Mustafa: Këtë vit 25 mijë vende të reja pune

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në konferencën Ambienti i Biznesit 2017 ka thënë se pret që brenda vitit të hapen 25 mijë vende të reja pune, duke ulur kështu normën e papunësisë në normën nën 20 për qind.

Ai ka deklaruar se korrupsioni në Kosovë është perceptim, duke shtuar se do të vazhdojë lufta ndaj kësaj dukurie, njofton Klan Kosova.

“Perceptimi dhe realiteti sa i përket korrupsionit nuk janë në përputhje njëra me tjetrën. Ne korrupsionin do ta luftojmë sado që të është e mundshme”.

“Brenda dy viteve norma e papunësisë ka rënë nga rreth 35 për qind në 26 për qind. Për dy vjet kemi krijuar mbi 20 mijë vende pune. Po ashtu jam i bindur se papunësia është edhe më e ulët se këto shifra”.

“Këtë vit do të hapim rreth 25 mijë vende të reja të punës. Po ashtu presim që norma e papunësisë të ulet nën 20 për qind”. /klankosova.tv