Kosova në rrezik për bukë, hambarët sivjet nuk janë mbushur

Kosova as këtë vit nuk ka arritur që ta sigurojë bukën për vete. Ndonëse sipërfaqet e mbjella me grurë ishin rritur, rendimenti për këtë vit është ulur. Madje, këtë vit shifrat po dalin të jenë edhe më shqetësuese. Në Ministrinë e Bujqësisë kanë thënë se me grurin që është korrur këtë vit, nuk mund të mbulohen të gjitha nevojat e qytetarëve. Edhe këtë vit vendi më i varfër në rajon e ka të detyruar importin nga Serbia, Hungaria, Austria dhe Kroacia.

Hambarët e Kosovës po “tkurren” nga viti në vit. As këtë herë, vendi më i varfër në rajon nuk ka arritur që të plotësojë nevojat e qytetarëve për grurë. Madje, këtë vit shifrat janë edhe me shqetësuese.

Ndonëse në krahasim me vitin e kaluar, sipërfaqet e mbjella me grurë janë rritur për më shumë se 4 mijë hektarë, në Ministrinë e Bujqësisë thonë se rendimenti mesatar i grurit për këtë vit ka shënuar rënie.

Në vend sivjet janë korrur vetëm 256 mijë e 234 tonë grurë. E gjithë kjo thonë se ndodhi për shkak të kushteve të pafavorshme klimatike në vend.

Nga Departamenti i Politikave Bujqësore dhe Tregjeve, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë i kanë thënë Gazetës Express se me sasinë e grurit të prodhuar, Kosova arrin që të plotësoj kërkesat e banorëve me grurë për 62 % të popullsisë.

Gjersa, deklarojnë se për konsum vjetor nevojiten rreth 410,000 ton grurë.

“Duke pasur parasysh sipërfaqen e përgjithshme me kulturën e grurit që është korrur këtë vit, 73,736.02 ha dhe rendimentin mesatar prej 3,534.5 kg/ha, Kosova këtë vit ka prodhuar rreth 256,234.8 ton grurë.

Nevojat ushqyese me grurë për popullatën e Kosovës janë rreth 205 kg për kokë të banorit për një vit, andaj për konsum vjetor nevojiten rreth 410,000 ton grurë”, thuhet në përgjigjet e MBPZHR-së.

Thonë se krahasuar me vitin e kaluar rendimenti mesatar ka pasur rënie, derisa sqaron se e gjithë kjo ndodhi për shkak të motit të ligë, ku u dëmtuan shumë kultura të grurit.

“Në krahasim me vitin e kaluar, ka pasur rënie të kësaj përqindje, krejt kjo për shkak të uljes së rendimentit mesatar, gjë që është ndikuar nga kushtet e pafavorshme klimatike që kanë mbretëruar në vendin tonë”.

Nga kjo ministri shtojnë se në 2017’ën, Kosova kishte prodhuar rreth 267 mijë e 490 ton grurë, 10 mijë tonë më shumë se sivjet.

“Ndërkaq, në vitin 2017 sipërfaqja e përgjithshme me kulturën e grurit që është korrur ka qenë 70209.98 ha, ndërsa rendimenti mesatar ka qenë prej 3,780 kg/ha dhe duke pasur parasysh këto të dhëna del se Kosova në vitin 2017 ka prodhuar rreth 267,490.00 ton grurë”, ka deklaruar Drejtori i Tregjeve dhe Kulturave Bujqësore në MBPZHR-së.

E mungesës së grurit në vend, më së shumti hajrin do të ia shohin vendet e rajonit prej të cilave Kosova edhe e siguron importin. Edhe këtë vit gruri e mielli do të importohen nga Hungaria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Austria dhe Kroacia.

Për rënien e rendimentit të grurit kishte folur edhe Kryetari i Federatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri.

Tahiri kishte thënë se përveç reshjeve, në rënien e rendimentit të grurit po ndikon edhe mosaplikimi i masave të duhura agroteknike, pasi bujqit ende punojnë në mënyrë primitive, për shkak të kushteve jo të mira financiare.

Gjersa kishte shtuar se prodhuesit bujqësorë nuk po kanë leverdi të kultivojnë kultura të grurit, për shkak të çmimit të ulët të grurit dhe sasisë së madhe të importit nga vendet e rajonit, kryesisht nga Serbia.

Ndërkohë në Ministrinë e Bujqësisë thonë se edhe këtë vit kanë bërë subvencionimin e drithërave të bardha në vlerë prej 150 euro për hektarë. Prej 25 milionë eurove sa janë të ndara për subvencione, vetëm për grurë janë ndarë 6 milionë e 750 mijë euro.

“Qeveria – MBPZHR përmes programit të pagesave direkte edhe këtë vit bën subvencionimin e drithërave të bardha në vlerë prej 150 euro /ha. Nga totali i buxhetit për subvencione në vlerë prej 25,000,000.00 euro, vetëm për kulturën e grurit janë të dedikuara 6,750,000.00 euro”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Bujqësisë për Express.

Ndërkohë, edhe ato sipërfaqe që kanë qenë të mbjella me grurë janë dëmtuar gogja shumë.

Nga komunat që kanë pësuar dëme më së shumti në kulturën e grurit nga reshjet e fundit aktualisht janë Lipjani, Ferizaj dhe Shtimja.

E për të ditur vlerën e saktë të dëmeve që kanë shkaktuar vërshimet në kulturën e grurit, Cikaqi po thotë se do të presin që të përfundojë fushata e korrje-shirjeve.

“Fushata e korrje-shirjeve ende nuk ka përfunduar dhe në momentin që do të përfundojë do të përgatitet edhe raporti përfundimtar, ku do të kemi të dhënat publike mbi rendimentin, sasinë e grumbulluar të grurit, si dhe dëmin e shkaktuar në këtë kulturë bujqësore”, ka thënë Cikaqi.

Por, ndonëse vlera e saktë e dëmeve që janë shkaktuar vërshimet nuk dihen, shefi i Divizionit për Mbrojtjen e Bimëve, Adem Arifaj ka deklaruar se sipas vlerësimeve nga terreni, vlera e dëmeve që kanë shkaktuar vërshimet në bujqësi e kalon shifrën prej shtatë milionë euro.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për kompensim të menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara këtë vit nga reshjet e shiut dhe breshrit nëpër komunat e Kosovës, ndonëse ende nuk e ka përcaktuar shumën e kompensimit, pasi siç është thënë, kjo do të jetë subjekt i analizës dhe mundësive buxhetore.

Krahas kësaj, Qeveria ka autorizuar Ministrinë e Financave për krijimin e një fondi të veçantë për vitin 2019 dhe themelimin e Komisionit që do të krijojë sistemin e sigurimeve të prodhimtarisë bujqësore në Kosovë, për ta stabilizuar tregun e bujqësisë në vend dhe për t’i dhënë përkrahje kësaj fushe.

Ndryshe, prej 415 mijë e 683 hektarë tokë të shfrytëzueshme bujqësore sa ka vendi, në vitin 2017 me kultura bujqësore janë mbjellë vetëm 187 mijë e 222 hektarë tokë. Ndërsa, pjesa më e madhe e kësaj toke, nga qytetarët është lënë livadhe e kullosa.

 

Lini Një Koment