Herët është të heqim dorë nga Zaevi

Naser SELMANI

Kryeministrin Zoran Zaev e njoha rastësisht në një takim me grupin parlamentar të LSDM-së në Kuvend, para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në vitin 2004. Në atë kohë Zaevi ishte deputet i ri nga Strumica, nuk ishte shumë i njohur në opinion, përveçse kolegët e njihnin se ishte ekonomist i diplomuar dhe se familja e tij ka disa kompani private të cilat punojnë mirë.

Në ato zgjedhje disa deputet, me vullnetin e tyre ose me urdhër nga LSDM, duhej të kandidonin për kryetar të komunave. Dilema e cila u ngrit në opinion ishte kur partitë i paraqesin listat e kandidatëve në Komisionin Zgjedhor Shtetëror, nëse deputetët deheshte të japin dorëheqje nga pozita e tyre për shkak të konfliktit të interesit.

Dhe kuptohet, qëndrimi i LSDM-së dhe i pjesës më të madhe të deputetëve që pretendonin të bëhen kryetarë të komunave, ishte se nuk ka nevojë të japin dorëheqje. Vetëm një deputet i LSDM-së dallonte nga ky qëndrim. Ky deputet ishte Zoran Zaev, i cili aso kohe duheshte të jetë kandidat për kryetar të Strumicës. Edhe pse rastësisht u gjet aty, ai tha diçka që mua si gazetarë më bëri përshtypje të madhe, por nga ana tjetër shumë e irritonte koordinatorin e Grupit parlamentar të LSDM-së. Dhe, çfarë tha Zaevi? Tha se ka dashur të jap dorëheqje nga pozita deputet në Kuvend, por kryesia e partisë nuk e ka pranuar atë vendim. Dhe nuk mbaroi këtu, dhe vazhdoi. Nëse unë humb në Strumicë, atëherë nuk do të jem më as deputet. Nëse qytetarët e Strumicës nuk besojnë në mua, atëherë kë e përfaqësoj unë në Kuvend! Shumë e saktë, e guximshme dhe jo-tipike për një politikan të LSDM-së në atë kohë.

Pse jo-tipike? Sepse deri atëherë ne ishim mësuar që shumica e kuadrove të LSDM-së të jenë aparatiçik nga sistemi i kaluar, të cilët rrallë kanë qëndrim të vetin, por edhe më pak të artikulojnë qëndrimin në opinion duke mos mbajtur llogari për atë se çfarë mendon partia. Pjesa më e madhe e kuadrove të atëhershëm, të ish komunistëve, karrierat e tyre i ndërtonin në administratën publike e shtetërore. Ose kanë qenë fëmijë të funksionarëve të shquar partiak ose shtetërorë nga regjimi socialist. Vetëm Zaevi dallonte nga ky lloj i kuadrove të LSDM-së dhe atë e trajtonin si dele të zezë, i cili sipas tyre, ua prishte imazhin elitar për to në opinion.

Momenti i dytë i rëndësishëm për ta njohur politikanin Zaev është arrestimi i tij në vitin 2008 dhe tentimi për ekzekutimin e tij politik nga ana e presidentit të atëhershëm, Branko Crvenkovski.

Pse kjo ngjarje është e rëndësishme për mua? Sepse Zaevi atëherë tregoi karakter dhe refuzoi të negociojë me regjimin, madje edhe nëse mbaronte në burg. “Naçallnikat“ të koordinuar reaguan shpejtë, kur kuptuan se nuk mund ta thyejnë me kërcënimin me burgim, menjëherë e amnistuan me qëllim që të shuajnë karrierën e tij politike, qysh në fazën më të hershme. Ato e dinin se nëse Zaevi gjykohej me burgim, pa marrë parasysh akuzave që do t’ia mveshnin, në sytë e opinionit në Maqedoni, si kryetar i suksesshëm i Strumicës, do të dukej viktimë e regjimit dhe hero i qytetarëve. Do të ishte [ështje ditësh kur ai do të kthehet në mënyrë triumfale në politikë dhe me atë Gruevski dhe Crvenkovski do të shkonin në histori.

