Galaxy Watch Active i ri do të ketë mbështetje për EKG dhe detektim të rrëzimeve

Apple e ka publikuar Watch Series 4 me mbështetjen për EKG dhe detektimin e rrëzimeve, gjë që ka tërhequr fansat e pajisjeve të bartshme. Tani Samsungu mund t’i implementojë të njëjtat funksione në orën e vet të mençur Galaxy Watch Active 2, raporton SamMobile.

Kompania e Koresë Jugore planifikon ta ofrojë përgjigjen e vet në zgjidhjet e Apple në aplikacionin e vet EKG. Shërbimi në fjalë do ta matë ritmin e zemrës dhe do ta informojë përdoruesin nëse e ka ndonjë parregullsi dhe probleme. Këto të dhëna pastaj mund të ndahen me mjekët për lexim më preciz, shkruan KOHA Ditore.

Galaxy Watch Active 2 gjithashtu do të ketë funksion të detektimit të rrëzimit (Fall Detection). Nëse pajisja e bartshme e detekton rrëzimin (e personit) në dysheme, ajo menjëherë do ta regjistrojë këtë me vibrim. Nëse personi nuk është në gjendje të përgjigjet, ora do ta thërrasë ndihmën e shpejtë.

Edhe pse data e lansimit të pajisjes Galaxy Watch Active 2 nuk dihet ende, është e mundur që do ta shohim orën e mençur gjatë ngjarjes së Samsungut Unpacked më 7 gusht, kur do të prezantohet Galaxy Note 10 ose gjatë panairit IFA në fillim të shtatorit.

Lini Një Koment