Kryeziu: Uzurpatorët e banesave janë njerëz me të njëjtin mbiemër që i lëshojnë ato me qera (Video)

Në vitin 2005 nga ana e Ndërmarrjes Publike Banesore janë paditur uzurpatorët e 6 banesave në lagjen “Dardania” dhe tani gjykata ka sjellë vendimin që ato banesa të lirohen. Kështu ka deklaruar në intervistën “Saktë” kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje, Nexhat Kryeziu.

Ai ka saktësuar se është ekzekutuar vendimi vetëm për 6 banesa, e jo për 130 siç është raportuar në media, mirëpo, po ashtu ka pohuar se rreth 130 banesa që janë pronë komunale në këtë lagje të kryeqytetit.

“Në tërë qytetin, në bazë të evidencave tona, banesa të uzurpuara janë diku rreth 170. Por, kjo nuk do të thotë se nuk ka edhe më shumë”, është shprehur Kryeziu.

Sipas tij, banorët edhe më parë kanë qenë në dijeni të këtij vendimi të gjykatës, ndërsa i pyetur nëse këta banorë kanë të drejtë t’i blejnë këto banesa të cilat i kanë shfrytëzuar gjatë kësaj periudhe, ai është shprehur se ligjet në fuqi nuk e lejojnë një gjë të tillë.

“Realisht përgjigjja është jo. Për shkak se Ndërmarrja Publike Banesore para luftës (ish BVI-ja) ka kontratë të bashkëinvestimit me operatorë të ndryshëm të cilat në atë kohë kanë qenë kompani publike që i kanë bashkuar mjetet”, ka thënë Kryeziu. Ai është shprehur se pavarësisht investimit të banorëve për këto banesa asnjëherë nuk është bërë pranimi teknik.

“Në bazë të evidencës tonë, nuk kemi familje që është në gjendje sociale. Mundem me qenë gabim, mund të del një ose dy familje, mirëpo në bazë të vlerësimit tonë tek banesat e Dardanisë nuk ka familje si rast social”, ka deklaruar Kryeziu. Ai tha se nëse ka familje të tilla do të kërkohet zgjidhje për ta në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe se i ka ftuar të paraqiten dhe të bashkëpunojnë në mënyrë që tu gjindet zgjidhja mirëpo, sipas tij, ata nuk i janë përgjigjur kësaj ftese dhe kanë qenë këmbëngulës që tu njihet e drejta për blerjen e këtyre banesave.

“Një pjesë e madhe e uzurpatorëve të banesave janë familjarë, me të njëjtin mbiemër, vëllezer, kushërinjë”, ka zbuluar në emisionin “Saktë” kryeshefi ekzekutiv i NPB, Nexhat Kryeziu. Ai ka bërë të ditur se shume prej këtyre banesave kanë qenë të lëshuara me qira dhe nuk janë shfrytëzuar nga vetë uzurpatorët dhe se ekzistojnë edhe dëshmi të Policisë së Kosovës që ka kryer hetimet për këto raste.

Përndryshe, ditë më parë me vendim të Gjykatës, Policia e Kosovës intervenoi për largimin e banorëve nga këto banesa. Me këtë rast pati përplasje midis forcave të rendit dhe banorëve që rezistuan të lërgoheshin./Sakte.net