Mustafa: Lexoni dokumentet e shpalljes së pavarësisë, pastaj flisni për kufirin

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thotë se personat që sot po flasin për demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi, duhet të lexojnë dokumentet themelore të shpalljes së pavarësisë.

Mustafa thotë se pavarësia nuk është shpallur mbi bazë të hartave të viteve 30’të, 40’të apo 50’të por është shpallur mbi bazën e territorit që Kosova ka pasur në vijat kufitare të vitit 1988, shkruan Gazeta Express.

Statusi i plotë i kryeministrit Mustafa:

Të gjithë ata që po flasin për kufirin, kanë nevojë ti lexojnë dokumentet themelore të shpalljes së pavarësisë.

Deklarata e Pavarësisë thotë si vijon:

..Pika 1. Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

Pika 8. “…Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjëve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara”.

Aneksi VIII i Planit të Ahtisarit , Neni 3, pika 3.2. thot:

3.2. Territori i Kosovës do të përkufizohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome e Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë më 23 shkurt 2001.

Është shumë e qartë se pavarësia nuk është shpallur në bazë të hartave të viteve të tridhjeta, të dyzeta apo të pesëdhjeta të shekullit të kaluar, por mbi bazën e territorit që Kosova ka pasur në vijat kufitare më 31 dhjetor të vitit 1988.

Lini Një Koment