Mbetet e kontestuar kushtetutshmëria e Qeverisë Hoti

Kushtetutshmëria e votimit të Qeverisë aktuale mbetet e kontestuar, meqë Gjykata Kushtetuese prej tre muajsh nuk ka vendosur në dy raste të ngritura para saj, që lidhen me këtë vendimmarrje. Gjykata nuk e ka thënë fjalën e fundit as për kushtetutshmërinë e votës së deputetit Haxhi Shala dhe atë të Etem Arifit.

Kabineti qeveritar i propozuar nga Avdullah Hoti, më 3 qershor ka mundur ta marrë mbështetjen e vetëm 61 deputetëve, përfshirë deputetit Shala, që ka votuar me intervenimin e presidentit Hashim Thaçi dhe të kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, si dhe votën e Arifit, të cilit i është kontestuar kushtetutshmëria e mandatit, shkruan KOHA.

Nëpërmjet kërkesave të ndara për të dyja rastet është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë. Më 10 qershor e 1 korrik, ato i ka deponuar në Kushtetuese Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila është nxjerrë në opozitë pas formimit të Qeverisë, pavarësisht se në zgjedhjet e fundit ka dalë subjekti politik me më së shumti vota.

Gjykata nuk ka treguar se kur do ta japë verdiktin në këto raste.

“Këto dy lëndë aktualisht janë duke u shqyrtuar”, thuhet në një përgjigje të Kushtetueses. “Vendimet do të merren pasi që të shqyrtohen të gjitha pretendimet për shkelje kushtetuese në kërkesat e secilës palë parashtruese, si dhe të palëve të tjera të interesit”.

Rregullorja e punës së kësaj gjykate nuk saktëson kohën brenda së cilës duhet të merret vendimi pas pranimit të kërkesës nga pala, por vetëm theksohet se ai duhet marrë “brenda një periudhe të arsyeshme kohore”.

Qeveria Hoti ka siguruar shumicën e nevojshme falë edhe votës përcaktuese të Etem Arifit. Ai është bërë deputet dhe ka votuar, ndonëse në janar të këtij viti është bërë i plotfuqishëm një vendim gjyqësor, me të cilin ky eksponent i Partisë së Ashkalinjve për Integrim është dënuar me një vit e tre muaj burgim.

Arifi ka ushtruar mandatin e deputetit, ndonëse Kushtetuta në paragrafin e tretë të nenit 70 përcakton që “mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse: … dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim”.

Nga Nisma Socialdemokrate, ndërkaq, votën e patën dhënë të 4 ligjvënësit, përfshirë Haxhi Shalën, i cili ishte deklaruar më herët se do të votonte kundër.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme