Haradinaj: Dodiku e Rusia problemi më i madh i rajonit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje për unitet dhe vigjilencë, duke thënë Rusia po përpiqet të rrisë ndikimin e saj në rajon, përmes krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai këto komente i bëri në një akademi përkujtimore kushtuar Betejës së Çabratit, në të cilën u flijuan dhjetëra dëshmorë e martirë të kombit.

Haradinaj ka përkujtuar se kjo betejë ishte e rëndësishme për faktin se misioni i luftëtarëve të lirisë ishte mbrojtja e mijëra civilëve në qytetin e Gjakovës.

“Si sot, 20 vjet më parë, më 7 maj nisi beteja e Çabratit, e para betejë urbane e UÇK-së, e cila zgjati deri më 9 maj duke u përfshirë në luftime edhe Brigada 137 Gjakova, e cila dha 21 dëshmorë si dëshmi se lufta për liri po merrte karakter gjithëpërfshirës. Gjatë këtyre tri ditëve forcat serbe, pas humbjeve që pësuan, u hakmorën barabarisht ndaj 87 civilëve shqiptarë duke i vrarë ata”, tha Haradinaj.

Ai shprehu zotimin e institucioneve të Kosovës të kërkojnë zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe daljen para drejtësisë së autorëve që kryen krimet e tmerrshme gjatë luftës, ndërsa përsëriti se njohja e Kosovës nga Serbia do të ishte hapi i parë drejt pajtimit dhe heqjen e taksës.

I pari i Ekzekutivit tha se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike dhe njëherësh pamundëson shtrirjen e ndikimit dhe interesave të Rusisë në rajon, dhe se janë të përkushtuar që Serbia të mos arrijë në lumin Ibër përmes formimit të “Dodik Republikës”, duke iu referuar Republikës Serbe në Bosnje.

“Dodiku është problemi më i madh i rajonit, i cili mendon se me Putinin do t’i zgjidhë problemet në Ballkanin tonë. Ne do të jemi të vendosur sikurse kemi qenë, sikurse e kemi penguar ndarjen e Kosovës që të pengojmë influencën e Rusisë përmes një Dodik Republike, siç është tani një asociacion i komunave me kompetenca që mundësojnë prezencën dhe ndërhyrjen e mëtejme në jetën tonë të brendshme, jo të Serbisë, por të Rusisë”, tha Haradinaj.

Ndërsa, komandanti i Brigadës 137 Gjakova, Agim Kryeziu, ka vlerësuar rolin e rëndësishëm të betejës së Çabratit për lirinë e Kosovës, ndërsa ka evokuar edhe momente nga koha e hyrjes së pjesëtarëve të UÇK-së në Gjakovë.

“Me të vërtetë ishte një mision mjaft i vështirë. Ne u betuam se do të hymë brenda dhe të vdesim të gjithë vetëm për të qenë sa më afër qytetarëve tanë dhe në të njëjtën kohë kishim krenari se me të vërtetë ishim mjaft të zot dhe dhamë gjithçka nga vetja për lirinë e Kosovës”, tha Kryeziu.

Një fjalë rasti në këtë akademi mbajti edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili tha se masakrat serbe në Gjakovë janë ndërprerë pas hyrjes së forcave të UÇK-së brenda në qytet, ndërsa përkujtoi edhe një mesazh të asaj kohe.

“Kur 137 e ka bërë luftën në Gjakovë, ka qenë një mesazh interesant Serbisë, se nëse dëshirojmë të vdesim është qysh dëshirojmë ne e jo qysh doni ju. Ky ka qenë mesazhi i asaj pushke”, tha Gjini.

Ndryshe, në nderim të të rënëve dhe personave të pagjetur Komuna e Gjakovës kohë më parë ka mbjellë 110 fidanë në emër të tyre.

Në Betejën e Çabratit kanë rënë 7 dëshmorë dhe 41 civilë, ndërsa nga forcat kriminale serbe janë rrëmbyer dhe zhdukur 43 qytetarë të kësaj lagjeje.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme