Ministri i jashtëm i Malit të Zi: Jo ndryshimit të arkitekturës së Ballkanit

Mali i Zi gjithmonë ka përkrahur dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo qëndrimi i Podgoricës, në lidhje me paralajmërime të ndryshimit të kufijve, është se stabiliteti dhe siguria e rajonit është parësore, ka deklaruar ministri i jashtëm malazias Sërgjan Darmanoviq, në intervistën dhënë Zërit të Amerikës.

“Çfarë mund të sjellë zgjidhja e themeluar në shkëmbimin e territoreve – kjo është për Ballkanin gjithmonë punë e ndjeshme. Kjo duhet të jetë me garanci se Ballkani do të mbetet stabil, ka thënë Darmanoviq, duke u përgjigjur në pyetje mbi qëndrimin e Malit të Zi për negociatat e Kosovës dhe Serbisë.

Ne inkurajojmë që ata t’i zgjidhin marrëdhëniet, por duhet të gjithë të kujdesemi për arkitekturën e gjerë të Ballkanit Perëndimor, që ajo të mos çrregullohet, ka theksuar Darmanoviq, në deklaratën dhënë në Nju Jork ku gjendet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka transmetuar shërbimi për marrëdhënie me publikun i qeverisë së Malit të Zi.

 

Lini Një Koment