Menduh Thaçi: Vetëm NATO dhe BE mund t’i sigurojnë stabilitet Maqedonisë

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi sot në selinë e partisë në Tetovë realizoi takim me Ambasadorin e Suedisë në Maqedoni, Mats Staffansson, me të cilin ka biseduar për situatën aktuale politike dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Temë e diskutimit ishte edhe zhbllokimi i proceseve integruese të vendit si dhe demokratizimi i mëtutjeshëm i rajonit, kumtoi partia e Thaçit pas takimit.
Në vazhdim, komunikata e PDSH-së:

“Në takim Kryetari Thaçi nënvizoi rëndësinë e integrimit të vendit në NATO dhe Bashkimin Evropian, që nënkupton organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, si dhe gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes për çështjen e emrit me Greqinë. Integrimi në strukturat euro-atlantike do të siguron stabilitet dhe zhvillimin ekonomik të vendit dhe rajonit – theksoi Thaçi.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që duhet të jepet kontribut maksimal për proceset demokratike dhe integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike, dhe se në këtë drejtim organizimi i zgjedhjeve demokratike dhe rikthimi i dialogut për vazhdimin e reformave të caktuara nga Bashkimi Evropian janë me rëndësi të veçantë.

Ambasadori Staffansson falënderoi Kryetarin Thaçi për takimin e zhvilluar duke uruar që ky bashkëpunim i mirëfilltë me Partinë Demokratike Shqiptare të vazhdojë edhe në të ardhmen”.