Kurti: Ka pasur tentim-puç, do të dalin transkriptat e Këshillit të Sigurisë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë që në ‘tollovinë’ e krijuar nga Presidenti për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të coronavirusit, ka pasur një tentim-puç ndaj qeverisë së tij.

“Para një jave ka pas tentim puq në Republikën e Kosovës, kanë me dalë transkriptete e mbledhjeve të këshillit të sigurisë, ka pas tentim puçi, e kemi ndalë, ky është suksesi ynë. Për mua është e rëndësishme të mos shpallet gjendja e jashtëzakonshme ku e bëjmë presidentin mbret”, tha Kurti.

Kuvendi është duke mbajtur seancën për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.

Mospajtimet për heqjen e tarifës si dhe shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut, për shkak të deklaratës së tij për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së coronavirusit po përmenden si arsye nga LDK –ja për t’i dhënë fund koalicionit i cili para se të arrihej ishte quajtur si ‘koalicion i shpresës’.

Ndërsa Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola Von Cramon, mocionin e LDK-së e kishe konsideruar ‘grusht shtet’.

Eurodeputetja: Mocioni i mosbesimit i LDK-së është një lloj ‘grusht shteti’

Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola Von Cramon, përveç që e ka konsideruar katastrofik për Kosovën dhe rajonin mocionin nga LDK-ja, po ashtu e ka cilësuar edhe ‘grusht shtet’. “Një lloji i ‘grusht shteti’ në mënyrën e Kosovës. Jo mirë”, ka shkruar ajo në twitter.