Ekspertët e Integrimeve apel partive: Mos e përdorni liberalizimin si kartë për vota

Sipas njohësve të Integrimeve, çështja e liberalizimit të vizave nuk varet aspak nga ne, por nga një numër i madh faktorësh dhe përkrahjesh nga shtetet e tjera. Kështu ata kanë kërkuar nga partitë politike që në fushatën e tyre të mos e përdorin çështjen e liberalizimit për vota.

“Liberalizimi i Vizave shpresojë që do të jetë si dhuratë në Kosovë për Krishtlindje”, këto ishin fjalët e deputetit gjerman Peter Beyer, drejtuar popullit Kosovar gjatë vizitës së tij tek ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Por, njohësit e integrimit, mendojnë që nuk mjafton vetëm përkrahja e Gjermanisë. Besnik Vasolli vlerëson përkrahjen e shtetit gjerman por sipas tij janë edhe shumë faktor të tjerë që ndikojnë ne marrjen e vendimeve për viza.

“Duhet të kemi kujdes se si i menaxhojmë edhe pritjet e qytetarëve sepse shumë shpesh në Kosovë janë premtuar data. Edhe zoti Beyer tha se nuk mund të jep data sepse ato vendime nuk i marrin liderët tonë politikë. Pra liderët duhet të kujdesshëm edhe në fushatë që mos të premtojnë në të ardhmen ndonjë datë por t’iu tregojë qytetarëve se vendimmarrja është politike”, tha për RTV Dukagjinin, Besnik Vasolli.

E Allen Meta nga Demokracia për Zhvillim tha se përveç përkrahjes së Gjermanisë për viza duhet mbështetja edhe nga shtete tjera , përcjell Telegrafi.

“Është shumë e rëndësishme të dihet se vendimi për vizat nuk mund të merret vetëm nga Gjermania pasi kemi edhe shtete tjera skeptike që janë pjesë e procesit si Franca apo Holanda, mirëpo ka shenja të mira rreth këtij procesi dhe shpresojmë që në një të ardhme të afërt do të kemi liberalizim të vizave”, tha Allen Meta.

Ata kërkojnë nga partitë politike që në fushatat e tyre mos ta përdorin Liberalizimin e Vizave si kartë për të fituar vota.

Lini Një Koment