Haradinaj: Ideja e shkëmbimit të territoreve po i ngjan marrëveshjeve tregtare

“Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i qëndroj pranë secilës komunë dhe secilit rajon, pa dallime partiake dhe etnie. Ne do të angazhohemi që kërkesat dhe nevojat e banorëve të kësaj ane të adresohen dhe të gjejnë mbështetje institucionale”, ky ishte mesazhi i Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, gjatë një vizite pune që pati sot në rajonin e Zhupës.

Aty, Haradinaj u prit nga përfaqësuesit e banorëve të kësaj ane, me të cilët ka bashkëbiseduar për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen banorët atje.

Duke folur për kërkesën e krijimit të Komunës së Reçanit, Haradinaj tha se Qeveria do të angazhohet për ta shqyrtuar këtë çështje, derisa, për kërkesën e rindërtimit të një hidrocentrali, ai e bëri të qartë se ky projekt por edhe projektet  e tjera mund të realizohen vetëm me pëlqimin e  banorëve.

I shoqëruar edhe nga ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, Kryeministri tha se me ardhjen e tij në Qeveri, bashkëpunimi ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal ka kaluar në një fazë më dinamike dhe tani komunat kanë një vëmendje më të madhe nga Qeveria.

Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, falënderoi Haradinajn për praninë e tij në këtë ngjarje, derisa tha se komuniteti boshnjak po përballet me disa sfida në këtë pjesë të vendit.

“Çështja e decentralizimit është ndër shqetësimet kryesore. Ndërtimi i hidrocentraleve në burimet ujore është ndër shqetësimet tjera . Gjithashtu, gjendja e infrastrukturës rrugore nuk është në nivel të duhur, dhe se përmirësimi i saj ndikon edhe në zhvillimin e turizmit. Këto janë kërkesat ndër më kryesore të të gjithë banorëve, dhe meritojnë një vëmendje të theksuar nga institucionet e Kosovës, sepse kemi dhënë kontribut në shpalljen e Pavarësisë së vendit”, bëri të ditur ministri Demiri.

Kryeministri gjatë këtyre takimeve, foli edhe për situatën aktuale politike në vend, konkretisht rreth zhvillimeve të fundit që kanë të bëjnë me dialogun Kosovë – Serbi, duke thënë se te dyja palët duhet të arrijnë marrëveshje paqësore me njohje të dyanshme, në shërbim të zhvillimit të të dyja vendeve, dhe se ideja e shkëmbimit të territoreve po i ngjanë marrëveshjeve tregtare , dhe si të tilla janë të dëmshme

Lini Një Koment