KOMBE NË SAKSI

E hënë, 24 Tetor 2016  –  Sakte.net

Konstruktimi i identiteteve në republikat e ish-Jugosllavisë si eksperiment i BE-së, në fragmentim dhe mikronacionalizim*

Shkruan: Ferid MUHIQ, Shkup

Menjëherë pas rënies së sistemit shoqëror socialist (Është koha e fundit që të braktisen oksimoronet dhe nocionet monstër, siç janë “shtet komunist”, “sistem komunist”, edhe atë në të gjitha variantet, si floskulë ideologjike, si nebulozë teorike dhe si kundërti logjike tek nocioni – contradictio in adjecto. Aty ku ekziston komunizmi – nuk ekziston shteti; ku ekziston shteti – nuk ekziston komunizmi!), të përfshirë në një numër shtetesh evropiane jashtë Bashkësisë Evropiane, drejt shteteve dhe shteteve të vogla të reja, të sapokrijuara, BE-ja energjikisht fillon me zbatimin e politikës intervencioniste. Qëllimi i këtij intervencionizmi nuk dallon nga programi pragmatik tradicional karakteristik për këtë lloj politike. Në të vërtetë, politika e intervencionizmit është e drejtuar, nga njëra anë, kah mbrojtja e sigurisë dhe e vlerave të brendshme, ndërsa nga ana tjetër kah promovimi i gjerë dhe jo me përkufizim të qartë, tërësisht, të interesave të jashtme. Kjo dikotomi strategjike krijon hapësirë, në arsyetimin e politikës së vet të intervencionizmit, që shteti të thirret edhe në motivet egoiste dhe altruiste. Edhe pse egoizmi i qëllimit të parë – “të mbrohen sferat e veta të interesit, si ato politike, ashtu edhe ato ekonomike” – është tërësisht evident, ai megjithatë nuk është kontestues as mbi bazë etike, as mbi bazë politike, për shkak se në anën e vet e ka legjitimitetin e të drejtës universale dhe detyrimin e secilit shtet që ta sigurojë sigurinë e vet dhe t’i mbrojë interesat e veta. Kontroversat etike dhe politike paraqiten kur duhet të vërtetohen kinse motivet altruiste të intervencionizmit, pashmangshmërisht të lidhura me përzierjen e drejtpërdrejtë në të gjitha aspektet e jetës shoqërore të shtetit tjetër/të shteteve të tjera sovrane, me ç’rast kolizioni me interesat e atyre shteteve praktikisht është i pashmangshëm!

Përzierja në punët e brendshme të një shteti tjetër sovran nuk mund të arsyetohet me kurrfarë argumentesh, pra as duke u thirrur në nevojën e “promovimit të interesave të jashtme të veta”. Që të tejkalohet kjo pengesë juridike, marrëdhëniet ndërmjet shteteve evropiane janë rregulluar me “Teorinë e sovranitetit të kufizuar”, kjo si diktat politik. Ky abort teorik është kthyer në jetë me instalimin e linjës së strukturuar njëkahëshe, me subordinim shkallë-shkallë të hierarkisë, sipas së cilës në fund të shkallëve u gjendën shtetet e bllokut të dikurshëm socialist. Ato ruajtën një shkallë të caktuar sovraniteti në disa çështje të kufizuara lokale, me rëndësi minore. Për ta drejtuar zhvillimin e tyre shoqëror më parë vendosin shtetet e BE-së, të cilat fituan edhe të drejtën që të përzihen në punët e brendshme të vendeve kandidate për anëtare në BE, që t’ua shkruajnë atyre program të detajuar të zhvillimit dhe t’u japin detyra të shtëpisë (“Benchmarks”), si kusht për vazhdimin e kandidaturës.

