Nishi bashkon qeveritë e Serbisë dhe Shqipërisë, takimi brenda një muaji!

Një sesion i përbashkët i qeverive të Serbisë dhe Shqipërisë, në praninë e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Kosovës do të mbahet në Nish, raporton Radio Evropa e Lirë.

Thuhet takimi i përbashkët do të mbahet brenda një muaji, duke iu referuar burimeve të afërta me autoritetet e Beogradit, përcjell Telegrafi.

Detajet e takimit ende nuk janë bërë të ditura, por tani për tani supozohet se në të nuk do të marrin pjesë kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, por disa përfaqësues të rangut të ulët politik të Kosovës.

Po siç përcjellin mediat serbe, delegacioni nga Shqipëria do të kryesohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Po sipas medieve, takimi në Nish, i cili është në fazën e planifikimit, është iniciuar nga Beogradi, por koncepti është që të mos ketë vetëm dialog ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, por edhe në mes të serbëve dhe shqiptarëve në rajon.

“Prandaj, do të ftohen përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Kosovës”.

Në këtë takim, siç mëson jozyrtarisht REL, nga burime të afërta me qeverinë serbe, do të marrin pjesë biznesmenë serbë dhe shqiptarë nga rajoni, por ende po punohet në listë, edhe rreth të gjithë pjesëmarrësve, duke përfshirë përfaqësues politik nga Kosova.

“Takimi në Nish do të mbahet me rastin e bashkëpunimit në zhvillimin e infrastrukturës, e cila përfshin ndërtimin e përbashkët të autostradës Nish-Tiranë”.

Kujtojmë, kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se në në muajt e ardhshëm, Beogradin do ta vizitojë kryeministri shqiptar, Edi Rama.