“Kalimera Poetike” në Ulqin nga 2-4 gusht

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” do të organizojë më 2-4 gusht 2016, në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit, edicionin e 24-të të manifestimit letrar “Kalimera Poetike”, transmeton ul-info.

Mysafirë të këtij edicioni janë shkrimtarët Flutura Açka nga Shqipëria, Ag Apolloni nga Kosova dhe Enes Haliloviq nga Novi Pazari (Serbi), të cilëve do t’u kushtohen mbrëmje autoriale. Krahas mbrëmjeve autoriale me shkrimtarët e ftuar, do të hapet edhe ekspozita e piktorit vendas Qazim Muja, duke rikthyer traditën e gërshetimit të fjalës së shkrimtarit me brushën e piktorit.

Qëllimi kryesor i kësaj veprimtarie është të promovojë krijimtarinë më të mirë letrare shqiptare, por edhe ballkanike dhe të huaj, në mënyrë që ta bëjë atë të njohur për publikun vendas dhe turistët.

“Kalimera Poetike” vlerësohet si ngjarja më e rëndësishme në fushën e letërsisë ndër shqiptarët në Mal të Zi dhe më gjerë. Duke pasur parasysh rrugën e zhvillimit të kësaj veprimtarie ndër vite, mund të thuhet se “Kalimera Poetike” është shndërruar në orë letrare akademike të letërsisë shqipe. Që nga viti 2010, në kuadër të këtij manifestimi përveç me shkrimtarë shqiptarë janë organizuar mbrëmje autoriale edhe me shkrimtarë nga Mali i Zi, rajoni dhe më gjerë, duke bërë që “Kalimera Poetike” të shndërrohet në festival letrar me karakter rajonal dhe ndërkombëtar.

“Kalimera Poetike” organizohet rregullisht që nga viti 1993 dhe e ka marrë emrin nga mënyra e vjetër e peshkimit nëpërmjet kalimerave. Gjatë ditëve të zhvillimit të saj, Ulqini është vendtakim i shkrimtarëve shqiptarë dhe atyre nga rajoni.

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë