Gjermania në epokën e Trump

Autor: Joschka Fischer

Dy ish-armiqtë e Amerikës, Gjermania dhe Japonia, do të jenë mes humbësve më të mëdhenj nëse SHBA lë rolin e vet global drejtuar nga Trump

Donald Trump është tani presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara dhe në fjalimin e tij të betimit ai ia bëri të qartë establishmentit amerikan se administrata e tij nuk synon ta bëjë punën si zakonisht. Motoja e tij “Amerika e para” sinjalizon heqje dorë ose edhe shkatërrim të mundshëm të rendit botëror amerikan, që presidentët demokratë dhe republikanë, duke filluar nga Franklin D. Roosevelt, kanë krijuar dhe ruajtur – pavarësisht se në faza të ndryshme suksesi – për më shumë se shtatë dekada.

Nëse Amerika e braktis rolin e vet si fuqi kryesore ekonomike dhe ushtarak dhe shkon drejt nacionalizmit dhe izolacionizmit, kjo do të përshpejtojë një riorganizim ndërkombëtar, ndërsa ndryshon edhe vendin vetë. Në vend që të jetë një hegjemone, SHBA-ja do të bëhet një nga fuqitë e mëdha mes shumë të tjerave.

Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, SHBA ka qenë motori i tregtisë së lirë globale, ndaj një lëvizje drejt proteksionizmit apo një përpjekje për të përmbysur ose pakësuar globalizimin për interesa të ngushta kombëtare, do të kishte pasoja të jashtëzakonshme ekonomike dhe politike kudo në botë. Pasojat e plota të një ndryshimi të tillë janë kryesisht të paparashikueshme, por ne të gjithë e dimë – ose duhet ta dimë – se çfarë ndodhi herën e fundit që fuqitë drejtuese të botës u kthyen nga vetja në vitet 1930.

Aleancat, institucionet shumëpalëshe, garancitë e sigurisë, marrëveshjet ndërkombëtare dhe vlerat e përbashkëta që përbëjnë rendin aktual global mundet që së shpejti të vihen në pikëpyetje ose të refuzohen. Nëse kjo ndodh, e vjetra Pax Americana do të shkatërrohej nga vetë Amerika pa qenë e nevojshme. Dhe pa korniza të qarta alternativë për ta zëvendësuar atë, të gjithë treguesit çojnë për nga trazirat dhe kaosi në të ardhmen e afërt.

Dy ish-armiqtë e Amerikës, Gjermania dhe Japonia, do të jenë mes humbësve më të mëdhenj nëse SHBA lë rolin e vet global drejtuar nga Trump. Të dyja vendet përjetuan një mundje të plotë në 1945 dhe që atëherë kanë refuzuar të gjitha format e “pushtetit shtetëror”. Me sigurinë e garantuar nga SHBA-ja, ata e transformuan veten në vende tregtare dhe kanë mbetur pjesëmarrës aktivë në sistemin ndërkombëtar të kryesuar nga SHBA.

Nëse Trump e heq ombrellën e sigurisë së SHBA, këto dy fuqi të mëdha ekonomike do të kenë një problem të madh sigurie në duar. Ndërsa pozicioni periferik gjeopolitik i Japonisë, teorikisht, e lejon atë të kthejë në shtetërore kapacitetet e veta të mbrojtjes, ndjekja e këtij opsioni mund të rrisë gjithnjë e më shumë gjasat e një përballje ushtarake në Azinë Lindore. Kjo është një perspektivë alarmuese, duke marrë parasysh se shumë vende në rajon kanë armë bërthamore.

Gjermania, ndërkohë, ndodhet në zemër të Europës dhe është e rrethuar nga armiq të luftës së dikurshme. Është vendi me ekonominë më të madhe në kontinent dhe në terma demografikë, por shumë prej fuqisë së vet ia ka borxh garancisë së sigurisë prej Amerikës dhe marrëveshjeve institucionale multilaterale, transatlantike dhe europiane bazuar mbi vlerat e përbashkëta dhe tregtinë e lirë. Rendi ndërkombëtar ekzistues e ka bërë represionin policor dhe sferën e influencës që e shoqëron atë të panevojshme.

Ndryshe nga Japonia, Gjermania nuk mundet të kthejë në kombëare politikën e vet të sigurisë as në teori, sepse një hap i tillë do të prishte parimin e mbrojtjes kolektive në Europë dhe do të zhbënte kontinentin. Mos të harrojmë, se synimi i rendit rajonal dhe global të pasluftës ishte të integronte ish-fuqitë armike që ato të mos ishin më rrezik për njëra-tjetrën.

Për shkak të peshës së saj gjeopolitike, perspektiva e Gjermanisë është tani e ngjashme me atë të Bashkimit Europian. Dhe perspektiva e BE-së nuk është ajo e një hegjemoni; por me sundimin e ligjit, integrimin dhe bashkërendimin paqësor të interesave të vendeve anëtare. Vetëm vendndodhja e Gjermanisë e bën nacionalizmin një ide të keqe; dhe përveç kësaj, interesant e saj thelbësore politike dhe ekonomike varen nga një BE e fortë dhe e suksesshme – veçanërisht tani gjatë periudhës së Trump.

Gjermania është në të njëjtën barkë me të gjithë europianët e tjerë në lidhje me sigurinë. Ashtu sikurse nuk mund të ketë siguri franceze pa Gjermaninë, nuk mund të ketë siguri Gjermane pa Poloninë. Kjo është arsyeja përse Gjermania dhe të gjitha vendet e tjera europiane duhet të bëjnë gjithçka që munden për të shtuar kontribuimet e tyre në sigurinë e përbashkët në BE dhe NATO.

Fuqia e Gjermanisë bazohet te fuqia e saj financiare dhe ekonomike dhe tani duhet ta përdorë atë fuqi në emër të BE-së dhe NATO-s. Fatkeqësisht, nuk mundet më të mbështet në të ashtuquajturën “paqe e pjesëtueshme” që shijoi në të shkuarën (edhe gjatë krizës së euros). Rritja e shpejtë është padyshim një virtyt; por gjëra të tjera duhet të kenë prioritet kur shtëpia e dikujt ka marrë flakë dhe do të shembet.

Përveç sigurisë, interesi i dytë thelbësor i Gjermanisë është tregtia e lirë globale. Tregtia ndër-europiane do të mbetet shumë e rëndësishme, sepse kështu Gjermania fiton jetesën; por tregtia me SHBA-në do të jetë gjithashtu jetësore. Nuk do të shkonte mirë për Gjermaninë nëse Kina dhe SHBA – dy tregjet më të rëndësishme jo-BE të eksportit – hynin në një luftë tregtare. Proteksionizmi gjithsesi mund të ketë pasoja globale.

Megjithatë, me gjithë rreziqet që presidenca e Trump shfaq për europianët, ajo ofron edhe mundësi. Retorika proteksioniste e Trump ka çuar tashmë në një riafrim mes Kinës dhe Europës. Më e rëndëishmja, administrata e re amerikane u ka dhënë europianëve një shans përfundimtar për të ngjitur në rangje dhe për të forcuar pushtetin dhe pozicionin gjeopolitik.

Por nëse europianët më në fund bashkohen, ata duhet ta shmangin anti-amerikanizmin. Trump është presidenti i Amerikës, por ai nuk është Amerika. Vendet e Atlantikut të Veriut do të kenë ende një histori dhe vlera të përbashkëta – edhe gjatë qeverisjes së Trump, megjithëse shumë gjëra do të ndryshojnë në vitet në vijim.

/Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017

/Përkthimi: Reporter.al