I vret tre persona dhe ia jep lajmin babait në telefon: “‘Babë, u kry ajo punë’

Brahim Shala nga Cermiani i Gjakovës ka pranuar të rrëfejë krejt çka ai di rreth vrasjes së e vëllezërve Valon e Ali Islamaj si dhe të Zef Krasniqit, që u krye të martën pasdite, në Çarshinë e qytetit.

I dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë është djali i tij, Qëndrim Shala, bashkë me shokun e tij, Veton Gjoshi. Brahimi i ka rrëfyer Gazetës Express për dy telefonatat që mori nga i biri në ditën kritike, i cili i tregoi vet për vrasjen që kishte kryer, për historinë e konfliktit të tij me Zef Krasniqin dhe vëllezërit e njohur si Madanaj.

Po endej në oborrin e shtëpisë me telefonin që nuk reshte së rëni. Brahim Shalën po e thërrisnin shumë miq e familjarë për t’i dhënë kurajë dhe forcë, pasi djali i tij 25 vjeçar, Qëndrimi, dyshohet të jetë njëri prej autorëve të një vrasje të trefishtë që ndodhi në Çarshinë e Gjakovës, dy ditë më parë.

Duke na shikuar me shumë habi nga larg, herë pas here bën edhe ndonjë hap të vogël drejt nesh. Për të ishim të panjohur dhe po i trokisnim në derë të shtëpisë së tij në Cermian, vetëm një ditë pasi ndodhi vrasja, të cilën dyshohet se e kreu djali i tij bashkë me moshatarin e vet Veton Goshi.

49 vjeçari pranoi të rrëfejë për Gazetën Express krejt çka di rreth vrasjes që ndodhi të hënën, por edhe për konfliktet e mëhershme që kishte pasur vetë ai me viktimat. Si pasojë e atyre konflikteve, në shenjë hakmarrjeje, tash dyshohet që i biri tij ta ketë kryer vrasjen.

I shkatërruar nga gjithë ngjarja, por duke ruajtur pak krenari, pasi konsideron se djali i mbrojti edhe nderin e familjes – që ende me fanatizëm ruhet nga burrat e zonës së Dukagjinit e sipas ligjeve të Kanunit – Brahim Shala nis të tregojë sesi grupi prej tre personave që tashmë janë të vrarë, bashkë me edhe disa të tjerë që ai i konsideron rrugaçë, vazhdimisht i kishin krijuar probleme e konfrontime në 16 vitet e fundit – që prej kohës kur Shala kishte shërbyer si pjesëtar i Shërbimit Policor të Kosovës.

“Çka s’kanë bo deri sa më detyrun me hek dorë prej aty e mu largu”, thotë ish-polici gjakovar, që pretendon se telashet që grupi i krijonte e kishin shtyrë atë ta lër punën në SHPK.

Duke na treguar për ditën kritike kur ndodhi vrasja në Çarshi të Gjakovës, thotë se rreth një orë para se të ndodhte gjithçka, Qëndrimi bashkë me nënën e tij dhe shokun Veton Gjoshi – i dyshuar si bashkautor i vrasjes – kishin qenë duke qëndruar në një pastiqeri në rrugën “Ismail Qemajli”, ku ishin takuar me tri viktimat, me të cilët kishin nisur një fjalosje, pasi ishin provokuar nga ta.

“Koke rrit koke bo taman”, thotë t’i ketë treguar Qëndrimi se i ka thënë Valon Islamaj, duke mbajtur dorën në shokë, ku kishte një pistoletë.

Pastaj, sipas tij, vëllezërit Valon e Ali Islamaj e Zef Kransqi e kanë fyer rëndë me nënë djalin e tij, ani pse ajo ishte e pranishme aty.

Menjëherë pasi tregon se ka pranuar një telefonat nga djali i tij, ku i ishte betuar se do t’i vriste të tre këta persona “për të mbrojtur nderin dhe për të marrë hakun për babanë”.

Brahim Shala më pas thotë se i ka kërkuar djalit të kthehet menjëherë në shtëpi bashkë me nënën dhe t’ia sjellë veturën në mënyrë që të parandalonte çfarëdo veprimi të tij.

“S’ka shku shumë, kanë ardh, ma ka pru kerrin edhe mos s’kam ditë ka ka shku as qysh ka shku”, rrëfen burri që tash e disa vite drejton një kompani të sigurimit fizik në Gjakovë.

“S’ka shku as ni orë edhe më ka thirr Qëndrimi edhe më ka thanë ‘Babë u kry ajo punë’”, kujton ai bisedon e fundit që e kishte me djalin e tij 25 vjeçar, pasi ai t’i ketë shkrepur disa plumba mbi tre viktimat që qëndronin ulur në një lokal përballë ëmbëltores ku kishte nisur fjalosja e asaj dite.

Shala më pas i ka treguar Gazetës Express për konfliktet në të kaluarën.