Kujtoni vetëm fjalët e presidentit të atëhershëm Branko Crvenkovski, që tha se vendimi për të amnistuar Zaevin ka qenë një nga vendimet më të vështira. Me atë Crvenkovski praktikisht e shpalli si fajtor për veprat për të cilët akuzoheshte Zaevi. Më vonë u tregua se mënyra e ndërtimit të Qendrës tregtare në Strumicë, ka qenë praktikë e të gjithë funksionarëve të OBRM-PDUKM-së.

Profili politik i Zaevit si politikan më mirë erdhi në shprehje gjatë procesit të rrënimit të regjimit të Gruevskit. Ai tregoi vendosmëri, guxim dhe zhdërvjelltësi. Unë nuk dyshoj se pa Zaevin, do të ishte e pamundur të binte Gruevski. Roli i tij ishte i pazëvendësueshëm në çlirimin e Maqedonisë nga një regjim autoritarë, i cili ishte i gatshëm të sakrifikojë gjithçka, vetëm të shpëtojë eksponentët e regjimit dhe t’i ruajnë paratë e vjedhura nga shteti gjatë qeverisjes për njëmbëdhjetë vjet.

Hapja e LSDM-së ndaj votuesve shqiptarë është momenti i katërt, i cili është i rëndësishëm për të kuptuar profilin politik të Zoran Zaevit. Sikur opozita të mos hapej ndaj këtyre votuesve, regjimi i Gruevskit do të fitonte bindshëm në zgjedhjet e vitit 2016, ndërsa e ardhmja e shtetit do të ishte e pasigurtë.

Të gjithë këto momente i përmenda me qëllim të them se unë si qytetar edhe më tutje i besoj Zoran Zaevit. Mund të jem të pakënaqur nga performanca e qeverisë së tij për këto nëntë muaj, por unë mund ta kuptoj atë. Si duket pritjet tona ishin shumë të mëdha dhe joreale për momentin aktual politik. E kuptoj Zaevin sepse nuk jam i bindur se dikush tjetër, në rrethana të ngjashme, do të ishte në gjendje të bëjë më shumë.

Dhe kuptohet se nuk do të heqë dorë aq lehtë nga Zaevi, sepse opinioni ka investuar shumë energji për ngritjen e tij si politikan. Është joserioze dhe vendim i papjekur nëse vetëm pas 9 muajsh të heqim dorë nga një figurë politike, të cilën e kemi ndërtuar tre vite. Unë shpesh di edhe ta kritikoj për ta stimuluar të bëjë më shumë, por nuk do të heqë dorë sepse nuk dëshiroj ta lëshojmë këtë mundësi unike vendi të konsolidohet si shtet. Nga ana tjetër nuk shoh alternativë tjetër serioze përderisa OBRM-PDUKM nuk del nga prangat e ish-liderit, i cili kalon më shumë kohë në gjykata sesa në shtëpi.

Nuk do të nxisë histeri kundër Zaevit sepse nuk dëshiroj të bëhem pjesë e lojës së establishmentit shtetërorë, i cili më shumë se 15 vite provon të eliminojë këtë figurë politike, e cila është ndryshe nga politikanët e deritanishëm. Nuk heqë dorë sepse besoj se me mbështetjen qytetaree dhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë, mund të bëjmë diskontinuitet me establishmentin politik në Maqedoni, i cili në thelb është jodemokratik. Ai deri tani tregoi se kujdeset vetëm për kastat e zgjedhura, e jo për interesat e qytetarëve të thjeshtë në Maqedoni. Jam i bindur se urrejtja etnike dhe religjioze në Maqedoni është e krijuar pikërisht nga ky establishment, i cili duke i keqpërdorur ndjenjat e qytetarëve, sundon sipas parimit, përçaj, e sundo. Maqedonia e ndarë, e hasmuar dhe e dobët, asnjëherë nuk do të bëhet pjesë e Evropës së lirë, demokratike dhe të bashkuar. Në thelb ky është qëllimi kryesor i establishmentit, i cili tani është duke e sulmuar Zaevin, me qëllim që Maqedonia të mos kap hapin e fundit për t’u integruar dhe të mbet në margjinat e proceseve, si vrimë e zezë në Ballkan, në duart e regjimeve të Serbisë. Establishmenti nuk shqetësohet shumë se Zaevi nuk arrin t’i plotësojë premtimet, përkundrazi, është i frikësuar se kjo mund të realizohet në një të ardhme të afërt.

