Kërcënon Gjuriq, po përgatitemi për më të keqen në Trepçë

Kombinati xehetar-metalurgjik Trerpça është e gatshme të vazhdojë prodhimin edhe në kushtet e bllokadës së plotë. Kështu është shprehur drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Sipas tij Serbia do të vazhdojë ta mbështesë Trepçën, raportojnë mediet serbe, transmeton Koha.net.

Pas promovimit të librit “Shtetndërtimi në Kosovë – demokracia, korrupsioni dhe BE në Ballkan” me autor Andrea Kapusela, në Panairin e Librit të Beogradit, ai u tha gazetarëve se Trepça po prodhon e po eksporton dhe kështu do të duhej të ndodhë edhe në muajt e ardhshëm.

“Punëtorët po punojnë, vijnë në punë. Tash për tash çdo gjë është normale, porse po përgatitemi për më të keqen, nuk po rrimë duarkryq. Detyrimi ynë është që me mjete politike, juridike dhe me të gjitha masat e tjera të bëjmë të mundur që Trepça të vazhdojë së funksionuari”, ka thënë Gjuriq dhe ka shtuar se për Serbinë është me rëndësi thelbësore që asnjë punëtor i Trepçës të mos mbesë pa punë.

Sipas fjalëve të tij mbështetja për Trepçën nuk do të thotë mbështetje financiare, meqë kombinati është në gjendje që vetë të përmbushë detyrimet e veta.

Dje kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i pyetur se si e komenton atë që tha Mustafa se për Trepçën do të bisedohet vetëm në Prishtinë, Vuçiq u përgjigj: “E po mirë, unë iu besoj, por do ta pyesja Mustafën se kur do ta vizitojë ai pjesën veriore të Trepçës?”, që lë të kuptohet se nuk do të guxojë as të lejohet ta bëjë këtë.