Mustafa të enjten përballet me Vetëvendosjen në Kuvend

Lëvizja Vetëvendosje muaj më parë kishte adresuar dy interpelanca ndaj kryeministrit të vendit Isa Mustafa.

Që nga 13 korriku edhe kur i kishte adresuar këto interpelanca, Vetëvendosje nuk ka marrë asnjë përgjigje nëse shefi I qeverisë është I gatshëm që të paraqitet në Kuvend për të dhënë ose jo shpjegime rreth situatës politike në veri të vendit dhe për Kodin Telefonik.

Javë më parë Telegrafi kishte kontaktuar me zëdhënësin e qeverisë, Faton Abdullahu se kryeministri Mustafa do t’ju përgjigjet këtyre thirrjeve por nuk ka treguar datën se kur do të ndodhte kjo.

Mirëpo në një njoftim të Kuvendit të Kosovës, bëhet e ditur se interpelancat e ndaj kryeministrit Mustafa priten të zhvillohen pikërisht në seancën e 1 shtatorit ku pritet të votohet edhe ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit.

“ Interpelanca e Kryeministrit, Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetit Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga 7 deputetë nënshkrues, në lidhje me kodin telefonik shtetëror të Republikës së Kosovës.

Interpelanca e Kryeministrit Isa Mustafa, sipas kërkesës së deputetit Ismajl Kurteshi, i mbështetur edhe nga 10 deputetë nënshkrues, në lidhje me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”, është thënë në njoftimin e Kuvendit./Telegrafi/