Kuptohet, interaksioni ndërmjet shteteve është jo vetëm karakteristikë e pashmangshme, por edhe e arsyetueshme e historisë politike në përmasa botërore. Megjithatë, forma standarde ose, më mirë thënë, optimale e atij interaksioni nënkupton bashkëpunimin e dy ose më shumë shteteve të barabarta mbi parimin e autonomisë së tërësishme dhe të reciprocitetit. Dallimi kryesor ndërmjet modelit klasik të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe të politikës së intervencionizmit qëndron aty se balanca e autonomisë është çrregulluar mjaft dhe se me të përjashtohet tërësisht parimi i reciprocitetit! Autonomia e shtetit që është subjekt i politikës intervencioniste qëndron vetëm formalisht, ndërsa “bashkëpunimi” degradon në dhënien njëkahëshe të direktivave dhe në përmbushjen e listës së gjatë të kushteve të vëna prej më parë. Paradoksalisht, pranimi i shteteve të sapoformuara si anëtare të barabarta të BE-së, është i bazuar në pabarazinë e gjatë të dekadave të BE-së dhe të shteteve kandidate!

Arsyetimi se ky është kusht për sigurimin e zhvillimit normal të shteteve të sapoformuara – është vetëm një floskulë jobindëse, pas së cilës fshihet dhuna e drejtpërdrejtë politike, ekonomike dhe kulturore! Edhe atë jo për shkak të sinqeritetit ose mos-sinqeritetit të qëllimeve të BE-së, por për shkak se çdo lloj i intervencionizmit, si përzierje në punët e brendshme të një shteti, domosdoshmërisht dhe vetvetiu (in esse, et per se) – paraqet akt të dhunës!

Siç konstaton me arsye Muhammed Asad, “… çdo mbështetje e jashtme, e drejtpërdrejtë, në çështjen e zhvillimit (qoftë ajo të jetë edhe e sinqertë dhe tërësisht bujare – gjë që, megjithatë, asnjëherë nuk është) paraqet pengesën objektive të vetë atij zhvillimi!”. (Ky konstatim rrjedh nga viti 1923. Autori i tij, Muhammed Asad, qysh atëherë, para 93 viteve, e thekson si vend të përgjithshëm, për të cilin nuk ka hapësirë për kurrfarë diskutimi. ShihLeopold Weiss: Unromantisches Morgenland, Berlin, 1923, s.19. Vepra është përkthyer në gjuhën boshnjake me emër tjetër të autorit dhe me titull të ndryshuar, si Muhammed Asad,Оријент без ромаnтике, Novi Pazar, 2008, fq. 33. Ndryshimi i emrit të autorit është pasojë e faktit se Leopold Vajs, pasi kishte kaluar në Islam, e ka ndryshuar emrin në Muhammed Asad. Ndryshimi i titullit është liri autoriale e përkthyesit Sejfudin Dizdareviq, i cili, ndërkaq, bëri një përkthim jashtëzakonisht të vlefshëm gjuhësor dhe letrar.) Kjo e vërtetë politike universale padiskutueshëm konfirmon se çdo ndërhyrje aktive, çdo përzierje a intervenim nga jashtë, nga ana e cilitdo shtet (Asadi thotë, “të Perëndimit”), pra, në shembullin konkret edhe të BE-së, vetvetiu është negative, pa marrë parasysh motivet mbi bazë të të cilave është ndërmarrë një intervenim i tillë!

Se çdo intervenim nga jashtë pashmangshmërisht është akt i dhunës, në mënyrë plotësuese konfirmohet me atë që ai instalon faktorë të rinj në strukturën politike, në metabolizmin social dhe në sistemin imunologjik; shkurt është një lloj shoku kulturor dhe stresi aksiologjik i shtetit që është subjekt i intervenimit nga jashtë, gjë që gjithnjë çon ose drejt ridrejtimit të zhvillimit të gjeratëhershëm ose në ndërprerjen e tij të tërësishme. Kjo e dyta ishte rast në të gjitha shtetet nga hapësirat ish-jugosllave. Me këtë rast duhet pasur parasysh edhe atë se shteti aktor, me intervenimin e tij, i fut edhe dobësitë latente të sistemit të vet politik dhe i bart sëmundjet e indit të vet social.

