Konjufca: Shqiptarët e Kosovës të kenë të drejtën e pasaportës së Shqipërisë

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka falënderuar presidentin Nishani për “gjestin simbolik” të firmosjes së dekretit të dhënies së nënshtetësisë shqiptare, për disa nga drejtuesit kryesor të “Vetëvendosje”-s. Konjufca, në një bisedë telefonike për “Ora News” tha se të gjithë shqiptarët e Kosovës duhet të kenë të drejtën automatike të marrin nënshtetësinë e Shqipërisë. Ai tha se kjo gjë do të çonte drejt bashkimit kombëtar.

“Të gjithë shqiptarët duhet të kenë të drejtë automatike të marrjes së nënshtetësisë shqiptare, të pasaportës së Republikës së Shqipërisë. Kjo është një politikë që e mbrojmë dhe e artikulojmë. Sovranitetin dhe republikën duhet ta përforcojmë vazhdimisht me qëllim të qartë në funksion të bashkimit kombëtar shqiptar”, tha ai.

Për Konjufcën, demarkacioni është si pakti detar mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Po i falin Malit të Zi 82 km katror të territorit të vet. Qeveria po ngulmon ta miratojë, por duket se nuk i kanë deputetët dhe kjo marrëveshje më ngjan me marrëveshjen e demarkacionit të ujërave të Shqipërisë me Greqinë. Do ia dalim ta ndalojmë. ‘Vetëvendosje’ ka thirrur protestë që do të jetë më 1 shtator, kur në parlament do të votohet demarkacioni”, theksoi deputeti i VV-së.