Nga “argat i Serbisë” në “profesor”, ndryshimi drastik i Albin Kurtit karshi Isa Mustafës

Albin Kurti e Isa Mustafa u takuan sot në cilësinë e dy kryetarëve të partive kryesore opozitare.

Takimi i tyre kishte të bënte me zhvillimet e fundit politike, dorëheqjen e Haradinajt si dhe mundësinë e lidhjes së koalicionit parazgjedhor mes këtyre dy partive, shkruan lajmi.net.

Por, Kurti e Mustafa jo gjithëherë dukeshin të buzëqeshur kur gjendeshin pranë njëri tjetrit.

Më 2015-tën, Mustafa, atëherë në rolin e kryeministrit ishte sulmuar me vezë në Kuvendin e Kosovës nga partia e Kurtit.

Për të shkuar më tutje, raportohej se militantë të VV-së gjatë protestave të njëpasnjëshme të mbajtura në kryeqytet, kishin sulmuar me molotov shtëpinë e kreut të LDK-së.

Emri i Isa Mustafës, do të përmendej në tubimet masive të Vetëvendosjes, mirëpo do të personifikohej si “argat i Serbisë”, e jo si “profesor” siç u cilësua sot nga Kurti.

Madje ky i fundit, që dikur  nuk brengosej edhe aq për gjendjen e Isa Mustafës, sot i uroi shëndet.

“Ky ishte takimi i parë me Prof. Isa Mustafën pas rizgjedhjes së tij kryetar i LDK-së. I urova punë të mbarë dhe shëndet”, shkroi ndër të tjera Kurti.

Këto takime po cilësohen si konsultative nga njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani.

Ai thotë se nga të njëjtat nuk pritet të ketë vendim adekuat për koalicion.

“Këto mund të cilësohen si takime konsultative pa ndonjë vendim adekuat për ndonjë koalicion të mundshëm parazgjedhor. Këto parti tentojnë të shkojnë vet në zgjedhje për të matur forcën dhe për ta ditë fuqinë e vetë elektorale. Është gabim nëse nuk hyjnë në koalicion këto dy parti bashkë me shoqërinë civile dhe botën akademike, ndryshe s’ka gjë prej tyre”, shkruan ai.

Sipas tij, PDK AAK e NISMA duhet të hyjnë përsëri në koalicion, dhe në këtë formë të garojnë prap bashkë.

Siç shprehet ai, me këtë rast do të formohen dy blloqe të mëdha politike.

Ai tutje shprehet se partitë aktuale në pushtet akuzohen për korrupsion e kapje të shtetit, mirëpo se sipas tij VV është problematikë e madhe sepse është e pa aftë.

“VV është problematike e madhe e paaftë ekstrem, parti politike që nuk merret askush me ta. Pra qytetarët nuk merren fare me këto zhvillime dhe janë të painteresuar. Kosova ka 74 parti dhe jo vetëm këto që shihen në skenë që 20 vite”, thotë ai.

Një koalicion i mundshëm LDK-VV është duke u përfolur me të madhe tash e një kohë.

Problematika më e madhe që një gjë e tillë të arrihet është posti i kryeministrit, të cilin asnjëri nga ky subjekt nuk është i gatshëm ta lëshojë. 

Lini Një Koment