Metoda me të cilën BE-ja e zbaton politikën e vet intervencioniste në Kosovë tashmë rezultoi me plasimin e idesë për brendimin e konstruktit të paqëndrueshëm teorik, të quajtur “kombi kosovar/i Kosovës”. Bëhet fjalë për sekuencën më të re nga plani operativ strategjik i përgjithshëm, më parë i zbatuar qoftë në hapësirat e Jugosllavisë së mëparshme, qoftë dhe në të gjitha shtetet evropiane të krijuara pas shkatërrimit të socializmit. Brendi i propozuar “kosovar”, përkatësisht “kombi kosovar”, si konstrukt i krijuar politik, ka për qëllim dobësimin e homogjenizmit etnik të shqiptarëve, të cilët u treguan jashtëzakonisht të rezistueshëm, duke u bërë ballë të gjitha sfidave historike, ndarjeve politike, izolimeve, si dhe represioneve të cilave u ishin nënshtruar për shkak të përpjekjeve që ta ruajnë unitetin etnik dhe ta afirmojnë identitetin e tyre nacional.

Nocioni “kombi kosovar” ka qëllim direkt që shqiptarët e Kosovës t’i riemërojë dhe me këtë të formojë nominalisht një kategori të re qytetarësh me identitet kolektiv të përbashkët. Mbështetja e këtij identiteti në mënyrë strikte në pavarësinë politike të Kosovës, si shtet, shfrytëzohet si argument për promovimin e identitetit “të ri” të shqiptarëve nga Kosova, të ndryshëm nga identiteti i tyre i deridjeshëm, ashtu dhe nga identiteti i shqiptarëve nga shtetet fqinje, përfshirë edhe shqiptarët nga Shqipëria. I njëjti qëllim ishte realizuar me të njëjtën metodologji edhe me formimin e një varg shtetesh të veçanta nacionale, të krijuara pas rënies së shtetit të përbashkët gjer atëherë të integruar të ish-Jugosllavisë. Nga Jugosllavia, shteti me madhësi mesatare, madje edhe për standardet evropiane, ishin krijuar shtatë shtete të reja; me shkëputjen eventuale të Republika Sërpska-s nga Bosnja dhe Hercegovina, numri do të kishte shkuar në 8, përkatësisht me formimin e “entitetit të tretë” Herceg-Bosnja, madje, edhe në 9 shtete të reja!?

Në kontekstin e skenarit të gjertanishëm, me konstruktin politik të “kosovarëve” si një sub-identitet kuazi-etnik, të ekstraktuar mbi bazë virtuale dhe nominale nga kategoria qartësisht e profiluar etnike “shqiptar”, instruktivisht të bëhet me gisht drejt mundësisë së paralajmëruar të formimit të subidentiteteve kuazietnike të “serbëve boshnjakë”, “kroatëve boshnjakë”, “sanxhaklinjve”, pa përjashtuar dhe formimin edhe të ndonjë konstrukti tjetër të këtij lloji.

Ky fragmentim dhe mikronacionalizim mundëson që të shihet më qartë, e pastaj edhe të kuptohet, raporti diametralisht i ndryshëm i BE-së ndaj të njëjtave procese jashtë kufijve të BE-së dhe brenda kufijve të kësaj organizate. Baskët dhe katalonasit në Spanjë, korzikanët në Francë, austriakët e Tirolit në Italinë veriore, irlandezët, uellsianët, skocezët në Britani, me të gjitha fuqitë largohen nga skenarët politikë secesionistë dhe nga programet nacionale separatiste, që nga marrja kushtetuese e të drejtës për referendum për mëvetësi, si në shembullin e legjislacionit spanjoll në relacion me aspiratat nacionale katalonase, deri në premtimin e një vargu të beneficioneve dhe dhënia e një numri të madh, simbolikisht të rëndësishme, por praktikisht beninje, të shmangieve. Kështu Skocia dhe Irlanda e fituan të drejtën që në shishet e uiskit të prodhuara prej tyre, në vend se “Made in England”, përkatësish “Made in UK”, siç ishte një kohë detyrimisht, të vënë shenjën “Made in Scotland” dhe “Made in Ireland”, si kompensim për shtetin e kërkuar nacional, thua se me këtë konfirmojnë se tashmë janë shtete sovrane autonome. Skocisë dhe Irlandës, britanikët madje u vunë në veprim edhe të drejtën që në skenën sportive ndërkombëtare të paraqiten si reprezentacione nacionale në futboll, gjë që është pa precedent në futbollin evropian dhe botëror. Ky privilegj paraqet analgjetikun më të fortë kundër impulsit frustrativ për mëvetësi nacionale: mundësia që të luhet dhe të mundet, madje edhe reprezentacioni i Anglisë në kampionatin evropian ose botëror, për dhembjet nacionale vepron si morfium i vërtetë! Dhe, ashiqare, ky ilaç është mjaft efikas, për shkak se me këtë lëshim më së paku 80% e popullsisë, me fanatizëm lojal ndaj reprezentacioneve të veta futbollistike, është e kënaqur edhe nga kjo shkallë e autonomisë. Se ky privilegj politikisht është i motivuar, shihet nga fakti se ky lloj sovraniteti sportiv nuk ekziston në asnjë lloj sporti tjetër, për shkak se bëhet fjalë për sporte me masivitet më të vogël, të pakrahasueshëm. Mjafton të përmendet, madje, se as tenisti i kalibrit të Endi Marejt nuk mund të paraqitet për Skocinë, as edhe si lojtar skocez!

Paralelisht me këtë, popuj të cilët prej moti janë “të pjekur” për t’u ndarë nga shteti i përbashkët dhe krijimi i shtetit të tyre, sikurse flamanët dhe valonët, sikurse katalonasit në Spanjë, skocezët në Britani, sikurse francezët etnikë nga Kuebeku – Kanada, me të gjitha mjetet largohen nga aspiratat e tilla. E njëjta BE, jashtë kufijve të vet, në mënyrë energjike e mbështeti dhe e mundësoi copëtimin e rajonit baltik në shtetet Letoni, Estoni, Lituani, e imponoi dhe e realizoi me sukses formimin e shteteve sovrane të mëvetësishme të Bjellorusisë e të Ukrainës, e ndau shtetin e Çekosllovakisë në dy shtete – Sllovaki dhe Çeki, ndërsa nga pjesët e Rumanisë e të Ukrainës e formoi Moldavinë.

Si të shpjegohet fakti që proceset e çintegrimit politik, të shprishjes së kolektiviteteve me homogjenitet nacional dhe fragmentimi i tyre në konstrukte të reja etnike dhe mikronacionale virtuale, energjikisht janë inkurajuar dhe janë mbështetur nga BE-ja, por vetëm jashtë BE-së, ndërsa brenda BE-së të njëjtat procese të fragmentimit dhe të mikronacionalizimit sistematikisht dekurajohen dhe i nënshtrohen represionit!?

Politika e stimulimit dhe inkurajimit të fragmentimit dhe e mikronacionalizimit jashtë BE-së ka qëllim të njëjtë strategjik sikurse edhe politika e destimulimit dhe dekurajimit të proceseve të njëjta brenda BE-së. Në dritën e këtij qëllimi jokonsekuenca e shpifur e kësaj “politike të standardeve të dyfishta” zbulohet si realizim i qëndrueshëm dhe konsistent i një programi të njëjtë strategjik. Qëllimi i BE-së është që ta imponojë konceptin e vet ideologjik si paradigmë universale në tërë territorin e vet. Në realizimin me sukses të këtij qëllimi, si pengesa serioze, nga njëra anë, paraqiten identitetet e profiluara etnike tradicionalisht konservatore të popujve nga vendet kandidate për anëtare të BE-së, ndërsa, nga ana tjetër, popujt brenda vendeve anëtare të BE-së, të cilët përpiqen ta riafirmojnë identitetin e tyre etnik dhe kulturor, si të ndryshëm prej atij të popullatës shumicë në BE. Në rastin e parë është e nevojshme që të fshihet tërësisht matrica etnike dhe kulturore tradicionale e popujve nga vendet kandidate, para se ato të pranohen si anëtare të barabarta, që pastaj më të mund t’u imponohet lehtë identiteti i ri kulturor, i çliruar nga hallkat e lidhjes etnike; në rastin e dytë, është e domosdoshme që të pamundësohen edhe përpjekjet e fundit për vënien e identitetit personal etnik dhe kulturor të atyre popujve, të cilët ende nuk janë të akulturuar deri në fund, përkatësisht – të asimiluar. Relacioni i përkundërt ndaj afirmimit të identitetit etnik është vetëm kontrapunkt metodologjik, në të dyja rastet i diktuar nga pozicioni i tyre jashtë BE-së, përkatësisht brenda BE-së.

Në rastin e popujve të cilët ende janë jashtë BE-së ky qëllim realizohet duke rrëmuar me shkuljen e tyre nga trualli ku ata janë formuar gjatë proceseve të gjata historike si identitete etnike dhe nacionale. Shkulja e këtyre kombeve paraqet edhe shkuljen nga trualli i përbashkët, i përndarë me grupet etnike dhe me kombet tjera më të afërta, me të cilat kanë jetuar në interaksion të ngushtë konfliktesh dhe bashkëpunimi, andaj pikërisht për këtë paraqesin faktorin plotësues jashtëzakonisht të rëndësishëm në formimin e këtyre identiteteve të profiluara etnike kolektive.

Për këtë arsye shkulja patjetër duhet të ndiqet edhe nga ndarja juridike dhe politike ngabiocenoza e deriatëhershme, kjo si hap i rëndësishëm në ndryshimin e planifikuar të identitetit të tyre tradicional. Ndryshimi i identitetit është planifikuar për shkak se me identitetin e vet tradicional asnjëri prej atyre kombeve nuk mund të adaptohet lehtë në kushtet e reja të imponuara, as edhe të kontrollohet në mënyrë efikase! Shkulja nga bazamenti historik, nga trualli social dhe kulturor, ku gjatë osmozës së gjatë kulturore ndër mijëvjeçarë ato identitete kolektive janë krijuar dhe formuar në interaksion dhe lidhje të drejtpërdrejtë si identitete nacionale të veçanta, historikisht dhe me fat të njëjtë të lidhur me specifikat e tyre, por edhe me karakteristikat e tyre të përbashkëta, bëhet hap i domosdoshëm për shpërfytyrimin, denacionalizimin dhe deetnizimin e tyre, si kusht i rëndësishëm që prej tyre të gatuajë brumë të ri, të përshtatshëm për t’u gatuar.

Një herë të shkulur nga trualli i tyre ku kanë qenë të formuara, ato artisen në saksi, me madhësi të ndryshme, por identike për nga përbërja e mineraleve dhe nutricientëve ku i artisin. Ato minerale dhe nutricientë politikë, ekonomikë, juridikë, administrativë, arsimorë e të tjerë, me të cilët mbushen saksitë e secilit prej shteteve të vogla të sapoformuara, janë me përmbajtje identike. Larg truallit të përbashkët ku janë ushqyer gjatë gjithë historisë së tyre të mëparshme, këta popuj e humbin shkallë-shkallë identitetin e tyre tradicional. Të ushqyer me çorbën e njëjtë nutricioniste, e përgatitur me kujdes që në mënyrë plotësuese t’i neutralizojë karakteristikat e mbetura individuale dhe ta shpejtojë humbjen e tyre, të gjithë ata popuj në aspektin nacional çorientohen, duke u bërë të shpërfytyruar, grupe demografike anemike dhe anonime, të bashkuara vetëm me përbërësin identik të miksit në saksitë – shtete të tyre.

Me këtë, intervencionizmi i BE-së bëhet një lloj hortikulture, ndërsa BE-ja shndërrohet në kopshtar i cili me kujdes synon që në secilën saksi vazhdimisht të gjendet përbërësi i njëjtë, që lulet nëpër saksi të erëmojnë me të njëjtën aromë sintetike, që sa më shumë të ngjajnë në njëra-tjetrën dhe, rrjedhimisht, që sa më pak t’i ngjajnë vetes dhe të erëmojnë siç janë. Mbi të gjitha, ky BE-kopshtar fiton licencën ekskluzive që në çdo kohë të intervenojë në të gjitha aspektet e jetës së shteteve-saksi. Të shqepura nga bashkësia ku dikur kanë gëluar, ku vetë i kanë zgjidhur konfliktet e tyre dhe i kanë shmangur moskuptimet e veta, shtetet-saksi fillojnë që gjithnjë e më shumë të kthehen kundër njëri-tjetrit. Me këtë rivalitet të theksuar, të prodhuar në mënyrë artificiale dhe me këto ambicie jo të shëndosha, konfliktet fitojnë në ashpërsi dhe në intensitet: Rusia dhe Ukraina tashmë tre vjet janë në një lloj lufte; marrëdhëniet ndërmjet shteteve mikronacionale të reja, të sapokrijuara, në truallin e ish-Jugosllavisë u keqësuan në mënyrë dramatike menjëherë pas mëvetësimit të tyre dhe, pas luftës më të përgjakshme në historinë e tyre, sot janë më të këqija se kurrë më parë në shtetin e përbashkët, kështu që objektivisht nuk ekzistojnë dy shtete fqinje që sot nuk kanë probleme të ndërsjella serioze: Sllovenia dhe Kroacia; Kroacia dhe Serbia, BeH edhe me Kroacinë edhe me Serbinë; brenda Federatës BeH me RS-së; Mali i Zi me Serbinë; Serbia me Kosovën; së fundi edhe Kosova me Malin e Zi rreth demarkacionit, ndërsa situata maqedonase tashmë një kohë të gjatë është shndërruar në një konflikt politik të ashpër me motivim intra-etnik.

Shqiptarët gjithnjë e më shumë konfrontohen politikisht në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Kosovë, ndërsa homogjeniteti i tyre nacional me siguri është dukshëm më i ulët kundrejt asaj ngjeshjeje nacionale të cilën shqiptarët e demonstronin në kushtet më të rënda, sidomos para shkatërrimit dhe menjëherë pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë. Brendimi i “kosovarëve”, si një mikrokomb i ri për planet intervencioniste të BE-së, sa është i dobishëm, po aq është edhe një hap i rëndësishëm me të cilin duhet të çohet me sukses deri në fund projekti i artisjes së “kombeve në saksi”. Me këtë tendosja permanente midis shteteve të vendosura nëpër saksi me ushqimin e planifikuar deri në detaje nga BE-ja, nga tensioni latent gjithnjë e më shpesh kalon në konfrontim të hapur politik për një varg çështjesh!

Politika intervencioniste, kështu e konceptuar dhe e realizuar e BE-së, lehtë fiton argumente të reja për domosdoshmërinë e angazhimit të saj. Ajo mund ta demonstrojë lehtë nevojën reale që të vazhdojë me kontrollin e zhvillimit të mëtejshëm të shteteve-saksi, të cilat ashiqare shkallë-shkallë e humbin vitalitetin dhe kapacitetin e tyre për funksionim të mëvetësishëm, që praktikisht u është marrë nga çasti kur janë shkulur dhe janë artisur në këmisha çmendurake ideologjike ose, çka është e njëjta, në saksi ideologjike në të cilat janë edhe sot.