Kush është ky establishment, për të cilin unë flas tërë kohën, ndërsa qytetarët e thjeshtë nuk mund ta shohin. Një pjesë e këtij establishmenti politik dhe shtetërorë është i përfshirë edhe në qeverinë e vet Zaevit, por edhe në opozitë.

Më thoni mua, si është e mundur të gjitha kritikat ndaj qeverisë së re t’i adresoen vetëm kundër Zaevit dhe bashkëpunëtoreve të tij më të afërt, ndërsa në asnjë rast nuk kritikohet Radmilla Sheqerinska, e cila ka funksion të rëndësishëm në parti dhe në qeveri? Sheqerinska është nënkryetare e LSDM-së me stazh më të gjatë nga të gjithë funksionarët në parti, ndërsa poashtu ka rol vendimtar edhe në politikën e kuadrove të qeverisë. Kur keni dëgjuar një fjalë të keqe në opinion kundër Sheqerinskës, për shkak të lëshimeve në politikën kuadrovike të qeverisë. Apo ajo është kryetare e komisionit kuadrovik në LSDM? Përkundrazi, gjithçka që është negative i përshkruhet vetëm Zaevit.

Dhe tani dikush do të më thotë se çdo gjë është rastësi. Sigurisht që nuk është rastësi. LSDM-ja e vjetër, e cila identifikohet me Crvenkovskin është mirë e pozicionuar në parti. Ato jo vetëm që nuk i ndihmuan Zaevit në rrëzonte Gruevskit, por para zgjedhjeve përhapën defetizëm se Zaevi nuk mund ta fitojë Gruevskin. Dhe kuptohet, këto njerëz janë shumë të interesuar Zaevi të mos ketë sukses dhe pastaj me një zë të thonë, kthehu Branko! Katastrofë!

Por këto struktura të LSDM-së nuk janë të vetmet që punojnë në rrëzimin e Zaevit, të cilët presin  momentin e volitshëm për konsolidimin e pushtetit të tyre duke bërë marrëveshje me regjimin e Gruevskit, i cili edhe më tutje kontrollon OBRM-PDUKM-në dhe është i përfshirë në institucione mjaftë të rëndësishme të sistemit. Dhe më pas, gjithçka do të jetë si më parë, vetëm Zaevi do të mungojë!

Shtyllë e fortë e establishmentit të kriminalizuar shtetëror është edhe BDI, e cila praktikisht i siguron shumicën qeverisë së Zaevit. Kjo strukturë politike, shkaku i gabimeve të politikanëve të papjekur në bllokun opozitar shqiptar, i mundësoi Gruevskit që nëpërmjet Ali Ahmetit të sigurojë vazhdimësi të regjimit të vjetër në një pjesë të institucioneve të sistemit. Funksionarëve të BDI-së, për të cilët ka indikacione që kanë bërë krime, zgjidhjën e vetme e shikojnë në mbajtjen e status quo të procesit ose kur të vërejnë që Zaevi është dobësuar mjaftë, do të përfshihen drejtpërdrejtë në eliminimin e tij politik. BDI për 11 vite pushtet me OBRM-në asnjëherë nuk i ka pasur interesat e shqiptarëve në plan të parë, por tenderët, mirëpo tani në qeverinë e Zaevit i ka kapluar entuziazmi patriotik pasi përfituan mirë nga regjimi i Gruevskit.

