit, bënë që të tregohet vetëm ‘fytyra e Grabovcit, ambasadores në SHBA, kryetarit të Kuvendit, presidentit…”, e jo edhe të fytyrave të tjera publike me pushtet ekzekutiv, gjyqësor e legjislativ.

 

Po harrojmë se të fuqishmit janë duke e përcaktuar kudo çdo punësim dhe po u bënë përgjimet edhe për partitë e tjera me pushtet përveç PDK-së, do të dalin po ashtu edhe tek ato skandale të punësimeve të paligjshme, nepotiste, militante, e tjerë e tjerë, e sidomos përgjegjësia kryesore bie në koalicionin e madh me dy partitë më të mëdha në vend, sepse përgjegjësia direkt lidhet me shkallën e pushtetit. Po të përgjohen të gjithë, do të dalin mëkate që do t’i kishte vështirë t’i falte edhe Zoti! Pavarësisht se në krye të kontrollit të shtetit kemi PDK-në, pasi që kontrolli varet nga forca politike në vend dhe mekanizmat e tjerë të fshehtë që krijojnë partitë politike, dhe se nuk mund të relativizohet mëkati i partisë më të madhe në pushtet me mëkatet a shkeljet e partive të tjera më të vogla, edhe partia e dytë në vend që është në koalicion me PDK-në, LDK-ja, vazhdon të njëjtën logjikë të ndërhyrjeve politike në punësim. Skandali më irritues vjen kur kandidatja e punësuar me ndërhyrjen e kryetarit të komunës së Gjilanit, z. Lutfi Hazirit, falënderon atë publikisht në faqen e saj personale të fejsbukut, për ndihmën e dhënë në punësimin e saj.

 

Unë kur e pashë, më vinte keq për këtë gjë! Po ashtu, duke qenë se jam mbrojtës i rreptë i të dhënave personale, ashtu sikur e përcakton ligji, ndonëse në këtë rast, bëhet fjalë për publikim të vetë personit dhe nuk cënon asgjë, përsëri ndjeva nevojën të ndërhyja krejt thjesht me një program! E mbulova me ngjyrë të zezë fotografinë e të punësuarës nga Luta, fshiva emrin dhe mbiemrin e plot duke i lënë vetëm inicialet sa për të argumentuar këtë skandal, që edhe është tragjik, po aq është edhe komik! Ju mund ta lexoni shënimin e saj, se si e falenderon kryetarin e komunës, teksa publikon para miqve, duke njoftuar se është punësuar, publikon njoftimin publik të faqes së komunës dhe falënderon edhe kryetarin e komunës së Gjilanit për këtë arritje! Ky falenderim, besoj po e dini se është për ndihmën e dhënë për punësimin e saj, duke ndërhyrë paligjshëm një kryetar komune se kush do të punësohet në konkurset publike! Pra, nuk është se Kosova drejtohet vetëm nga Grabovci, por ka shumë Grabovca, ka shumë Lutfi, ka shumë e shumë të tjerë me pushtet që po ndërhyjnë aty ku nuk duhet, atëherë kur nuk bën…

 

Unë e kuptoj ngazëllimin dhe gëzimin e të punësuarës dhe ka shumë të drejtë, sepse vërtet është bërë e vështirë jeta në këtë Kosovë edhe duke qenë i punësuar, sepse paga është mjaft e ulët karshi një standardi jetësor shumë të papërballueshëm, e lëre më pa punë fare, por të falënderon publikisht kryetarin e komunës, kjo tregon se deri ku është shtrirë normaliteti në këto punësime të paligjshme dhe që cënon barazinë në punësim të atyre që nuk trokasin në dyert e njerëzve të pushtetshëm. Aq shumë është bërë vështirë për ta gjetur një vend pune me mbi 61 përqind të të rinjve të papunë, sakaq seriozisht e kuptoj secilin gëzim të të punësuarve, por mënyra se si punësohen kandidatët me ndërhyrje politike, dhe madje duke treguar këtë edhe vetë kandidatët e punësuar me fjalët e tyre publike, tregon se deri ku është duke u shkelur e drejta e secilit kandidat për punësim.

