Faleminderit njerëz të mirë që e denoncuat dhunën e policisë së Izraelit ndaj fëmijëve palestinezë! (VIDEO)

Shkruan: Xhevdet POZHARI

Nuk e kisha menduar se do të shpërndahej kaq shumë reagimi lidhur me dhunën që policë izraelitë ushtrojnë mbi gra të pambrojtura palestineze, në prani në fëmijëve që të tmerruar shohin se si ua terrorizojnë prindërit.

Me shpërndarjet ju dëshmuat se kjo botë, pavarësisht nga kush udhëhiqet, qëndron mbi humanitetin njerëzor. Mbi solidaritetin kur në pyetje janë të pambrojturit, krijesat më të pafajshme – fëmijët, të cilët janë engjëj që nuk kanë kombësi.

Kjo më risjelli në kujtesë një ngjarje të largët, kur edhe unë vetë isha fëmijë. Kohën kur regjimi policor kishte rrahur për vdekje babain tim. Na lajmëruan se kishte bërë aksident, të bindur se nuk do të mbijetojë për ta rrëfyer të vërtetën. Deshti Zoti dhe ai e përballoi atë mizori. Ende para syve kam pamjen e masakruar të tij, më fytyrë të shpërfytyruar, brinjë të thyer, eshtra të këmbëve të thyera ku ashti kishte dalë mbi lëkurë… Më përqafoi me sy të mekur. Më pati porositur që të kujdesem për familjen, si fëmija më i madh dhe me buzëqeshje mundohej të ma qetësonte mllefin… Ai nuk donte që në shpirtin tim të ngjizet urrejtja.

Me duar të pafuqishme nisa të godas policët serbë që ndodheshin në spital. Ata nuk reagonin fare! Ndjeheshin si të mpirë. Me gjasë ishin të prekur nga ajo skenë që shihnin, e që kishte ndodhur në vitin e largët, 96′.

Tre vite më vonë, erdhi momenti kur e tërë Kosova u përfshi nga flakët, u vra e u masakrua. Një prej qyteteve që pësoi më së shumti ishte qyteti im, Gjakova, ku e mbijetova tërë luftën bashkë me familje. Por, edhe në atë kohë burrat i ndanin nga gratë dhe fëmijët kur donin t’i vrisnin apo t’i merrnin peng. Edhe në atë kohë, tregohej një kujdes minimal – që fëmijët mos të pësonin.

Andaj, skena si në Siri ku fëmijët përpëliten nga gazi vdekjeprurës, apo këto si në rastin kur ata janë dëshmitarë të terrorit që ushtrohen mbi prindërit e tyre, janë jehonë për reagim njerëzor kundër kësaj kafshërie.

Babai im nuk jeton më! Por, ai pas vetës më la urtësinë më të vlefshme – që kurrë mos të verbohem nga urretja aq sa mos të shoh se loti i një fëmije është mallkimi më i rëndë i kohës që na bie për hise ta jetojmë.

Të gjithë ne lindim gjysmakë dhe jetojmë si të tillë derisa në jetë takojmë plotësinë tonë. Ikim nga kjo jetë sërish gjysmakë duke lënë pas nesh frytet e plotësisë, fëmijët tanë.

Andaj, fshija lotin një fëmije, përpiqu t’ia kthesh buzëqeshjen sepse vetëm aty banon mirësia e përbotshme dhe gjen paqe me vetveten.

Loti i fëmijës nuk është asgjë tjetër pos rrënkim e dënesje e vetë Zotit.

 

Më poshtë e gjeni postimin dhe videomaterialin, i cili falë njerëzve humanë u shpërnda gjithandej.

Kjo është kafshëri. Të heshtësh përballë këtyre skenave është monstruozitet.

Rrahja brutale, e pamëshirshme e grave palestineze nga forcat izraelite, lemeria që shohin këta fëmijë duke ua dhunuar prindërit, është krim që shpalosë në formën më të dhembshme hipokrizinë e atyre që thirren në emër të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe i gëlltisin në heshtje këto skena të tmerrshme.

Dhuna, mizoria e regjimi nuk kanë nacionalitet!

Turp për heshtjen!

https://www.facebook.com/100017323996071/videos/267267793860685/?id=100017323996071

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme