Kukës, 4 trafikantë kapen duke transportuar 15 sirianë për në Kosovë

Katër trafikantë klandestinësh janë arrestuar nga policia e Kukësit duke transportuar 15 refugjatë sirianë drejt Kosovës.

Arrestimi u krye në vijim të operacionit antitrafik të koduar “Kaskada”. Të arrestuarit akuzohen për “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, në bashkëpunim”.

Policia e Kukësit njoftoi se ata u kapën në flagrancë, duke transportuar 15 shtetas sirianë, të cilët nëpërmjet kufirit të gjelbër do t’i kalonin për në Kosovë, kundrejt fitimit.

Po ashtu, policia arrestoi edhe një tjetër trafikant të shpallur në kërkim për trafik klandestinësh: Jani Shabanin, 48 vjeç, banues në Tiranë.

Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës me shkresë Nr.1581, datë.04.10.2016, ka urdhëruar ndalimin për veprën penale të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 298/2 e 25 i K.Penal.

Materialet hetimore do ti kalojnë për veprime të mëtejshme Prokurorisë.