 

Prandaj, “Pronto 2” ekziston vetëm se EULEX ka lejuar të dalin disa lloje të tilla përgjimesh për disa individë që po ashtu mund të jenë pjesë e hetimeve të Gjykatës Speciale dhe përgatitjen e opinionit publik për mosreagim, ndërsa po të lejohen edhe për njerëzit e tjerë të pushtetshëm, qoftë edhe në drejtori komunale të nivelit lokal, do të habiteni se si Grabovci është Grabovc dhe po aq Grabovca janë edhe shumica dërmuese e njerëzve të veshur me pushtet dhe krejt ndërhyrjet janë në korrelacion pozitiv me shkallën e tyre të pushtetit dhe aberracionet në karakter individësh!

 

Nuk është kjo për relativizim rasti të Grabovcit, sepse kjo çfarë ka bërë Grabovci është për të rënë krejt kjo Qeveri, Presidencë e Kuvend dhe aty nuk kam asnjë mëdyshje (madje populli jonë po më zemëron qysh nuk del në shesh me tenxhere e lugë duke bërë dingla-mingla, me kitare a çifteli, duke hedhur valle e jo gurë, pra krejt paqësisht, të kërkojnë me këmbëngulje gjer në fund, dorëheqjen e menjëhershme të presidentit, kryeministrit dhe shpërbërjen e Kuvendit, gjyqësorit, bordeve të ndërmarrjeve publike, sepse përgjimet treguan se të gjitha janë të kapura dhe duhet çkapur; në të kundërtën, ta paralizojnë krejt shtetin me zile gjer në rënien e Qeverisë, Presidencës e Kuvendit dhe të fillon një epokë e re në Kosovë, se mjaft është mjaft apo jo?!), por po them se sa ma shumë pushtet, aq më shumë mëkate e shkelje nga individët e pushtetshëm në Kosovë! Prandaj, atë që e ka bërë Grabovci, po ashtu e pafalshme është edhe mirënjohja publike që gëzon kryetari i komunës së Gjilanit nga kandidatja e punësuar nëpërmjet atij!

 

Për mua përjashto naivitetin dhe ca elemente të tjera të rëndësishme, krejt është e falshme për të punësuarit, sepse punësimi është një e drejtë dhe askush nuk duhet ta cënojë askë në të drejtën e tij e të saj për punë, madje përkundrazi, duhet të shpërblehet sa më shumë dikush që punon dhe të bëhet puna kult, admirim a adhurim në shoqëri! Mirëpo, e pafalshme në këtë rast, absolutisht është për njeriun numër një në komunë, Lutën, se si merr mirënjohje publike për ndërhyrjen e tij të paligjshme dhe jo etike, duke ia shkelur të drejtën secilit kandidat tjetër që nuk e njeh atë!

 

Po ashtu, ky skandal ku e punësuarja e falënderon publikisht kryetarin e komunës së Gjilanit që e ka punësuar atë, tregon edhe për cinizmin e disave që të thonë: “Hajt se edhe ti kishe hy në punë, po s’po ki t’njohshëm!” Dhe po harrojnë faktin se nuk është fare e vërtetë se vetëm lindesh me njerëzit e njohshëm. Nëse doni, edhe ju bëni të njohshëm, por nuk është e ndershme dhe se katër gjëra e mbajnë një personalitet të pjekur: qëndrueshmëria, integriteti, dinjiteti dhe identiteti! Rrofshin për jetë e mot të papërkulshmit edhe kur sistemi përpiqet vazhdimisht t’i poshtëron e përqesh, duke i lënë kandidatët për të bredhur nëpër konkurse dhe duke plotësuar aplikacione pa asnjë vlerë!

 

Dhe mbetet po aq e rëndësishme kritika ndaj ndjenjave të shprehura dhe mirënjohjes te populli ynë dhe naiviteti i skajshëm drejtuar politikanëve në përgjithësi: falënderon ministrin kur ia shtron rrugën, apo në rastin më komik, kur e falënderon kryetarin e komunës që e ka punësuar! O popull, ministrin e paguan ti, e nuk po ta shtron rrugën me paret e veta! Ai e ka obligim e detyrë ofrimin e shërbimeve, por jo t’i falënderohesh atij! Kaq e thjeshtë është e hangërt dreqi, apo edhe biri i dreqit, se edhe dreqi ka evlad!!! Ky skandal tregon se sa kisha të drejtë edhe në intervistën paraprake në Portalin. / 2L ONLINE