Këta janë emrat e disa prej kandidatëve për pozitën e deputetit nga LDK, PDK e AAK- PSD

Pas shpalljes së datës së zgjedhjeve të parakohshme, partitë politike kanë vendosur edhe caktimin e disa emrave të cilët do të kandidojnë për pozitën e deputetit më 6 tetor, shkruan Gazeta Blic.

Deri më tani LDK, PSD, AAK dhe PDK kanë vendosur për disa emra të cilët do t’i futen kësaj gare. Mirëpo, edhe përkundër kësaj, emrat e këtyre personave janë caktuar vetëm nga degët e partive, pasi, këshillet e përgjithshme të tyre, akoma nuk kanë dalur me emrat e të cilët do të bëjnë pjesë në listat e koalicioneve dhe partive politike.

Ishte kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti ai i cili para disa ditësh zbuloi edhe disa prej emrave të cilët do të garojnë për pozitën e deputetit nga radhët e partisë së tij.

Ai ka përmendur emrat e 10 deputetëve aktual të PSD-së që do të jenë kandidatë edhe për legjislaturën e ardhshme.

“Ne kemi kandidatë si Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Driton Çaushi, Shqipe Pantina, Dukagjin Gorani, Faton Topalli, Sali Salihu, Besa Baftiu, Aida Dërguti. Të gjithë këta janë deputetë që nuk kanë qëndruar kot në Kuvend si dhe Frashër Krasniqi”, ka treguar Ahmeti

Ai ka thënë se me përjashtim të një apo dy deputetëve aktual, tjerët do të jenë në listën e PSD-AAK, ku PSD do të ketë 25 vende.

Përveç PSD-së, edhe PDK dega në Drenas ka zbuluar emrat e kandidatëve për deputetë.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, në kohën kur është caktuar dita e mbajtjes së zgjedhjeve 6 tetori, ka përmendur diplomatin e kësaj komune, Petrit Hajdarin, i cili së bashku me Ferat Shalën dhe Sejdi Hoxhën, sipas tij, do të jenë kandidatura serioze për të marrë besimin e qytetarëve të kësaj ane, për t’i përfaqësuar në parlament.

E nga AAK kandidatët të cilët deri më tani janë zyrtarizuar e që vijnë nga komuna e Istogut janë: Donika Kadaj-Bujupi, Gani Dreshaj dhe Bekë Berishë.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Podujevë është dega e vetme nga kjo parti e cila ka zgjedhur kandidatët për pjesëmarrje në legjislaturën e ardhshme të vendit.

Kjo degë e cila udhëhiqet nga nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka përzgjedhur si kandidatë Fidan Rekaliun, Nexhmi Rudari, Mirsad Kamerolli dhe Visar Hoti.

Kandidatë tjerë që pritet të vendosen, e që vijnë nga rajoni i Llapit, do të jenë edhe ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ish deputetja, Doruntinë Maloku.

Të dy këta do të jenë kandidatë që do të vendosen nga kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës. LDK në këto zgjedhje, do të garojë me Vjosa Osmanin, si kandidate për kryeministre, teksa kjo parti, sikurse të tjerat, do të kenë mundësinë që t’i kenë nga 110 kandidatë në listën e tyre zgjedhore, shkruan Gazeta Blic

Vetëvendosje do të kandidojë me të parin e partisë, Albin Kurtin teksa ngjashëm do të veprojë edhe PDK e cila ka përzgjedhur kryetarin e partisë, Kadri Veselin si kandidat për pozitën e kryeministrit.

Nga koalicioni AAK-PSD, kandidat për këtë pozitë do të jetë, Ramush Haradinaj ndërsa, nga koalicioni Nisma- AKR, PD, kandidat do të jetë, Fatmir Limaj.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme