Nesër aksion simbolik para Qeverisë kundër murit në Ibër

Të martën, me datë 20 dhjetor 2016, në ora 13:00, para qeverisë së Kosovës, Iniciativa Qytetare për Veprim, organizon aksion simbolik kundër ndërtimit të murit ndarës në urën e Ibrit në Mitrovicë dhe kundër ekipit negociator të Kosovës të përbërë nga Isa Mustafa, Edita Tahiri dhe Agim Bahtiri.

Ky ekip, sipas IQV-së, në negociatat në Bruksel po i dëmton interesat shtetërore të Kosovës dhe po e rrezikon sovranitetin e vendit tonë.

“Qeveria e Kosovës në negociatat me Serbinë në Bruksel ka dështuar të mbrojë dhe përfaqësojë interesat e Kosovës, duke pranuar murin që e ndanë Mitrovicën, legalizimin e pushtetit të Serbisë në veri, asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin”, thuhet në komunikatën e IQV-së.

Qeveria e Kosovës, sipas kësaj Iniciative, përveç dështimeve në negociata në Bruksel, po e dështon shtetin tonë përmes korrupsionit, krimit të organizuar ekonomik, dështimit në sundimin e ligjit, dështimin në zhvillim ekonomik dhe punësim, duke na e rrënuar arsimin, shëndetësinë, etj.

Përmes këtij aksioni simbolik, IQV kërkon përgjegjësinë dhe dorëheqjen e kësaj qeverie, “e cila përmes negociatave po na e rrezikon sovranitetin, ndërsa për shkak të keqqeverisjes po na e dështon shtetin”.