Dhe kjo kuptohet se nuk është gjë e rastit. Ato nuk do të përgjigjen për krimet për të cilat ka indikacione serioze, vetëm nëse kontrollin mbi LSDM-në e marrin njerëzit nga struktura e vjetër, e cila nga praktika e deritanishme kanë dëshmuar se i dashurojnë vetëm shqiptarët e korruptuar. Këtë kusht, e përmbushin pjesa më e madhe e kuadrove të BDI-së, ndërsa si shërbim ndaj regjimit do të jetë vazhdimin e agonisë së shqiptarëve, të aktrojnë si të ashtuquajtur përfaqësues të Shqiptarëve vetëm për t’i sigurar alibi regjimit para botës së kinse shqiptarët paskan përfaqësuesit e tyre në sistem.

Zemra e establishmentit të vjetër ende është në OBRM-PDUKM, sepse ky sistem i korruptuar funksionin më mirë me ato që janë legtë të shantazhuar. Ndërsa Gruevski dhe klika e tij lehtë mund të shtazhiohen. Ai do të jetë besnik i establishmentit sepse e di se atë mund ta shpëtojnë nga burgimi vetëm strukturat e vjetra të LSDM-së, me të cilët bashkëpunonte shumë mirë përderisa ishte në pushtet. Mos harroni se Gruevskin në pushtet erdhi me ndihmën e Crvenkovskit dhe Petkovskit.

Gjithashtu, dështimin e Zaevit nuk e dëshirojnë vetëm strukturat e brendshme të “naçallnikave”, por edhe faktorët rajonal. Këtu janë ultranacionalistët e Greqisë dhe Serbisë, të ndihmuar nga regjimi i Putinit, i cili në mënyrë të hapur tregon animozitet ndaj Zaevit. Nëse nuk arrin Zaevi të zgjedh çështjen e emrit me Greqinë dhe të fut Maqedoninë në NATO dhe të fillojë negociata për anëtarësim në BE, Vuçiqit do t’ia përmirësojë pozitën për negociata me Perendimin në lidhje me çështjen e Kosovës. Atëherë Vuçiq do të fitojë argument të fortë se koncepti i Perëndimit për shtete multietnike në Ballkan ka dështuar dhe se mënyra e vetme për stabilizim e rajonit është ndryshimi i kufijve.

Skenari i tillë në mënyrë të drejtpërdrejtë rrezikon Maqedoninë. Në atë rast shteti Serb do ta arrijë qëllimin e vjetër, haësira jetësore e shqiptarëve të Kosovës të jetë Maqedonia, siç ka parashikuar babai shpirtërorë i Milosheviqit, Dobrica Qosiq. Beogradi do t’i stimulojë kosovarët, territorin e humbur në veri të Kosovës të kompensojë me territorin në Maqedoninë Veri-Perëndimore ku jetojnë shqiptarët. Kjo do të jetë hyrje në luftë maqedono-shqiptare, në të cilën mund të hyjnë edhe shtetet tjera fqinje. Në fund rezultati do të jetë i njohur para kohe, më të fuqishmit do t’i grabisin territoret për të cilët shqiptarët dhe maqedonasit kanë luftuar në mes veti.

Dhe jo vetëm kaq, Serbia dhe Greqia do të kenë kufi të përbashkët dhe kontroll mbi tërë Ballkanin. Këtë e dëshiron edhe Putini. Unë nuk dua të marrë pjesë në realizimin e këtij skenari. Maqedonia t’i ngjajë Rusisë së Putinit!

Këto janë arsyet pse unë mendoj se është shumë herët të heqim dorë nga Zaevi. Dobësitë dhe gabimet e tij të imta nuk duhet të lejojmë të na mjegullojë mozaikun e madh, për të cilin përpiqemi, Maqedonia, të jetë shtet i lirë, demokratik dhe Evropian. Jo për shkak të Zaevit, por për neve./Almakos

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme