Ministri Demolli: Kosova e gatshme ta ndihmojë Maqedoninë

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Qeverinë e Kosovës, Haki Demolli, thotë se janë të gatshëm të dërgojnë ekipet e kërkim shpëtimit në Maqedoni, por që për këtë duhet të bëhet një kërkesë formale nga shteti i cili kërkon ndihmë.

Demolli ka bërë të ditur se deri më tani një kërkesë e tillë nuk ka ardhur nga autoritetet e Maqedonisë.

Ai ka shtuar se për të dërguar ekipet e FSK-së jashtë vendit kërkohet një procedurë e theksuar dhe vendimi duhet të merret nga presidenti i Kosovës.
“Ne shprehim gatishmërinë tonë si ministri e FSK-së të dërgojmë pjesëtarë të trupave tanë në vendin mik Maqedoninë, ku kemi një bashkëpunim të mirë në sferën e sigurisë. Për këtë dërgim kam biseduar edhe me kryeministrin, Isa Mustafa, që të dërgojmë ekipet tona, njësitet tona më të mira, në veçanti ekipin e përgatitur të kërkim shpëtimit me qëllim të gjetjes së personave të zhdukur”, ka theksuar Demolli për REL.

Megjithatë, ministri Demolli ka sqaruar se para se të iniciohen procedura e brendshme për dërgimin e ekipeve të FSK-së në Maqedoni, “kërkohet që vendi që ka nevojë për ndihmë të dërgojë një kërkesë formale, qoftë nga ambasadori i Maqedonisë, qoftë nga ministri i mbrojtjes së Maqedonisë apo edhe nga kryeministri”.

Njëherësh, ministri Demolli ka shprehur ngushëllimet për qytetarët dhe Qeverinë e Maqedonisë, si dhe për familjarët e viktimave të kësaj tragjedie natyrore.

Lini Një Koment

Shiko t'gjithë komentet

Veq Lexuesit e regjistruar mund të komentojnë