Gecaj deputetët që kanë dilema për demarkacionin i konsideron të pandershëm

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, që vije nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dje kritikoi mediet (“Kohën Ditore” në veçanti) për raportimet rreth mospajtimeve mbi Marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, ndërsa sot përmes rrjetit social ka sulmuar deputetët që shfaqin dilema ndaj kësaj marrëveshjeje, transmeton koha.net.

Duke u thirrur në patriotizëm, disa po e nxjerrin demarkacionin nga konteksti aktual juridiko-politik dhe po mundohen ta vendosin vetëm në kontekstin historik, shkruan ai.

Të jesh deputet e të bësh sehir, sidomos në rrethanat kur kërkohet ta thuash fjalën tënde me bindje të plotë e pa hezitim, është papërgjegjësi para qytetarëve që ta kanë dhënë votën dhe para interesave nacionale të vendit tënd. Kjo vlen gjithkund dhe gjithmonë. Mirëpo ka rrethana kur kjo përgjegjësi rritet dhe zgjerohet, dhe ka rrethana kur hezitimi i deputetit barazohet me papërgjegjësi ndjellakeqe. Sot kuvendarët tanë në Kuvendin e Kosovës kanë përgjegjësi të tillë në rritje të vazhdueshme, e cila, pos tjerash, determinohet nga rrethanat e krijuara, sidomos mbi demarkacionin.

Të mos flasësh për demarkacionin tani e të jesh deputet, të hezitosh të marrësh vendim të qartë e ta përfaqësosh qytetarin, të mos rreshtohesh aty ku je i bindur se është e vërteta e ta kesh dhënë betimin për të vërtetën, është e padrejtë, e papërgjegjshme dhe jo vetëm kaq. Jo vetëm kaq, sepse duke hezituar, duke mos u ballafaquar me realitetin e krijuar, herë nga droja, herë nga kinse mungesa e informacionit, herë nga interesat e ngushta, sidomos ata që vijnë nga rajoni i Rrafshit të Dukagjinit, çojnë ujë në mullirin e atyre që na shesin mjegull, e cila ju duhet në gjuetinë për vota të cilat duan t’i fitojnë në emër të një sajese të rrezikshme për të gjithë ne dhe për fatin e Kosovës.

Disa kuvendarë po harrojnë se çlirimi i vendit tonë e ka një datë, e ka një histori, dhe e ka ‘Deklaratën e Pavarësisë’. Atyre duhet t’ua kujtojmë se kufijtë dhe sovraniteti i vendit tonë janë rezultat i këtyre proceseve kruciale, e jo i kalkulimeve politikaneske regjionale e klanore. Këtyre dhe të tjerëve si këta duhet tua bëjmë të njohur se ne po e kuptojmë djallëzinë tuaj, sepse ju, duke u thirrur në patriotizëm, po e nxirrni demarkacionin nga konteksti kohor dhe po mundoheni ta vendosni në kontekstin historik. E pandershme, e papranueshme. Po luani rrezikshëm me fatin e Kosovës.

Prandaj, kuvendarë, është koha të kuvendoni, e ta thoni atë që mendoni. Heshtja sot në këto rrethana është hile e papranueshme, dorëzim para një oguri të zi. Kosova nuk mund të humb çdo gjë – edhe rrugëtimin e saj evro-atlantik, edhe integrimet evropiane, edhe miqtë ndërkombëtarë, edhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët, edhe zhvillimin dhe përparimin, dhe edhe kualitetin e jetës së qytetarëve. Pse disa që e kanë inatin më të madhe se pragmatizmin, fabrikojnë humbjen e tokës për të fituar atë që nuk ua dhanë qytetarët – pushtetin. Kuvendarë, ju lusim të mos heshtni!

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë