Gjakovës i shtohen terrenet sportive

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, e shoqëruar nga drejtoresha e Arsimit e kësaj komune, Diana Qarkaxhija, i kanë inauguruar të enjten terrenet sportive në shkollën “Yll Morina” në qytetin e Gjakovës dhe në “Engjëll Gjoni” në fshatin Novosellë. Këto dy terrene sportive janë ndërtuar duke marrë donacione nga Komisioni Evropian, kurse implementuar nga organizata IOM. Secili prej këtyre projekteve ka kushtuar rreth 25 mijë euro.

Në ceremoninë e inaugurimit të tyre kryetarja Kusari-Lila ka thënë se shkollat e komunës së Gjakovës, ashtu sikurse edhe të rinjtë e nxënësit e këtyre shkollave, kanë nevojë për përmirësimin e infrastrukturës sportive, e cila, përveçse ndikon në zhvillimin e lëndës së edukatës sportive, ndikon edhe në shtimin e aktivitetit sportiv tek të rinjtë.

Ky është viti i tretë me radhë i bashkëpunimit me Komisionin Evropian dhe IOM-in në këtë projekt, i cili deri më tani rezultoi me ndërtimin e pesë terreneve të hapura sportive dhe një salle të edukatës fizike.

Kryetarja Mimoza Kusari-Lila ka thënë se komuna do të angazhohet për krijimin e terreneve të reja sportive, edhe për rregullimin e terreneve ekzistuese sepse, sipas saj, vetëm orientimi i nxënësve nga sporti dhe aktiviteti fizik do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së tyre.

Në kuadër të këtij angazhimi, kryetarja Mimoza Kusari-Lila po të enjten ka nënshkruar marrëveshjen me KFOR-in italian për ndërtimin e terrenit sportiv edhe në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Gjakovë.

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë