Më keq se kur të robëron e grabit i huaji është kur ta vë këmbën në fyt e të plaçkit i joti!

Shkruan: Emad MEHMETI

Ka diçka që i barazon të gjitha shoqëritë shqiptare: politikanët e pasur dhe populli i varfëruar. Apo, ka diçka që është shenjë njohëse e tri dekadave të ‘demokratizimit’ të mbarë shqiptarisë: politikanët që u pasuruan dhe populli që u varfërua, apo politikanët që na i morën të gjitha duke mos na dhënë asgjë si kundërvlerë.

Dhe ç’është më e panatyrshmja, sa më shumë që shoqëritë shqiptare ‘demokratizoheshin’, aq më arrogant dhe më të papërgjegjshëm bëheshin burrështetasit tanë. Kështu sa më thellë zhyteshin shoqëritë shpiptare në ‘demokraci’, aq më shumë ato bëheshin parajsë për politikanët e ferr për qytetarët.

Shqiptarët e Maqedonisë tashmë të Veriut e nisën demokratizimin duke partizuar të gjitha segmentet e shoqërisë. Por partitë e dikurshme nuk ia dolën të bënin krimin që e bëri BDI-ja, e cila shqiptarëve të këtushëm ua shkeli dinjitetin dhe u rrënoi shumëçka të vlefshme që kishin.

Kosova e filloi demokratizimin e saj me burrështetasit e LDK-së, të cilët fatin e vendit e barazuan me famën e vet politike, por nuk e gjunjëzuan atë asht siç bënë drejtuesit e PDK-së që shtetin thuajse e barazuan me shtëpitë e tyre private disamilionëshe.

E kur jemi te Shqipëria mëmë duhet thënë se ajo e eci rrugën nga rrëzimi i shtatores së Xhaxhit Enver e deri te ‘rënia’ e saj nën thundrat e pamëshirshme të ‘Rilindjes’ së sotme ashtu siç nuk e priste askush: duke u zhytur thellë e më thellë në baltën e mosmarrëveshjeve ndërpartiake. Apo, në vend që të bëhej mburojë e shqiptarisë u bë simbol i kanabizimit dhe vend i pabanueshëm edhe për ata pak shqiptarë që nuk u degdisën nëpër botë.

Dhe nëse PD-ja i mori Shqipërisë shumëçka, duke i pasuruar kuadrot e veta partiake, ‘rilindja’ shkoi përtej të imagjinueshmes: vendit ia morri dinjitetin dhe nderin, duke e lënë në duart e papërgjegjësisë dhe madje edhe të paturpësisë. Shqipëria e përjetoi edhe 21 Janarin kur nuk u kuptua se kush shkeli mbi kufomat – ai që i nxori viktimat si mish për top në krye të protestës duke u fshehur vet në bishtin e saj, apo ‘pushteti’ që bëri të palejueshmen – që vrau protestues, për ta mbrojtur vetveten.

Mirëpo sidoqoftë një gjë dihet: përderisa PD-ja Shqipërisë i hapi rrugë që ta lidhte me pjesët tjera shpiptare me botën, ‘Rilindja’ bëri atë që askush nuk e besonte se do mund të ndodhte: asaj ia mbylli thuajse të gjitha udhët drejt të ardhmes duke e bërë ‘varrezë’ masive të shpresave rinore. Dhe duke e lënë atë në duart e krimit dhe pasanikëve që nuk njohin as atdhe as popull, por vetëm lekun.

Me çka për fatin tonë të keq del se gjatë tri dekadave ‘demokratizim’ shoqëritë shqiptare dëshmuan vetëm një gjë: që edhe popujt e varfër si i joni kanë aq sa për t’i pasuruar elitat e veta politike. Dhe se më keq se sa kur të robëron e grabit i huaji është kur ta vë këmbën në fyt e të plaçkit i yti.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme