Gjykata e Apelit vendos në favor të Grabovcit, kundër Insajderit

Atë që nuk ka arritur ta bëjnë avokatët e Adem Grabovcit, e ka bërë Gjykata e Apelit. Kjo gjykatë e ka prishur aktvendimin e Gjykatës Themelore që hedh poshtë kërkesën e Grabovcit për ndalim të publikimit të përgjimeve. Ka urdhëruar shkallën e parë që të kërkojë nga paditësi që të sjell prova të reja lidhur me pretendimet se i është shkelur privatësia dhe të drejtat kushtetuese.

Gjykata e Apelit ka marrë rolin e avokatit të Adem Grabovcit. I ka dhënë udhëzime të qarta avokatit të Grabovcit, se çfarë veprimesh dhe provash duhet të prezantojë kundër Insajderit në rastin e publikimit të përgjimeve.

Një kolegj gjyqtarësh të Gjykatës së Apelit i përbërë nga Fejzullah Rexhepi – kryetar dhe Ramë Hyseni e Qerim Ademaj – anëtarë, e ka prishur aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Pos kësaj, i ka dhënë udhëzime shkallës së parë që të kërkojë prova shtesë nga mbrojtja e Adem Grabovcit, lidhur me pretendimet se me publikimin e përgjimeve telefonike, paditësit i është shkelur privatësia dhe të drejtat kushtetuese.

Aktvendimi është marrë më 16 shtator. Kësisoj, Gjykata e Themelore e Prishtinës duhet të vendos edhe njëherë rreth padisë së Grabovcit kundër Insajderit dhe kërkesës për masë sigurie – ndalimin e publikimit të përgjimeve.

Shkalla e parë, kishte vendosur në muajin gusht të këtij vitit që ta hidhte poshtë kërkesën e Grabovcit për shkak se nuk kishte ofruar prova bindëse së i është shkelur privatësia dhe të drejtat kushtetuese. Gjykata, nuk kishte konstatuar asnjë shkelje nga Gazeta Online Insajderi, e cila për një muaj rresht publikoi mbi 200 telefonata të Grabovcit me persona tjerë, përfshirë presidentin, Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin, Kadri Veseli.

Përgjimet e publikuara ishin nxjerr nga Prokuroria gjatë hetimeve kundër Grabovcit për korrupsion. Pas publikimit të tyre, Prokuroria nisi hetime kundër Grabovcit për dy vepra penale. Ndërkohë, të martën i zgjeroi ato edhe kundër shefit të ri të Grupit Parlamentar të PDK-së – Zenun Pajaziti, ish-ministrit të Ekonomisë – Besim Beqaj, ish-sekretarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme – Ilhami Gashi, kryetarit të Degës së PDK-së në Prizren – Njazi Kryeziu, ish-zëvendësministrit të Punës– Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltarit të ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi – Sedat Gashi dhe ish-shefes së Divizionit Farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

“APROVOHET si e themeltë ankesa e të autorizuarit të paditurit Adem Grabovci nga Prishtina, ANULOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, C.nr.1730/16 i datës 12.08.2016 dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim”, thuhet në diapozitivin e aktvendimit të Gjykatës së Apelit.

Përveç se kjo Gjykatë që ishte drejtuar një kohë të Gjatë nga Salih Mekaj, i cili ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës me një telefonatë në mes të Xhevat Grabovcit dhe Adem Grabovcit, dhe më pas ishte emëruar kryetar i Gjykatës, tregohet e njëanshme duke shkelur barazinë e palëve në procedurë, bën edhe gabime të rënda gjuhësore e logjike.

Paditësin, Adem Grabovci e cilëson të paditur.

Apeli anashkalon edhe një fakt tjetër. Nuk e përmend fare që Gjykata Themelore e Prishtinës ka mbajtur seancë kur ka vendosur rreth padisë së Grabovcit, në të cilën pala paditëse ka mundur të dorëzojë prova shtesë. Por, nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Apeli e ka arsyetuar aktvendimin e saj duke aplikuar nenin 304, paragrafi 3 të Ligjit të Procedurës Kontestimore, si dhe nenin 7, paragrafi 1 të këtij ligji. Këto nene aplikohen dhe Gjykata udhëzon paditësin ta plotësojë padinë vetëm më të dhëna të munguara siç është adresa emri i të paditurit, adresa dhe të dhëna tjera identifikuese, por asnjëherë nuk udhëzohet paditësi që të sjell prova lidhur me pretendimet. Gjykata vendos bazuar në provat e ofruara nga paditësi.

“Gjykata e Apelit nuk mund të pranon vlerësimin juridik të gjykatës së shkallës së parë si të rregullt dhe të ligjshëm, për arsye se, aktvendimi i atakuar është përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182 paragrafi 2 pika n), lidhur me nenin 160 paragrafi 4, si dhe dispozitave të nenit 304 paragrafi 3 dhe nenit 7 paragrafi 1 të LPK-së”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.

Apeli thotë se gjykata e shkallës së parë për vendosjen si në dispozitiv të aktvendimit të atakuar nuk ka dhënë ndonjë arsye lidhur me pretendimet e palës propozuese për caktimin e masës së sigurisë, se propozuesit i është shkelur e drejta e tij e privatësisë së komunikimit sipas nenit 36 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, por arsyet e dhëna në arsyetimin e aktvendimit të atakuar janë kontradiktore: është thirrur në mungesë të provave dhe fakteve konform nenit 304 paragrafi 3 të LPK-së, si dhe nenin 7 paragrafi 1 të LPK-së, që janë aplikuar në mënyrë të gabuar në rastrin konkret.

