Këto janë dëshmitë tronditëse që u dëgjuan në seancën e sotme për “Kumanovën”

Të akuzuarit e rastit “Kumanova” Valdet Zekaj, Esat Kafexholli dhe Shefqet Kallaçi, në seancën e sotme para gjykatës së Shkupit janë ankuar se autoritetet e burgjeve kanë kryer maltretim psikik ndaj tyre, transmeton Gazeta Express.

I akuzuari Zekaj është ankuar se zyrtarët e burgut kanë ushtruar maltretim psikik mbi të duke ia hedhur poshtë rrobat. Madje, siç rrëfeu ai, ia kanë gjuajtur Biblën dhe ia kanë shqyer librin për Nënë Terezën.

“M’i kanë gjuajtur rrobat poshtë, gjithashtu edhe Biblën, ndërkaq ma kanë shqyer librin e Nënë Terezës”, tha Zekaj.

Kafexholli u ankua se autoritetet e burgut ia kanë marrë fletoret, të cilat fillimisht i kanë lejuar që t’i fut brenda.

“Vijnë në kontroll dhe m’i marrin fletoret. Fletoret janë sjell me paket”, tha Kafexholli.

Ndaj këtij rasti, gjykatësja Verka Petrovska tha se do të konsultohet me autoritetet e burgut dhe nëse ka ndonjë lëshim të njëjtat do t’i kthehen.

Nga ana tjetër, sipas rrëfimit të Kallaçit, autoritetet e burgut ia kanë ndaluar që të mos e veshë një bluzë, pasi që e njëjta përmban simbolin e Amerikës.

“Më thanë të mos e veshë bluzën pasi që përmbante shenjën e Amerikës”, tha Kallaçi.

Pas ankesave të të akuzuarve për maltretim psikik, në seancën e sotme vijoi dëgjimi i dëshmitarëve të propozuar nga pala mbrojtëse, përcjell Express.

Zyrtari policor, Igor Mitevski – dëshmitar për të akuzuarin Arsim Bajrami

“Herën e fundit, të akuzuarin, Arsim Bajramin e kamë parë më 9 maj në fshatin Reçicë, i cili më tha se ka qenë i ftuar në SPB Kumanovë. Bajrami, derisa ka qenë zyrtar policor i ka kryer urdhrat ashtu siç është dashur”.

Momçillo Cvetkovski – dëshmitar për të akuzuarin Irfan Lutfiu

“Djali im në mbrëmjen e 8 majit është qethur te Irfan Lutfiu. Kur e pa në televizion u habit se si është e mundur që dje është qethur tek ai, ndërkaq sot e kanë arrestuar. Irfani është djalë i mirë, punëtor. Unë jetoj afër 300 metra. Ai prej më 2 deri më 8 maj gjatë gjithë kohës ka qenë në punë, në orar prej 07:00 deri më 15:00.

Nepunësi në Komunën e Likovës Qerim Zeqiri – dëshmitar për të akuzuarin Musadik Pajaziti

“Musadik Pajazitin e kam shok të ngushtë, ai është i pafajshëm. Prej 2 deri më 8 maj ka qenë në punë. Është i mirë, punëtor, e ka respektuar punën në komunë dhe ka qenë i rregullt. Kemi biseduar për rastin e Gushincës dhe ai ka qenë kategorikisht kundër grupit, nuk e ka përkrahur, por as nuk e ka furnizuar. Kishte Hallet e veta, në atë kohë kishte dasmë, rrogën e kishte të vogël…”.

Agron Ajdini – dëshmitar për të akuzuarin Besnik Ajdini

“Me Besnikun prej fëmijërisë shoqërohemi. Ai ka punuar punë të rëndë, por edhe unë. S’kemi vërejtur asgjë. Unë më 9 maj kam qenë te banesa e vëllait, e cila ndodhet afër lagjes ku ka ndodhur përleshja dhe kam shkuar për ta pastruar banesën. Në ditën e ngjarjes kam lajmëruar te shtëpia e Besnikut dhe kam folur me të shoqen e Besnikut. Pastaj jam paraqitur te një kushëri tjetër për të pyetur se a janë shëndoshë e mirë. Kishte shumë të krisura dhe granata, nuk kemi pasur kohë që të bisedojmë gjatë. Kur kam folur me bashkëshorten e Besnikut, ajo më ka thënë se të gjithë janë mirë dhe se policia është në oborrin e tyre”.

Përndryshe, dëgjimi i dëshmitarëve të palës mbrojtëse ende do të vazhdojë në sallën e madhe të Gjykatës Supreme. Ashtu edhe siç lajmëroi paraprakisht avokati Naser Raufi, më së paku 50 dëshmitarë do të jenë të ftuar në seancat gjyqësore në vijim dhe në mesin e tyre do të ketë politikanë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, përcjell Gazeta Express.

Në rastin “Kumanova-Lagja e Trimave” akuzohen 37 persona, për veprën “terrorizëm”, për ndodhitë e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë, në të cilën një grup i armatosur është përleshur me forcat e sigurisë të Maqedonisë. Nga rasti në fjalë, u vranë 8 policë nga njësitet speciale dhe nga njësitet e veçanta të MPB-së, ndërkaq 4 të tjerë u plagosën. Ndërkaq, humbën jetën edhe 10 pjesëtar të grupit të armatosur. /Gazeta Express/