Nobeli në Letërsi është i shkatërruar

Nga Ron Charles, WASHINGTON POST

Akademia Suedeze është për të ardhur keq.

18 anëtarët e saj- të emëruar përjetësisht- ngarkohen me zgjedhjen e fituesit të Çmimit Nobel në letërsi.

Ju do mendoni se dorëzimi i çmimit letrar më prestigjioz në botë- së bashku me një çek prej gati 1 milionë dollarë- do ishte i rëndësishëm për popullaritetin e saj. Por anëtarët e Akademisë Suedeze shfaqin një tendencë thuajse perverse për t’i bërë gjërat më keq.

Dy vjet më parë, burri i një prej anëtarëve të akademisë u akuzua për sulm seksual dhe në fund u dënua për përdhunim. Skandali e përçau komitetin, duke ekspozuar një histori të mungesës së rregullimit, një pus të thellë gjykimi të keq dhe një varg mizogjenish. Disa anëtarë dhanë dorëheqjen, të tjerë refuzuan të marrin pjesë. Fondacioni Nobel, që financon këtë çmim, ngriti shqetësime serioze për drejtimin e komitetit. E ardhmja e çmimit të letërsisë dukej në rrezik.

Anëtarët e komitetit vendosën të bëjnë një vit pushim, duke e shtyrë çmimin Nobel në Letërsi të vitit 2018, për vitin 2019. Koha shtesë, u tha, do u jepej anëtarëve si një shans për të rregulluar gjërat në shtëpinë e tyre dhe për të rifituar besimin e botës. U emëruan anëtarë të rinj. Rregullat u përcaktuan. Një frymë e re transparence ndjehej në ajër.

Pastaj erdhi njoftimi i së enjtes për shpalljen e fituesve të çmimeve Nobel në Letërsi për vitet 2018 dhe 2019. Testi i madh: një mundësi për të treguar se anëtarët e komitetit, në të vërtetë, mund të vazhdonin udhëzimet e mjegullta të Alfred Nobel për të zgjedhur ‘veprën më të jashtëzakonshme në një drejtim idealist’.

Fillimisht, çmimi i vitit 2018 iu dha autores polake Olga Tokarczuk për atë që gjykatësit e vlerësuan si ‘një narrativë imagjinare, e cila me pasion enciklopedik paraqet kalimin e kufijve si një formë të jetës’.

Por më pas ra çizmja ushtarake dhe çdo festë për punimet e Tokarczuk u rrëmbye nga një polemikë e freskët: Akademia Suedeze ia dha çmimin Nobel 2019 në Letërsi autorit Peter Handke. Ai është një shkrimtar kontrovers austriak, i njohur për simpatinë ndaj ish-liderit jugosllav, Sllobodan Millosheviç, që u akuzua për genocid. Handke, jo vetëm mori pjesë në funeralin e kasapit, por mbajti edhe një elegji.

Tamam siç e tha ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku: “Nuk ka asgjë nobel (fisnike)”.

Kjo nuk është mënyra për të demonstruar gjykim të mirë apo për të rifituar besimin. Është thjesht një tjetër manovër e shurdhër nga një grup snobësh suedezë që komandojnë një hapësirë të pamerituar dhe joproporcionale të vëmendjes botërore.

Le të lëmë mënjanë supozimet qesharake se çdo vit, çmimi Nobel në Letërsi shkon tek shkrimtari më i madh në botë. Nisur nga ndërlikimet në përkthim, ndikimet e paragjykimeve kulturore dhe kufizimet e njohurive të çdo grupi të vogël, identifikimi i ‘më të mirës’ është i pamundur me një siguri të mbrojtshme. Çmimi është gjithmonë politik, gjithmonë një kompromis, gjithmonë një deklaratë vlerash.

Kjo është ajo që e bën përzgjedhjen e Handke këtë vit, por edhe përzgjedhjet e viteve të tjera, kaq irrituese. Nuk ka pse të jetë kështu.

Konsiderojeni këtë: Para këtij viti, vetëm 14 gra kanë fituar çmimin Nobel në Letërsi. Duke pasur parasysh rekordin e komitetit për shovinizëm dhe nevojën për të rregulluar reputacionin pas një skandali tronditës seksual, përse të mos zgjidhej një shkrimtare femër edhe për çmimin Nobel në Letërsi për vitin 2019? Po, dy gra në një vit! Imagjinoni diskutimin që do kishim tani nëse shkrimtarja e dashur kanadeze, Margaret Atwood do kishte fituar këtë javë. Ne mund të debatojmë për cilësinë letrare të disa prej romanëve të saj, por çfarë ndikimi të thellë ka pasur puna e saj më e mirë në diskutimet për të drejtat e grave. Çfarë mënyre e fuqishme që komiteti të lidhej me miliona lexues aktualë.

Ose përse të mos përdorej çmimi i këtij viti si një mundësi për të tërhequr vëmendjen e pjesëve të tjera të botës që janë shpërfillur prej kohësh nga komiteti? Anders Olsson, një anëtar i Akademisë Suedeze, pati premtuar një vizion më të gjera në fillim të këtij muaji, kur tha: “Kemi pasur një perspektivë më shumë eurocentrike për letërsinë, por tani do të shohim në mbarë botën…. Ne shpresojmë që çmimi dhe i gjithë procesi të intensifikohet dhe të jetë shumë më i gjerë në fushën e tij”.

Një shtrirje më e gjerë do të kishte pikasur shumë shkrimtarë të shquar, përveç austriakut që bën mbrojtjen e një tirani genocidal.

Edhe sa duhet të presë shkrimtari kenian Ngugi Thiang’o për miratimin e Nobelit? (Ai është 81 vjeç tashmë). Ose përse të mos njohim romancieren Maryse Conde dhe t’ia japim Guadalupes të parën fituese të Nobelit në Letërsi. Veprat e Yan Lianke janë të ndaluara në Kinë, por ato satirizojnë në mënyrë efektive teprimet e kapitalizmit, kështuqë edhe ai është një shkelës i mundësive të barabarta nga një vend me 1.4 miliardë njerëz, që e ka fituar çmimin Nobel në Letërsi vetëm dy herë.

Secili prej këtyre shkrimtarëve- ose një duzinë të tjerë- do të ishte festuar në të gjithë botën së bashku me Tokarczuk. Çfarëdo që nënkuptonte Nobel me ‘drejtim idealist’, është e qartë se Akademia Suedeze nuk po shkon drejt saj.


Lini Një Koment