“Gjykata e Apelit pasi ka shqyrtuar shkresat e lëndës, padinë dhe propozimin për masë të sigurisë të ushtruar nga paditësi-propozuesi ka ardhur në përfundim se gjykata e shkallës së parë paraprakisht është dashur që padinë dhe propozimin për caktimin e masës së sigurisë t’ia kthej në plotësim dhe përmirësim paditësit konform dispozitave të nenit 99 dhe 102 të LPK-së, pasi në mënyrën siç është formuluar kërkesëpadia, si dhe propozimi për caktimin e masës së sigurisë të njëjtat nuk i plotësojnë kushtet që gjykata të veproj sipas të njëjtave, për shkak se nuk janë të qartësuara kërkesa sipas padisë dhe propozimit për masë të sigurisë”, thuhet më tej në arsyetim të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit.

Apeli thotë se për gjykatën nuk është e mjaftueshme që pala vetëm të thirret në provat, siç ka bërë paditësi në rastin konkret duke u thirrur se bisedat gjenden në ‘websait-in http:ëëë.insajderi.com/hulumtime/dosja-e-shefave-shteti-në-dorë-të-nëntokës”, pasi është obligim i paditësit që gjykatës t’i dorëzoj në kopje fizike provat për të cilat pretendon se ekzistojnë (nuk është obligim i gjykatës të bëjë hulumtime nëpër webfaqe apo portale për të siguruar prova, siç pretendon i autorizuari i paditësit në pretendimet ankimore), po ashtu nuk është e mjaftueshme që vetëm të ceken bisedat e paditësit me palët e treta por të specifikohen se për cilat biseda konkretisht bëhet fjalë dhe cilat paditësit i kanë shkaktuar dëmin jo material të pretenduar, e po ashtu edhe për caktimin e masës të përcaktohet në mënyrë me konkrete se për cilat biseda telefonike bëhet fjalë, për ato të cilat tashmë janë publikuar, si dhe për ato për të cilat paditësi pretendon se do të publikohen, në mënyrë që gjykata të mund të vlerësoj nëse plotësohen kushtet konform nenit 297 të LPK-së, për ti dhënë mbrojtje gjyqësore paditësit duke caktuar masën e sigurisë.

“Gjykata e shkallës së parë në ri procedurë duhet të paraprakisht paditësit t’ia kthej në plotësim dhe përmirësim padinë, si dhe propozimin për caktimin e masës së sigurisë, nëse të njëjtat plotësohen sipas udhëzimeve të gjykatës, të bëhet shqyrtimi i shkresave të lëndës, pretendimeve të palëve në procedurë, duke marr për bazë vërejtjet e lartë cekura, të marr vendim të drejtë dhe të ligjshëm”, thuhet më tej në Aktvendim.

Avokatët e Insajderit, Kushtrim Palushi dhe Visar Ramaj e kanë cilësuar të paligjshëm Aktvendimin e Gjykatës së Apelit. Ata, pritet të bëjnë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Prokurorinë e Shtetit.

Palushi ka vlerësuar se vendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës përmes të cilës e kthen në rivendosje çështjen e masës së sigurisë në rastin Adem Grabovci kundër Insajderit nuk është në përputhje me asnjë standard ligjor vendor apo ndërkombëtar dhe përbën precedent të rrezikshëm të ndërhyrjes së gjykatës në favorizimin e palëve.

Sipas tij, përmes vendimit të saj, Gjykata e Apelit ka ndërhyrë në merita të rastit duke udhëzuar Paditësin Adem Grabovi për argumentet dhe provat që duhet t’i përdorë me çka shkel barazinë e palëve në procedurë, të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe parimin e disponibilitetit të palëve kundër dhe në dëm të Gazetës Online Insajderi.

“Gjykata merr rolin e avokatit të Paditësit dhe përmirëson ose e udhëzon Paditësin që të përmirësojë padinë dhe provat në lidhje me meritat e rastit duke keqinterpretuar dispozitat ligjore që lejojnë përmirësimin e shkresave me mangësi formale”, ka thënë Palushi.

“Në bazë të nenit 102  të Ligjit për Procedurën Kontestimore të cilit i referohet Gjykata e Apelit, padia mund t’i kthehet për plotësim paditësit nëse ka mungesa formale, si për shembull nuk e cekë adresën e palës së paditur me çka pamundësohet dërgimi i padisë për përgjigje ose nuk e cekë emrin e të paditurit me çka pamundësohet të dihet se kënd po e paditë”, ka shtuar ai.

Avokati Palushi ka thënë se neni 99 dhe 102 nuk lejojnë kurrsesi kthimin për plotësim të padisë për të përmirësuar atë në aspektin përmbajtjesor, pra për t’i shtuar argumente juridike, fakte ose prova të cilat paditësi ka dështuar t’i tregojë me rastin e ngritjes së padisë.

“Me këtë vendim, Gjykata e Apelit bëhet efektivisht avokat i palës, çka shkelë parimin e disponibilitetit, përkatësisht bëhet vetë palë në procedurë duke e udhëzuar të njëjtin si të hartojë padinë dhe çfarë prova të përdorë në mënyrë që e njëjta t’i aprovohet nga po kjo gjykatë”, ka vlerësuar avokati Palushi.

Ai ka thënë se ajo që është më e rëndë, Gjykata e Apelit shkelë parimin e barazisë së palëve, duke i dhënë argumentet, faktet dhe provat që duhet t’i sjellë pala paditëse dhe kështu duke prejudikuar rezultatin final mbi bazën e këtyre fakteve dhe provave.

“Gjykata e Apelit me vendimin e saj shkelë po ashtu të drejtën në gjykim të drejtë dhe të paanshëm të Gazetës Insajderi sepse nuk trajton fare pretendimet e të njëjtës në përgjigje në ankesë dhe nuk tregon pse nuk i ka trajtuar të njëjtat”./Insajderi.com