Përzierja e hapur dhe politika paternaliste autoritare e BE-së ka alibi të mjaftueshme të fortë që edhe më tej të zbatohet (BeH si protektorat; Kosova ende si anëtare e papranuar zyrtarisht e OKB-së, pa marrë parasysh faktin se moti e ka tejkaluar numrin e nevojshëm të shteteve anëtare që e kanë njohur si shtet të mëvetësishëm dhe sovran; Maqedonia si shtet me emrin kushtetues të pazgjidhur dhe ndërkombëtarisht të papranuar) dhe gjithnjë e më shumë ta anulojë çastin e mëvetësisë së vërtetë dhe ta largojë qëllimin e lidhjes së papenguar në bashkësi politike sipas vullnetit të lirë dhe interesave të popujve që kanë jetuar bashkë ndër mijëvjeçarë. Me fragmentimin politik të shqiptarëve synohet drejt fazës vijuese të këtij projekti intervencionist: me të njëjtin përbërës të truallit dhe të mineraleve, shkallë-shkallë duhet të neutralizohen ndjenjat nacionale, të relativizohen konstantat etnike më markante, shkurt të sterilizohet ndjesia e unitetit nacional shpirtëror dhe organik që deri më tani i jepte vitalitet këtij populli autokton dhe të paepur, ndër popujt më të vjetër evropianë.

Ashtu si dhe popujt e tjerë, të artisur në saksi politike me ushqimin e bençmark-dietave, edhe nga shqiptarët tani për tani të ndarë në dy, në të ardhmen ndoshta edhe në tri saksi, pritet që të jenë njëlloj kushërinjsh dhe fqinjësh të grindur, të paaftë për të jetuar në mënyrë të mëvetësishme, për të cilën gjë vazhdimisht do të duhet të jenë nën udhëheqjen e BE-së – që me përkthim të drejtpërdrejtë do të do të thotë që “të udhëhiqen për dore” – dorën ushqyese, dorën mbrojtëse, dorën që përkëdhel, dorën që dënon, dorën që ndal dhe dorën që nxit, dorën që ndalon dhe dorën që lejon. Shqiptarët janë subjekt i së njëjtës teknologji të deetnizimit dhe të çuarjes së kodit etnik në margjinat e vetëdijes së tyre shoqërore. Dobësimi i lidhjeve etnike, fshirja e përmbajtjeve tradicionale të lojalitetit ndaj bashkësisë dhe humbja e vetëdijes për përkatësinë e tyre të përbashkët, është përgatitje për t’i vënë ata në saksi. Kur do të arrihet kjo shkallë e vetalienimit etnik, edhe shqiptarët do të jenë të përgatitur të shndërrohen edhe në një prej kombeve të shpërfytyruar, me “stampim” serial, të vendosur nëpër saksitë e kopshtarit BE.

Njerëzit, edhe si qytetarë edhe si popuj, të mbyllur nëpër shtetet-saksi të tyre politike artificiale, tani detyrohen që së pari të perceptohen përmes prizmit politik, si pjesëtarë të shtetit nacional, që automatikisht e dobëson kohezionin e tyre, i largon edhe nga shënjuesit e tyre etnikë, edhe nga bashkëqytetarët e tyre me parashenja tjetër fare etnike, duke e zvogëluar homogjenitetin e popullsisë dhe duke e rritur çorientimin e tyre.

Në këto rrethana, modelet tradicionale integrative të etnosit, popullit, kombit, miletit, relativizohen dhe e humbin domethënien e tyre. Siguria si imperativ social dhe psikologjik, gjithnjë e më shumë do të kërkohet në integrimin e grupeve kuazietnike, mikronacionale të fragmentuara, për të cilat shtetet-saksi mbeten opsioni i vetëm.

* Problemin e fragmentimit politik dhe nacional si tërësi strategjike të BE-së, pas rënies së sistemit socialist në shtetet evropiane jashtë BE-së, autori për herë të parë e ka elaboluar para dy dekadave, menjëherë pas rënies së RSF Jugosllavisë. I shkruar gjatë vitit 1996, teksti në versionin final është publikuar në fletushkën The Study in Despair and Fragmentation, Longman, London, New York, 1997. Edhe pse që atëherë kanë kaluar 19 vjet, drejtimi sipas të cilit shkonte zhvillimi i aktivitetit politik të BE-së në kuadër të rajonit në tërësi, e konfirmoi hipotezën e formuluar në tekstin e theksuar. Kuptohet, ky tekst nëSHENJA paraqitet si analizë krejtësisht e re dhe asnjë pjesë e tij nuk është publikuar më parë.