Molliqaj: Aktivistët e arrestuar janë rrahur në stacion të policisë

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, në një konferencë për media bashkë me kreun e VV-së, ka thënë se armët e gjetura nëpër shtëpitë e aktivistëve të Vetëvendosjes, të arrestuar si të dyshuar për sulmin me mjet shpërthyes ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, nuk kanë të bëjnë asgjë me këtë rast.

“Sa u përket armëve që kanë dalë sot, ato asnjë nuk kanë të bëjnë me sulmin që është bërë ndaj Kuvendit. Kemi raporte që thonë se ka me qindra mijëra armë ilegale në qarkullim në Kosovë. Pra, s’kanë të bëjnë asgjë me sulmin ndaj Kuvendit. Këto po bëhen për ta frikësuar qytetarin, Lëvizjen Vetëvendosje e aktivistët e saj për protestën e 1 shtatorit. Por ne nuk frikësohemi, madje jemi më të bindur për t’i çuar këta kriminelë në burg. 1 shtatori paraqet fillimin e fundit të rënies së këtij pushteti kriminal të udhëhequr nga klani “Pronto””, deklaroi Molliqaj.

“Një polic më ka thënë se aktivistët e Vetëvendosjes janë rrahur në stacion të policisë dhe u është bërë presion që të pranojnë fajësinë. Një prej familjarëve ka pranuar posedimin e armës. Por, jo aktivistët, sepse ata janë të pafajshëm”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka kërkuar nga organizata që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut që të hyjnë në stacionin policor dhe të shohin se çfarë po ndodh aty.