Menduh Thaçi jep dorëheqjen e parevokueshme nga kryetari i PDSH

Kreu i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi ka njoftuar dorëheqjen e parevokueshme nga posti i kryetarit përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, gjatë pasdites së kësaj të enjteje.

Ky zhvillim vjen pak ditë pasi subjekti i drejtuar prej tij humbi bindshëm në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Maqedonisë, ku siguroi vetëm dy mandate deputetësh.

Sipas asaj që njofton vet Menduh Thaçi, tashmë partia do të mbetet në duart e Këshillit Drejtues të saj, derisa të zhvillohet Kongresi i Jashtëzakonshëm i PDSH-së. Data për mbajtjen e Kongresit do të caktohet nga Kuvendi Qendror i PDSH-së.

Duke premtuar se do të mbetet një “ushtar i bindur i Partisë Demokratike Shqiptare”, Thaçi shkruan gjithashtu se koordinator i aktiviteteve të mëtejshme partiake është emëruar Sekretari i Përgjithshëm, Azem Sadiku.

Ja statusi i plotë i Menduh Thaçit në “Facebook”.

“Të dashur miq, sapo dorëzova dorëheqjen e parevokueshme nga posti i Kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, Këshillit Drejtues të PDSH-së. Partinë Demokratike Shqiptare do t’a drejtojë në mënyrë kolektive Këshilli Drejtues deri në Kongresin e jashtëzakonshëm, data e mbajtjes e të cilit do të caktohet nga Kuvendi Qendrorë i Partisë. Koordinatorë i aktiviteteve u emërua Sekretari i Përgjithshëm z.Azem Sadiku, ndërsa unë mbetem ushtarë i bindur i Partisë Demokratike Shqiptare. Ju Faleminderit”.

Menduh Thaçi, një politikan shqiptar i lindur në Tetovë nga prindër kosovarë, ka qenë aktiv në politikën maqedonase prej 20 vitesh. Karrierën si politikan e ka nisur si zëvendëspresident i Partisë për Prosperitetin Demokratik të Shqiptarëve, që më pas u nda në vitin 1997 në dy degë, duke formuar edhe Partinë Demokratike Popullore.

Thaçi ka pasur postin e zv.presidentit deri në vitin 2006, e vitin pasardhës u zgjodh kryetar i PDSH-së pas dorëheqjes së liderit të ndjerë Arbën Xhaferi.