Gjuriq: Dialogu e vetmja zgjidhje

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq tha sot gjatë një takmi me shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Metohi Jan Braathu se organizatat ndërkombëtare kanë një përgjegjësi të madhe në siç tha ai”parandalimin e veprim të njëanshëm dhe provokues nga Prishtina dhe promovimin e dialogut me Beogradin”.

Gjuriq siç thuhet në një njoftim për media, gjatë takimit sqaroi pozicionin e Beogradit, kur bëhet fjalë për “nivelin e fundit të provokimeve nga ana e Prishtinës, duke theksuar se qeveria serbe është e angazhuar në mënyrë të vendosur që përmes dialogut të gjej zgjidhjen e të gjitha problemeve të popullit serb në krahinë”.

Ruajtja e paqes dhe stabilitetit është prioritet i Qeverisë së Serbisë, theksoi ai duke shtuar se dialogu është e vetmja mënyrë për të arritur një zgjidhje të pranueshme dhe të qëndrueshme, raporton FoNe.